Guvernatorja e Shtetit të New York, zonja Kathy Hochul ka zhvilluar një takim me komunitetin shqiptar në Bronx, New York ku ka vlerësuar kontributin që shqiptarë kanë dhënë dhe japin çdo ditë në sektorë të ndryshëm shërbimesh. Një takim ky i mundësuar nga ish këshilltari bashkiak Mark Gjonaj i cili në fjalën e tij përmendi dhe bashkëpunimin me guvernatoren gjatë kohës që ata shërbenin si funksionarë publik në Albany.
“Unë kam shërbyer krah Guvernatores Hochul në Albany kur isha pjesë e Asamblesë, në atë kohë ajo ishte nën guvernatore. Ajo më tha atëherë se kishte dëshirë që të mësonte më shumë për komunitetin shqiptaro amerikan, se dëshironte të dinte shqetësimet dhe problemet tona. Ajo e mbajti fjalën. Më telefonoi dhe kërkoi që të mblidheshim”, tha Gjonaj.
Gjonaj gjithashtu u ndal edhe te kontributi që shqiptar amerikanë kanë në shërbimet publike të New York-ut.
“Shqiptaro amerikanët janë në vijë të parë në ushtrinë tonë. Janë në vijë të parë në radhët e policisë dhe zjarrfikësve të New York-ut. Ata janë gjithashtu në sistemin e edukimit, janë në klasat e shkollave, janë në sallat e operimit, janë në shërbimet publike. Ata janë New York-ez të vërtetë të cilët i vlerësojnë privilegjet që kanë si qytetar të këtij vendi” tha Gjonaj.
Ndërsa Guvernatorja Hochul e cilësoi Gjonajn si një funksionar publik të jashtëzakonshëm.
“Kur pata mundësinë që të punoja me ty vura re që ti je një luftëtar. Gjithmonë ke pasur në zemër distriktin tënd dhe shqiptarët I ke pasur prioritet në punën tende. Dhe fakti që gjithmonë u ke dal krah, që je përpjekur që ata të ndihen pjesë e kësaj ëndrre amerikane, si të ishte ëndrra e tyre. Dhe të falenderoj për këtë lidership, dhe gjithashtu edhe këtë komunitet të jashtëzakonshëm. Më shumë se 100 mijë shqiptar të fortë të përqendruar këtu në Shqipërinë e Vogël. Unë shpresoj që ju, jo vetëm të keni gjetur atë ëndrrën amerikane, por edhe ëndrrën New York-ze, këtu në këto rrugë dhe komunitete. Sepse ky komunitet është përmirësuar, është më vibrant, më magjepsës për shkak të pranisë tuaj këtu sot. Dhe falë dëshirës tuaj për të ngritur biznese këtu dhe për të na ndihmuar që të bëhemi një New York më i mirë. Falë punës suaj, që e përmendi edhe Marku, kontributit tuaj në çdo shërbim, si ndihma në luftën ndaj krimit në rrugët tona. Prioriteti im numër një është siguria juaj dhe të mbroj bizneset tuaja nga grabitja ditë pas dite. Kjo duhet të mbaroj dhe ky është prioriteti im. Shumë prej jush janë pjesë e forcave policore dhe ushtarake dhe po bëni një punë që ne e vlerësojmë çdo ditë. Unë dua t’ju falënderoj, t’ju falenderoj që nuk keni hequr dorë nga shteti ynë, nga komuniteti ynë. Ne kemi kaluar disa kohë të vështira me pandeminë e cila ishte e tmerrshme dhe ndikoi në familjet tona, disa prej nesh humbën të dashurit e tyre, humbën të ardhurat dhe kursimet, humbën ëndrrat kur bizneset u mbyllën për një kohë të gjatë. Por si guvernator detyra kryesore e imja është që të jem një luftëtare dhe unë do të luftoj për të mbrojtur shëndetin tuaj, familjet dhe biznesin tuaj çdo ditë” tha Guvernatorja Hochul. /DiasporaShqiptare/
Për t’u bërë pjesë e grupit të “Gazeta Diaspora Shqiptare” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.



