“Ja dola, Ismete. Do të nisemi pasnesër”. Ishte 31 tetor i vitit 1992, prej pak kohësh kisha mësuar se isha shtatzëne dhe atdheu im ishte një vend me rrezik për të rritur një fëmijë. Bashkëshorti im, Dashamiri, arriti të sigurojë me anë të kursimeve tona dy viza dhe pasaportat për t’u larguar me ndihmën e disa sekserëve që operonin në atë kohë. Më pas morëm dy bileta për udhëtimin e radhës me anije. Një vit më parë rreth njëzetmijë persona kishin mbërritur në Itali në kushte të vështira, por të lumtur se kishin shkuar në një shtet të zhvilluar dhe me shpresën për të nisur një jetë të re. Në fakt e gjetën veten të mbyllur në stadiumin e Barit si të burgosur. Nevoja për një gotë ujë i kthyen njerëzit në armiq të njëri-tjetrit. Unë nuk do ia kisha dal mbanë në atë mënyrë.
Kjo është një pjesë e rrëfimit të shkrimtares shqiptare Ismete Selmanaj Leba dhënë gazetares Alina Rizzi për të përjavshmen italiane “F”. Një rrëfim i sinqertë i një gruaje, nisur nga atdheu si inxhiniere, por shndërruar në shkrimtare, nga një nevojë e madhe për të rrëfyer, për tu treguarve të tjerët se “i huaj” nuk është askush, “të huajt” i krijojnë vetë njerëzit, duke penguar komunikimin, duke refuzuar të kuptojnë dhe të pranojnë tjetrin.
Jeta nën presionin e regjimit.
Gjithmonë më ka pëlqyer letërsia, por në vendin tim kishte nevojë për teknikë dhe u detyrova të bëhem inxhiniere. Në ato kohë njerëzit nuk e kuptonin, por regjimi në Shqipëri ishte një ndër më të egrit në botë. U burgosën dhe u dënuan me vdekje shumë intelektualë. Më pas u privatëzua çdo pronë private dhe gjithçka u bë e popullit; të paktën kjo ishte ajo që trumbetohej. Shqipëria ishte një burg i madh ku njerëzit që kërkon shpëtim, dënoheshin me vdekje.
Rënia e regjimit e çoi shtetin në kaos.
Në mars të vitit 1991, në Shqipëri u zhvilluan zgjedhjet e para demokratike pas gati gjysmë shekulli. Pra në sytë e botës Shqipëria ishte tashmë një shtet i lirë dhe njerëzit nuk mund të kërkonin më azil politik. Nëse niseshin gjetkë dhe kapeshin ktheheshin sërish pas, nëse arratiseshin bëheshin klandestinë pa asnjë të drejtë. Ndërsa në Shqipëri kishte rënë zia e urisë gjatë atyre ditëve.
Ekonomia kishte rënë, fabrikat ishin mbyllur, dyqanet ishin boshatisur, nuk kishte as ilaçe në farmaci. Si të mbijetoje? I fejuari im, i sapo diplomuar kishte gjetur punë në një fabrikë dhe unë në një kompani, por rrogat tona ishin tepër të ulëta dhe me kalimin e kohës nuk na paguanin më. Rrethanat nuk na lejonin të jetonim bashkë, e për më tepër të krijonim familje. Nuk do e harroj kurrë vizitën time të parë gjinekologjike. E shtrirë në një krevat normal të një spitali e mbuluar nga djersa prej sikletit. Nuk kishte aparat për ekografi në të gjithë Shqipërinë dhe duhej t’i besoja prekjes së asaj gruaje që më thoshte të rrija e qetë. Dhe ma pas ato fjalë të ëmbla: “Je pesë javëshe shtazënë”. Papritur u ndjeva më e pjekur, më e fortë, e gatshme për të sfiduar regjimin, kufirin, klandestinitetin, vetëm për t’i siguruar një jetë më të mirë fëmijës sim. Isha gati katër muajshe kur preka për herë të parën tokën e huaj. Në një ditë dhjetori udhëtova me linjën Durrës-Bari. Shikoja rreth e rrotull me kuriozitet, por toka ku hidhja këmbët nuk më përkiste. Toka ime kishte mbetur pas.
