Pak kohë më parë qarkulloi një video në internet ku shihej një violinist i ri tek paraqitej para ndërtesës më të madhe në Toronto të Kanadasë që quhet Kulla Kanadeze (CN Tower), me një melodi tërheqëse. Tërheqës ishte edhe emri poshtë këmbëve të tij: Kristian Gusho, me të cilin për gazetën “Diaspora Shqiptare” zhvilluam një bisedë rreth profesionit, pasioneve, dhe jetës së tij në Kanada.
Kristian Gusho është violinist dhe producent i ri në moshë, dhe ndër banorët më të rinj të Kanadasë, i cili ka ardhur nga Shqipëria para shtatë muajsh. E veçanta e Kristianit është se ka nisur aktivitetin e tij sapo ka arritur në këtë shtet.
Mësojmë se edukimin si muzikant e ka nisur që prej moshës 5 vjeçare në Shkollën Artistike “Naim Frashëri” në qytetin e Vlorës. “Ka qenë Flora Caci, mësuesja ime e parë, e cila më ka vendosur duart në violinë!”-shprehet ai. Më tej shkollimi i tij ka vazhduar në Liceun Artistik “Jordan Misja “ në Tiranë, ku studimet në violinë morën trajtën profesionale duke iu përkushtuar dhe dedikuar seriozisht deri në mbarimin e gjimnazit nga ku ka fituar edhe një bursë të plotë për të studiuar në konservatorin e mirënjohur grek “Helenic Conservatory” në Athinë . “Mbrojta e diplomës përpara një jurie me shtetësi të ndryshme në konservatorin grek më dha mundësinë e një Medaljeje të Artë, e cila për herë të fundit i ishte dhënë Leonidhas Kavakos, violinisti grek me famë botërore!”
Në interesimin e gazetës “Diaspora Shqiptare” se a ka mundur në këtë kohë të paraqitet shumë tek publiku kanadez në Toronto, Kristiani përgjigjet: “Jam i lumtur që Zoti e deshi që unë të hyja në Kanada shumë pak para se kufijtë të mbylleshin për shkak të COVID-19! Situata nuk ka qenë shumë në favorin tim sa i përket muzikës, pasi shumë ngjarje të planifikuara më parë janë anuluar.
I pyetur se sa ka mundur të lidhet ai në këtë kohë të shkurtër me komunitetin shqiptar në Kanada, dhe ai befas përgjigjet: “Kam patur rastin të njoh jo pak shqiptarë këtë kohë, dhe gjithashtu ofertat nuk kanë qenë të pakta, por me padurim presim që bota t’i kthehet normalitetit dhe shqiptarët të mblidhen përsëri për të festuar edhe ne të jemi piesë e gëzimeve të tyre!

Në Toronto arrita të bëja vetëm një paraqitje tek festa shqiptare për Ditën e Grave dhe Ditën e Mësuesit më 8 Mars në një organizim nga RH Scholarship me drejtuesen e saj Teuta Haxhillari! Ishte një përvojë shumë e bukur dhe publiku shqiptar i Torontos më ka pritur shumë mirë. E veçanta e kësaj mbrëmjeje ishte se aty performova së bashku më bashkëshorten time, e cila është gjithashtu këngëtare, Eriolën”- rrëfen Kristiani.
Kristiani është në proces së rrugës së integrimit të tij në Kanada. Ai shprehet: “Nuk e kam parë shumë të vështirë këtë pjesë pasi jam mësuar me jetën jashtë Shqipërisë! Puna ime përpara se të vija në Kanada ka qenë në “Cruise Ship” në të cilën performoja për pushuesit e saj nëpër botë! Mund të them që Kanadaja nuk ka qenë sfidë aq e madhe sa kam dëgjuar, por thjeshtë një punë e vogël me veten për një adaptim sa më natyral! Pres shumë gjëra të bukura në jetën dhe karrierën time këtu në Kanada!”
Kristiani tregon se krahas violinës, kompozimi ka qenë pasioni ose dashuria e tij e dytë. “Kam patur shumë dyshime në vetvete nëse kam qenë i aftë mjaftueshëm për t’u quajtur kompozitor ose producent, duke qenë se nuk e kam shkollën të atillë, por vullneti dhe pasioni gjithmonë më ka shtyrë të krijoj muzikë të re bazuar në ndjenjat dhe situatat që kam kaluar ato momente, dhe kjo mund të them që më ka bërë deri diku të suksesshëm duke arritur popullaritet dhe pëlqyeshmëri nga publiku, jo vetëm shqiptar”. Ai me krenari thotë se përpjektet e tij nuk kanë mbaruar, sepse “tashmë po krijoj lidhje edhe me këngëtarë që i kam njohur në Toronto, si shqiptarë ashtu edhe të huaj!”
Për t’u bërë pjesë e grupit të “Gazeta Diaspora Shqiptare” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.



