Moti i paqëndrueshëm është prezent këtë të enjte në të gjithë territorin tonë.
Zona më problematike me rrebeshe shiu është shtrirja nga lumi i Matit në veri deri në lumin Osum. Epiqendra e reshjeve është zona Krujë-Tiranë-Elbasan-Gramsh.
Sipas MeteoAlb, në këto zona, sasitë 24 orëshe pritet të variojnë nga 30-50 mm dhe referuar normave mujore të reshjeve, do të bien rreth 50% e sasisë mujore të reshjeve.
Veriu dhe zonat jugore do të marrin më pak reshje, ndërsa nesër do të ketë jugu intensitet mesatar të reshjeve. Era do të forcohet gjatë momentit të rrebesheve por përgjithësisht do të jetë deri mesatare.
Tiranë
Reshjet e dendura të shiut prej më shumë se dy orësh kanë shkaktuar përmbytje në Tiranë.
Rrugët e kryeqytetit janë mbuluar nga uji, duke sjellë kështu vështirësi në qarkullim.
Malësi e Madhe
Në Malësi të Madhe ka ndërruar jetë një 51 vjeçar. Policia bën me dije se për shkak të goditjes së rrufesë i është djegur shtëpia ndërsa ka pësuar djegie të rënda në trup 51 vjeçari i cili ka ndërruar jetë në spital.
Sarandë
Në Sarandë në dy raste rrufetë kanë goditur edhe banesa, duke shkaktuar dëme materiale.
Rasti i parë ka ndodhur brenda në qytet, ku rrufeja ka goditur një pallat në ndërtim. Ndërkohë që një tjetër rrufe ka goditur banesën e J.A në fshatin Metoq, dhe si pasojë ka shkaktuar dëme të shumta materiale.
Fatmirësisht deri tani shkarkesat elektrike nuk kanë sjellë lëndime tek qytetarët.
Durrës
Edhe qyteti bregdetar i Durrësit është përfshirë nga shira të rrëmbyeshëm këtë të enjte.
Sipas informacioneve,në kapitenerinë e Portit të Durrësit pritet shi i rrëmbyeshem në mbremje nga ora 19:00 deri në 21:00.
Për t’u bërë pjesë e grupit të “Gazeta Diaspora Shqiptare” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.



