Studiuesi Anton Nikë Berisha ka prezantuar botimin e tij më të fundit “Gonxhe Bojaxhiu – Nëna Terezë: “E desha tjetrin me dashurinë e Hyjit“, në ditën e saj të shenjtërimit. Një analizë tregjuhësore, shqip, maqedonisht e anglisht e teksteve që Nënë Tereza na ka lënë në gjuhë të ndryshme, një sintezë e mendimeve dhe mesazheve që Shenjtorja shqiptare ka dhënë gjatë gjithë jetës së saj. Promovimi i botimit u bë në departamentin për hulumtimin e trashëgimisë së Gonxhe Bojaxhiut pranë ITSHKSH në Shkup.
Autori Anton Nikë Berisha, i cili kishte ardhur nga Prishtina enkas për këtë promovim tha se: “Puna e parë është se për herë të parë flitet në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe mbi tekstet që i ka lënë Nëna Terezë. Janë tekste nga të cilat në bazë të analizës dalin të gjitha mendimet që janë brenda. E dyta, këtu janë shfrytëzuar librat më të rëndësishëm që kanë qenë në gjuhën italianë dhe gjuhët që di unë e që janë shkruar për Nënë Terezën” , u shpreh Berisha.
Drejtori i ITSHKSH-së, Skender Asani, tha në fjalën e rastit se “Gonxhja e jonë sot është shenjtore që e nderon kombin dhe, përtej kësaj, lënda me të cilën ajo e arriti këtë famë është modestia, dashuria dhe bamirësia. Andaj, ne nuk jemi as patetikë as nuk e teprojmë kur themi se letërnjoftimi ynë si shqiptarë dhe si shkupjanë është pikërisht emri Shën Tereza”.
Kryetari i shoqatës qytetare “Shkupjanja Nënë Tereza”, Dimçe Petrushevski u shpreh se “Përmes saj afirmohemi të gjithë ne si një shoqëri, pa dallim të përkatësisë nacionale dhe fetare. Ne jemi krenar që e kemi bashkëqytetaren tonë si përfaqësuese në botë dhe me të identifikohemi”. Aktivitetin e përshëndeti zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së RMV-së, njëkohësisht ministër i Ministrisë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, Artan Grubi. “Ky thellim në këtë hulumtim shkencorë nuk ka se si të bëhet më hyjnorë dhe më i drejtë se sa nëpërmjet kontributit tonë për jetën dhe veprën e të shenjtës Nënë Tereza. Do kishte thënë Niçe, që kombet nuk vlerësohen aq shumë për nga numri i njerëzve të mëdhenj që kanë, por nga mënyra se si sillen dhe si i trajtojnë ato njerëz që i kanë në gjirin e kombit” , u shpreh Grubi.
Rreth doracakut tregjuhësor foli redaktori Emin Azemi, sipas të cilit autori ka dashur të na përgatitë për një lexim kreativ të tekstit duke i dhënë profil, profilit jetësor e shpirtëror të Nënë Terezës. Përgjegjësi i botimeve të Institutit, Sevdail Demiri, tha se ky doracak përbën edhe një lloj letërnjoftimi të Departamentit për Trashëgiminë e Gonxhe Bojaxhiut, i cili pa dyshim se në të ardhmen do të begatohet edhe me hulumtime dhe studime tjera të thella që kanë të bëjnë me trashëgiminë e pasur shpirtërore e kulturore të Gonxhes dhe familjes katolike Bojaxhiu në Shkup.