Më 5 shtator u zhvilluan zgjedhjet e Lidhjes për mandatin e ri të kryesisë me dy kandidatura, të mësuesit Pjerin Lleshi dhe mësueses Majlinda Zhuleku Leka. Nga procedura zgjedhore mandatin e ri të kryesisë e ka fituar mësuesi Pjerin Lleshi, që ofron mësime vullnetare prej vitesh në Athinë dhe është një aktivist i mirënjohur i komunitetit. Pjerin Lleshi ka dërguar një mesazh falenderimi për kolegët e tij ditën e sotme, pas përfundimit të plotë të procesit zgjedhor.
“Ditën e diel, më 5.09.2021, Lidhja e Mësuesve Shqiptarë në Greqi (LMSHG), zhvilloi zgjedhjet e radhës për organet e saj drejtuese. Gjej rastin të falënderoj nga zemra të gjithë ata që më besuan drejtimin e kësaj organizate për tre vitet e ardhshme. Një falënderim i përzemërt shkon për themeluesit dhe drejtuesit paraardhës të organizatës sonë, shkon për të gjithë kolegët dhe koleget e mia për punën dhe përpjekjet e tyre të palodhshme. Gjuha shqipe, na bashkon të gjithëve. Përçimi i gjuhës dhe traditës sonë te brezi i ri është një çështje madhore që i përket çdo shqiptari. Prandaj falënderoj gjithashtu edhe përfaqësuesit e Komunitetit Shqiptar në Greqi, të cilët ishin të pranishëm në këto zgjedhje. Uroj që çdo fëmijë shqiptar të mësojë të shkruajë e të flasë bukur shqip!”, u shpreh në fjalën e tij falënderuese Pjerin Lleshi.
Për t’u bërë pjesë e grupit të “Gazeta Diaspora Shqiptare” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.