Komuniteti Shqiptar i Selanikut ka njoftuar se një përfaqësi e Komitetit Drejtues të KSHS, e përbërë nga Dr. Luan Zyka dhe Flora Coku së bashku me përfaqësuesit e grupimit “Bashkë për Fëmijët”, Elisabeta Cara dhe Arben Lala, zhvilluan një takim me drejtues të OPEKA-së së Maqedonisë Qendrore në Selanik, Anthi Theofilaktou dhe Hristos Mitrousidhis. (OPEKA është institucioni përgjegjës i Ndihmave Sociale të Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale të Greqisë).
Takimi u mbajt pas kërkesës që Komuniteti Shqiptar i Selanikut i dërgoi administratës së OPEKA-së lidhur me problemet e mos trajtimit me ndihma sociale ndaj fëmijëve të emigrantëve shqiptarë që kanë probleme shëndetësore që nga lindja e tyre, si autizëm, sindromi Down, paraplagjikë etj.
Për afro rreth 2 orë, përfaqësuesit e KSHS, paraqitën dosjen e përgatitur me dokumenta zyrtare të rasteve me përgjigje negative të administratës, ndaj kërkesave të familjeve me probleme shëndetësore.
Zyrtarët e OPEKA i dëgjuan me vëmendje dhe ndjeshmëri të lartë problemet e shtruara, duke theksuar që është hera e parë që emigrantët shqiptarë të organizuar i shtrojnë këto çështje, duke na premtuar se nga ana e tyre do të bëjnë cfarë është e mundur për zgjidhjen e problemeve të tilla, brenda kuadrit ligjor grek.
Ne kërkuam që fëmijët e emigrantëve të trajtohen njësoj si të gjithë taksapaguesit grekë. Por pengesa kryesore për mos zbatimin e një politike sociale të njëjtë për të gjithë personat që banojnë e punojnë me statusin e emigrantit në Greqi, është ligji përkatës ku në skemën e përfituesve, ndërsa përfitojnë edhe azilkërkuesit, nuk përmendet kategoria e emigrantëve në Greqi…!!!
Në këto kushte, i kërkuam drejtuesve të OPEKA-së të bëjnë cfarë është e mundur, duke ezaururar çdo mundësi ligjore dhe administrative, për tu dhënë ndihmat e plota sociale personave nga Komuniteti i emigrantëve shqiptarë që banojnë, punojnë dhe kontribuojnë me detyrime tatimore si gjithë populli grek.
Duke shprehur publikisht mirënjohjen dhe falenderimet tona ndaj drejtuesve të OPEKA-së, premtojmë se misioni ynë do të vazhdojë, në rrugë administrative, politike apo ligjore me takime në instanca të tjera të administratës greke, deri në zgjidhjen përfundimtare të këtij problemi madhor të emigrantëve shqiptarë në Selanik dhe gjithë Greqinë.
Për t’u bërë pjesë e grupit të “Gazeta Diaspora Shqiptare” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.



