Përkujtimi i 17 shkurtit të çdo viti, i kësaj date më të rëndësishme për shqiptarët e Kosovës, është bërë pjesë përbërëse e veprimtarive të planifikuara nga kryesia e shoqatës “Bijtë e Shqipes”. Prej 14 vitesh, data 17 shkurt 2008 si data e shpalljes së Pavarësisë, ka sjellë në Qendrën social – kulturore kujtime, vlerësime e materiale të shkruara nga pjesëmarrësit dhe organizatorët në kujtim të luftës, heronjve e dëshmorëve të rënë për liri. Edhe në dy vitet e pandemisë, këto veprimtari nuk u ndërprenë.
Por ky përvjetor, u mendua dhe u realizua pak më ndryshe. Për tu ngjasuar edhe me festimin e madh të 28 Nëntorit, që organizohet në lokale me një pjesëmarrje shumë të madhe në numrin e bashkatdhetarëve, kryesia vendosi që edhe Pavarësia e Kosovës, të festohet në një nga lokalet shqiptare me një hapësirë sa më të madhe. Nga grupi i punës i ngritur për organizimin e kësaj mbrëmjeje i përbërë prej Dritan Matrakut, Mexhit Kobocit e Bujar Çelës u zgjodh Restoranti “Il Villagio“ në Cherry Hill NJ me pronarët Andi Leli, Elton Leli, Arber Myrtaj e Artan Myrtaj, një ambient i këndshëm, me hapësirë e me një shërbim korrekt e të kulturuar. Bashkatdhëtarët nga Kosova e Shqipëria, pak e nga pak filluan të hynin në ambientet e brendshme të lokalit në orën e caktuar, e të zinin vendet e përcaktuara. DJ Bujar Sadikaj, djali simpatik, i palodhur e i kujdesshëm në zgjedhjen e muzikës, ftonte me këngët nga Kosova duke krijuar atmosferën festive.
Bujar Gjoka, kryetari i shoqatës “Bijtë e Shqipes”, duke i falënderuar të gjithë të pranishmit në këtë veprimtari (drekë), uroj Ditën e Pavarësisë të Kosovës për të gjithë shqiptarët me banim në Filadelfia e kudo ndodhen në botë, veçanërisht për shqiptarët e Kosovës të cilët duhet ti japin mbështetjen e vazhdueshme qeverisë së tyre për ta çuar atë përpara në çdo drejtim. Me pas ai ftoi ish kryetarin e kësaj shoqatë z.Tajar Domi, që të mbajë fjalën e rastit.
Domi duke kujtuar disa nga momentet e qëndresës historike për liri që nga 1913-ta kur Konferenca e Ambasadorëve shkëputi padrejtësisht Kosovën nga trojet amtare deri tek lufta çlirimtare e vitit 1999 nga UÇK-ja, midis të tjerave theksoi se sot, 14 vite me vonë, nuk ka cep të Kosovës pa lapidar, përmendore, shtatore, varreza e komplekse memoriale që dëshmojnë jo vetëm robërine e thellë të këtyre trojeve, por edhe luftën e përjetshme të kosovarëve për liri.
Të rënët përgjatë historisë së Kosovës janë të panumërt, ndërsa deri në ditët tona kanë arritur jo të gjithë, por vetëm emrat e atyre që kanë bërë histori. Shteti i ri i Kosovës, në vlerësimet si heronj të Kosovës evidentoi 85 figura të rëndësishme të çështjes kombëtare në periudha të ndryshme si Abdyl Frashëri, Hasan Prishtina, Azem Galica, Shaban Palluzha, Jusuf Gërvalla, Sali Çeku, Fehmi Agani, Zamir Pajaziti e padyshim krye heroi i luftës çlirimtare, legjenda shqiptare Adem Jashari me familjen e tij, ndërsa Dëshmor të Atdheut janë evidentuar mbi 2500 persona.
