Është një mendim i zakonshëm në Shqipëri që kosovarët janë më patriotë kur vjen puna te emrat. Vetëm prej andej mund të dëgjojmë emra si Vlera, Vjosa, Saranda ( më 2018, rreth 40 vajza me emrin Saranda sëbashku kanë ardhur nga Kosova të vizitojnë qytetin emrin e të cilit mbajnë) etj etj. Por nëse perceptimi i zakonshëm ka qenë ky, tjetër ka qene realiteti. Sipas gjendjes civile në QKUK në nivel vendi ka pasur shumë emra me origjinë arabe dhe emra të vjetër myslimanë që ende vazhdojnë të përtërihen.
Por, sipas Arjeta Mazrekaj, zyrtare e gjendjes civile në QKUK, emrat shqip në Prishtinë janë duke u rritur çdoherë e më shumë.
“Këtë vit emrat më të shpeshtë që kemi regjistruar janë Troi e Tian, ka edhe emra të tjerë tradicionalë, ndërsa te vajzat Inara është shumë i shpeshtë dhe Bora”, ka thënë Arjeta Mazrekaj, zyrtare e gjendjes civile në QKUK.
Megjithatë, ka ende nga emrat e vjetër myslimanë që përtërihen. Sipas Mazrekut, çdo ditë ndodh të kenë një rast të tillë.
“Jo siç kanë qenë më parë, është më rrallë, por dukuria e përtëritjes së emrave të gjyshërve është ende prezente. Besoj se nuk kalon gjatë ditës të paktën të kemi një rast që t’ia përtërijnë emrin”, thotë ajo.
Arsyeja e vendosjes së emrave shpeshherë është e ndryshme.
Emrat e lashtë ilirë që dikur ishin shumë të shprehur, tanimë nuk po preferohen nga të rinjtë.
Në shkollën “Dardania” të Prishtinës nuk ka asnjë nxënës me emrin Dardan.
Mësuesja Ajnie Gashi-Ballanca thotë se për të paktën 10 vjet nuk ka pasur një nxënës me këtë emër.
“Para 40-50 viteve kanë qenë emra myslimanë për shkak të ndikimit të fesë myslimane, kanë qenë në okupimin osman dhe zakonisht janë bazuar në ata emra myslimanë, Muhamet, Adem, por me ndryshimin e situatave të ndryshme, njerëzit kanë filluar të shkollohen dhe kanë filluar të duan emrat shqip dhe shqiptarë, siç janë Ilir, Dardan, Besa, Butrint. Me emër Dardan ka ndoshta 10 vjet që nuk kam pasur nxënës”, ka thënë mësuesja Gashi-Ballanca.
Megjithatë, në Prishtinë mbizotërojnë emrat e tjerë me kuptim shqip.
Ballanca thotë se në klasën e saj ka 3 djem me emrin Yll.
“Në shkollën tonë ka emra shqip. Në klasën time i kam tre fëmijë me emrin Ylli, i kam Gent, me origjinë shqipe, Zana, Zan, Vlera, ka emra. Por në këtë kohë, njerëzit duke u bazuar në emra të artistëve po ngjesin edhe emra të huaj, anglezë, italianë dhe që nuk kanë kuptim shqip”, shtoi ajo.
Ndryshe, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, nga një studim i bërë në vitin 2017, emri më i gjatë në Kosovë është Ismailqemail dhe Mirandolinda, me gjithsej 12 shkronja.
Ndërsa emrat më të shkurtër janë Ad dhe Al.
Për t’u bërë pjesë e grupit të “Gazeta Diaspora Shqiptare” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.