Remitancat janë një kontribues i drejtpërdrejtë ose i tërthortë në shumicën e synimeve të zhvillimit të qëndrueshëm të Shqipërisë, gjithashtu ato ndikojnë në rritjen e përgjithshme të prodhimit, tregtisë, tregut të punës, pasuritë e paluajtshme dhe segmentet e tjera të ekonomisë vendore. Për të diskutuar mbi potencialin dhe kanalizimin e tyre Dhoma e Biznesit të Diasporës në Bashkëpunim me Universitetin Polis organizuan ditën e sotme një Tryezë Opinionesh me eksperte të fushës me titull: Kanalizimi dhe transmetimi i Remitancave në investime që garantojnë zhvillim social-ekonomik dhe decentralizim të zhvillimit lokal duke përfshirë edhe arsimin e lartë në Shqipëri.
Në fjalën e tij Presidenti i Nderit të Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare z. Lazim Destani theksoi se Diaspora paraqet kapitalin më të rëndësishëm njerëzor e financiar për zhvillimin e vendeve tona.
“Duke qenë kaq e çmueshme kjo pjesë e kombit tonë, mendoj se të gjithë faktorët relevant duhet të bëjnë përpjekje të pandalshme për ta organizuar këtë potencial madhor e për ta bërë atë sa më efektiv për zhvillimin e rajonit tonë.
Potencialin financiar apo në përgjithësi të mirat që vijnë nga Diaspora gjithmonë kanë qenë shumë të nevojshme madje jetike për familjet shqiptare gjithandej trojeve tona. Për dallim nga e kaluara sot ky potencial është më i fuqishëm se kurrë më parë, andaj, ky kapital duhet të motivohet, të stimulohet, të zhvillohet e të kanalizohet nga institucionet e vendit pasi vendet tona e kanë më se të nevojshëm. Këtu nuk e kam fjalën vetëm për institucionet publike dhe qeveritare por edhe për sektorin mësimor akademik, në mënyrë që të formohet ai trekëndëshi sinergjik midis sektorit të biznesit, sektorit të arsimit dhe atij të qeverisë e të shoqërisë civile.
Roli i arsimit, shkolla e mesme profesionale e posaçërisht arsimi i lartë profesional, mbetet faktor kyç për ritmin e zhvillimit ekonomik dhe të ngritjes së standardit të jetesës. Aktualisht, tregjet tona të punës tregojnë se janë në situatë asimetrike, pra kemi ofertë të tepërt të profileve të caktuara ndërsa mungesë të konsiderueshme të profileve të tjera specifike” tha ai.
Duke sjellë shembullin e tij personal të emigrimit në moshë të re në Gjermani Destani ai ritheksoi rëndësinë e përgatitjes profesionale në përputhje me kërkesat e tregut të punës.
“Sot në trojet tona, mungesa e kuadrit profesional shihet edhe nga bisedat me shumë kolegë biznesmenë të cilët kanë projekte të gatshme për investime në sektorë të ndryshëm ndërkohë që druajnë se nuk gjejnë profesionistë të profileve përkatëse.
Stafet akademike të universiteteve anembanë trojeve tona besoj se janë në dijeni për këtë. Në takimet e këtilla, krahas temave të ndryshme, mendoj se është mirë të diskutohen edhe aspekte të arsimit profesional si temë që kërkon vëmendje, sidomos kur është fjala te shkollat profesionale të arsimit të mesëm. Shpresoj që sa më shpejt të lëvizin gjërat në këtë drejtim pasi përgatitja profesionale dhe balancimi i ofertës dhe kërkesës në tregun e punës është një nga kushtet kryesore që çon drejt suksesit, përparimit dhe mirëqenies”, tha ndarë të tjera ai.
Ndërsa kryetari i Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare z. Ardian Lekaj tha se remitancat, në kushtet e zhvillimeve aktuale ekonomike, duhet të konsiderohen dhe trajtohen si një kategori dhe burim thelbësor në ekonomi.
“Për me tepër në kushtet e ngadalësimit dhe përkeqësimit ekonomik për shkak të krizës nga COVID-19 dhe krizës aktuale për shkak te konfliktit Rusi – Ukrahine, shtrohet pyetja se në ç’drejtim duhet të orientohen masat e nevojshme për një reagim efektiv ndaj flukseve rënëse të remitancave?
Në këto kushte, specifikisht për rastin e Shqipërisë, Dhoma e Biznesit të Diasporës vjen me disa këshilla konkrete, si më poshtë
- Krijimi i një iniciative të strukturuar ndërkombëtare për përmirësimin e të dhënave për Remitancat;
- Avantazhe fiskale, për ofruesit e shërbimeve të remitancave, në shërbim të uljes së tarifave të paguara nga dërguesit dhe pritësit;
- Krijimi i “Instrumentit Financiar të Diasporës”, si një mjet për të rritur konkurrencën në treg në industrinë e Remitancave;
- Përdorimi i teknologjisë digjitale dhe avancimi në mënyrë adekuate dhe të përshtatshme, duke u bazuar në vlerësimin e rriskut;
- Kanalizimi dhe transmetimi i tyre në investime që garantojnë zhvillimin social – ekonomik dhe decentralizim të zhvillimit lokal;
E pranishme zv. Guvernatorja e Bankës së Shqipërisë znj. Luljeta Minxhozi tha se vendi ynë që prej vitit 2021 ka filluar me hapa konkrete ligjore në ndihmë të emigrantëve.
“32 % e familjeve shqiptare, ose ndryshe 1/3 sot marrin remitancat. Ne që prej prillit të këtij viti kemi futur konceptin e MTO-SË, për trasfertat në Euro”, tha Minxhozi .
Ndërsa Deputeti Lavdrim Krashi, pjesë e kësaj tryeze diskutimi theksoi se tre janë shtyllat ku mund të zbatohen strategjitë për remitancat: Tregtia, investimet dhe transferimi i njohurive dhe aftësive.
Për t’u bërë pjesë e grupit të “Gazeta Diaspora Shqiptare” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.