Përjetësimi i kësaj historie tashmë është pasqyruar edhe në veprat obelisk të ngritura si ai NEË BORN në qytetin e Prishtinës që simbolizon rilindjen e shtetit të ri të Kosovës; kulla e Obeliskut në qytetin e Kukësit tashmë “Nderi i Kombit”, qe e mbushur me fotot e ngjarjeve të eksodit biblik të kosovarëve drejt Shqipërisë, ka shënuar datën 16 prill të çdo viti si dita e kthimit në shenjë falenderimi të shqiptarëve matanë Morinit. Ndërsa në anën tjetër të Kosovës, në Hanin e Elezit, është inauguruar kohe me pare një vepër monumentale-artistike e emërtuar “Muri i Kujtesës” që simbolizon sakrificën e Nënës Shqiptare dhe së bashku me emrat e disa prej personaliteteve që kontribuan në çlirimin e Kosovës, shpreh më së miri kujtimin e respektin për të gjithë ata që sollën lirinë e pavarësinë e shumë pritur.
Duke sjellë në kujtesë edhe pak fjalë nga përshëndetja e presidentes së Kosovës znj. Vjosa Osmani për 14 vjetorin e Pavarësisë, pjesëmarrësit ndjehen më krenar e ngadhënjimtar: “Flamuri i Kosovës gjatë këtij viti është valvitur me dinjitet e krenari në të katër anët e botës. Përmes Farije Hotit, Grave të Krushës, përmes Yllkës, Duas, Ritës, Majlindës, Norës etj, emri i Kosovës tingëlloi shumë më mire dhe u bë sinonim i triumfit, i kampioneve, i sukseseve e ekselencës”.
Tashmë, gjithçka ishte ofruar në tryezat e pjesëmarrësve, ndërsa këngët popullore për dëshmorët e Kosovës, Adem Jasharin, Xhamadani Vija- Vija e shumë të tjera, bënë që salla të oshëtinte ndërsa shumica e panë veten në pistën e vallëzimit. Shumica e bashkatdhetarëve në këtë festë vinin me origjinë nga Kosova, qytetet shqiptare të Maqedonisë (një pjesë vinin për herë të parë në organizimet tona), krahas atyre nga zonat e Shqipërisë. Ndër to ishin vëllezërit biznesmen Osmanollaj me babain e familjet e tyre nga Prizreni, të njohur për mbështetjen e shoqatës “Bijtë e Shqipes”, që i dhanë tonin kësaj mbrëmje të larmishme dhe në fund kontribuan edhe me $ 1,140 për shkollën shqipe. Familja tjetër e madhe kosovare Çoçaj ishte e pranishme edhe me miq të saj, gjithsej 24 veta, e në respekt të kësaj veprimtarie z. Bekim Çoçaj u anëtarësua në shoqatën tonë “Bijtë e Shqipës”, veprim që u pasua nga zotërinjtë Viljart Hoxha e Ilir Avdiu. Në emër të shoqatës, z. Bujar Gjoka i falenderoi tre të rinjtë duke uruar suksese në jetët e tyre, ndërsa ftoi para mikrofonit z. Lavdrim Cami i cili së bashku me disa miq e familjar të tij na nderuan me pjesëmarrjen e tyre. Z. Cami ka drejtuar për disa vite shoqatën atdhetare “Dibra “, një shoqatë me kontribute të mëdha në komunitetin e saj ne NJ e NY si dhe në vendlindje. Para tre vitesh duke ju përgjigjur thirrjes tonë për të ndihmuar financiarisht në fushatën fond-mbledhëse për Qendren e Re, si asnjë organizatë tjetër dërgoi për këtë qellim $1,000. Ai falenderoi “Bijtë e Shqipes” për jetën aktive dhe punën kompakte e plot pasion që bëjnë drejtuesit e saj në shërbim të komunitetit veçanërisht me shkollën shqipe.
Ndërsa pronarët shqiptar të lokalit “Il Villagio” të kënaqur me këtë organizim atdhetar, pasi kontribuan me $1,000 në ushqim shtesë për të gjithë pjesëmarrësit, u shprehen se shumë shpejt do të jenë gjithashtu anëtar të shoqates duke e ndjekur me nga afër jetën e saj.
Duke shprehur kënaqësi e falenderime për këtë organizim të bukur përkujtimor të 14 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, bashkatdhetarët filluan të shpërndahen nëpër shtëpitë e tyre me urimin që 15 vjetori ta gjejë atë më demokratike e më të konsoliduar, të njohur botërisht.
Nga: Bujar Çela
Filadelfia, me 20 shkurt 2022
Për t’u bërë pjesë e grupit të “Gazeta Diaspora Shqiptare” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.