Përshtatja nuk ishte e lehtë.
Bashkëshorti im gjeti punë në një supermarket, ndërsa unë si kujdestare për një të moshuar që quhej Maria. Shkuam të jetojmë me qira në shtëpinë e Laurës, e cila ishte shumë e pasur. Shtëpia ishte shumë e vjetër, por Laura ishte në dijeni për të drejtat e mohuara të klandestinëve dhe na tha: “Nuk besoj se do mund të gjeni diçka më të mirë”.
Të huaj përgjithmonë?
Djali im Arbër lindi në një spital italian, kur infermierja që më asistoi më shikonte çuditshëm kur i thashë se jam shqiptare. Kur pa fëmijën tim më pyeti: “Pse nuk është i zi?” Ajo as që e dinte se ku gjendej Shqipëria. Për të i huaj nënkuptonte afrikan!
Në 1995 hyri në fuqi i ashtuquajturi ligji Dini që u lejonte klandestinëve që punonin të paguanin taksat e prapambetura për 6 muaj dhe të pajiseshin me leje qëndrimi, por personat për të cilët punoja as që deshën t’ia dinin. M’u desh t’i paguaja vetë kontributet me ato pak para që kishim fituar duke punuar. Por kishte dhe më keq, një mikeshën time, punëdhënësi kishte muaj që nuk e paguante.
Dhe racizmi mbi lëkurën time.
Kur dërgova djalin tim në kopësht në mënyrë që të punoja, mamatë e fëmijëve të tjerë firmosën një peticion të cilin ja nisën kryetarit të Bashkisë duke u ankuar se fëmija im klandestin i kishte zënë vendin një fëmije italian. Më pas, djalin e transferuan në një kopësht privat.
Gjeta strehë tek shkrimi.
E ndieja se nuk mund të vazhdoja kështu. Vendosa të sfidoj veten dhe fillova të bashkëpunoj me një revistë lokale për të denoncuar sesa e vështirë ishte treguar jeta me familjen time dhe me shumë bashkëatdhetarë të mi.
Dhe këtë gjë vazhdoj ta bëj ende sot që kanë kaluar pothuajse 30 vite dhe klandestinët trajtohen pothuajse në të njëjtën mënyrë. Me kalimin e kohës kuptova se dëshmitë njerëzore janë thelbësore për të krijuar ura mbi çdo lumë urrejtjeje, si ai i Adriatikut apo i Mesdheut. Duke bërë bashkë eksperienca, kultura të ndryshme, një ditë do të mund të jetojmë të gjithë së bashku, pa mëri.
“Biografi
Ismete Selmanaj Leba ka lindur në Durrës në vitin 1966. Mbaron shkollën e mesme në Durrës, në gjimnazin “Naim Frashëri”, dhe më pas studimet e larta në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit, ku dhe u diplomua në vitin 1991. Prej vitit 1992 jeton në Itali. Veprat e saj “Bambini non hanno mai colpe”, “Verginità Rapite” janë vlerësuar me çmime ndërkombëtare.
Autorja shqiptare Ismete Selamanaj Leba, u vlerësua me çmim të parë në Mars 2020 në Napoli, për librin “I bambini non hanno mai colpe” (Fëmijët nuk kanë kurrë faje), në konkursin letrar ndërkombëtar “Të bashkuar për ligjshmërinë”. Ky libër është botuar edhe në anlgisht dhe fitoi vendin e dytë në konkursin “Mësuesi i Shekullit XXI”, organizuar nga Universiteti Shtetëror Mari në Rusi (Korrik 2019).
Ismete Selmanaj Leba ka botuar dy vepra në gjuhën shqipe: “Gjembi dhe trëndafilat”, roman, 2013, “Kokat e dy lejlekëve të purpurt”, roman, 2014 të cilët janë promovuar në panairet e librit të viteve përkatës.