Sot shënohen 615 vite nga dita e lindjes së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit Skënderbeut, simbolit më të rëndësishëm të identitetit shqiptar.
Gjergj Kastrioti u lind më 6 maj 1405, në një familje fisnike të Gjon Kastriotit në Dibër. Ai u mor peng nga Sulltan Murati dhe luftoi për Perandorinë Otomane si gjeneral deri më 1443, vit në të cilin u largua gjatë një beteje, duke u rikthyer në Krujë.
Në vitin 1444, mblodhi të gjithë princërit shqiptarë në Lidhjen e Lezhës, ku u vendos unanimisht të luftohej për marrjen në zotërim të trojeve shqiptare kundër Perandorisë Otomane. Në krye të ushtrisë shqiptare, pas fitores së parë kundër otomanëve në betejën e Torviollit, Skënderbeu do të korrte 22 fitore të mëdha kundër osmanëve në vitet e luftës në krye të ushtrisë së vet, që kishte si kryeqendër Krujën.
Figura e tij është bërë burim frymëzimi dhe është përjetësuar në shumë vepra artistike në letërsi, muzikë, pikturë e kinematografi.
Marin Barleti shkroi “Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut”, të cilën e botoi italisht në Romë rreth viteve 1508-1510. Një vepër, e cila njohu shumë ribotime në gjuhë e në vende të ndryshme të Evropës. Vepër tjetër me rëndësi është edhe vepra e shkruar nga Dhimiter Frângu “Komentar për punët e turqve dhe të zotit Gjergj Skënderbe, princ i Epirit”. E rëndësishme për të njohur shoqërinë shqiptarë të shek. XV është edhe “Historia dhe gjenealogjia e shtëpisë së Muzakajve”, shkruar në italisht më 1510 nga bashkëluftëtari i Skënderbeut, Gjon Muzaka. Ajo mbeti në dorëshkrim dhe u botua në shek. XIX.
Ndërkohë, Professor Francesco Altimari, në një ligjëratë me titull: ”Skënderbeu, si mit themelues i identitetit arbëresh”, të mbajtur në Tiranë me rastin e “Vitit Mbarëkombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu”, ka thënë se: ”Figura e Skënderbeut për arbëreshët, pas vdekjes, u bë mburojë, në sajë të jehonës së madhe dhe impaktit të bëmave të tij epike, por dhe veprimtaria e tij e mprehtë politike dhe diplomatike që patën në qarqet e larta të diplomacisë së shteteve të perëndimit, duke favorizuar kështu mikpritjen në Itali të arbëreshëve si “populli i Skënderbeut’”.
Për Skënderbeun kanë shkruar mjaft autorë evropianë, përveçse shqiptarë. Sipas Mandala-s, “Arbëreshët, mitin e Skënderbeut e ruajnë akoma gjallë falë traditës, valleve dhe folklorit. Nuk ishte aspak e lehtë por në kohën e pashkëve tradita dhe kujtimi i tij është i gjallë, pasi vallet, tradita dhe festimi i pashkëve na kujton heroin tonë dhe këtë ne e kemi trashëguar te fëmijët në formën e lojës për të mos humbur rrënjët tona në disa nga fshatrat që akoma këndohen dhe kërcehen këto valle autentike. Gjithashtu gjurmë të ruajtjes së identitetit të Skënderbeut në fshatrat e arbëreshëve ekzistojnë akoma në emra të përveçëm, që gjenden në formularët e pagëzimeve, në këtë mënyrë mbahet gjallë kujtesa popullore, pra falë këtyre dëshmive të cilat janë fakte dhe duhet të jemi krenar për këtë trashëgimi”.
Gjergj Kastriot-Skënderbeu konsiderohet nga shumë vende të Evropës Perëndimore si heroi që pengoi Perandorinë Otomane të pushtonte Perëndimin e Evropës dhe si modeli i rezistencës së krishterë ndaj otomanëve myslimanë.