Nga Beqir Sina
100-vjetori i Alfabetit Shqip dhe Dita e Flamurit në Amerikë, filloi me fëmijët – aktiviteti i parë dhe më i madh kombëtar i diasporës në Staten Island.
STATEN ISLAND, NY – Komuniteti shqiptar i Staten Island organizoi këtë vit një nga aktivitetet më të veçanta për të shënuar 100-vjetorin e Kongresit të Manastirit (Kongresi i Alfabetit) dhe 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit e Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.
Festa e Fëmijëve për Ditën e Pavarësisë, sipas videove dhe fotografive të postuara nga Shoqata Atdhetare Dibra, del si një nga aktivitetet më të mëdha dhe më të bukura që shqiptarët e Amerikës, kanë organizuar për brezin e ri.
Ajo nuk ishte thjesht argëtim, por investim i ndërgjegjshëm në identitetin kombëtar në diasporë. Dhe, për këtë merita u takon të gjithë atyre që e konceptuan, e sponsorizuan dhe punuan pas kuintave pa kërkuar dritën e “lavdërimeve” të skenës.
Sipas Shoqatës Atdhetare Dibra, dekori u realizua me kujdes nga Arlinda Marke.
Vizatimet dhe ngjyrosjet erdhën nga Katrina Ipce. Pakot e festës me dhurata i përgatiti Flamur Begu. “Kështjella” kërcimtare erdhi nga Party Authority LLC. Pastat me luleshtrydhe u ofruan nga Mini Pancakes • Strawberries • Catering.
Tortën e bëri Confection Perfection, ndërsa gatimet erdhën nga macaronsbyhannah. Z. Mehdi Bytyqi solli tingujt e çiftelisë. Ambalazhet i ofroi 1600 WATER, ndërsa DJ-në e mbajti Besar.Flamuri shqiptar dhe setet fotografike u siguruan nga Artie Goga.
Një nga momentet më të bukura ishte vallja tradicionale e shpalosjes së flamurit të madh sa e gjithë skena.
Anxhelina Nika, koreografe (Mjeshtre e Madhe), i përgatiti djemtë dhe vajzat me përkushtim, ndërsa Ledina Dika dhe Saranda Kosovrasti e dhanë me hijeshi. Sofia, Jennah dhe Leah Sela sollën një rutinë hip-hop që tregoi se fëmijët mund të mbajnë rrënjët dhe të shprehin botën bashkëkohore njëkohësisht.
Organizatorët theksuan se qëllimi i këtij spektakli mbetet i qartë të rrënjosë te fëmijët e komunitetit shqiptar në Staten Island dashurinë për rrënjët, krenarinë për kulturën dhe dëshirën për të çuar përpara traditat.
Në ndërkohë aktivitete të tilla në komunitet vërtetojnë se ruajtja e identitetit fillon te më të vegjlit.
Familjet, vullnetarët dhe mbështetësit e bënë të mundur që ky spektakël masiv kuq e zi të mbetet një ditë të paharrueshme për komunitetin shqiptar në diasporë.
Shoqata Atdhetare Dibra, ka shprehur falënderime të gjithë bizneseve dhe individëve që dhanë kohë, shërbime dhe zemër duke shkruar : “Deri vitin e ardhshëm, flamuri do të valojë sërish mbi fëmijët e Staten Island-it, si shenjë e vazhdimësisë dhe dinjitetit kombëtar.”
Ndryshe nga festimet e të rriturve me fjalime e këngë, apo shfaqje shkollore me nivel minimal profesional, ku shpesh lavdërohen vetëm organizatorët, shoqatat e komunitetit shqiptar në Staten Island e realizuan këtë vit me thjeshtësi e krenari të madhe një spektakël të vërtetë për fëmijët – i mbushur me ngjyrat kuq e zi, gëzim të pastër dhe frymë kombëtare.
Ky aktivitet shembullor tregon se festat kombëtare nuk bëhen për të lavdëruar organizatorët, as për të shitur mend dhe se sa patriotë janë dy apo tre vet. Ato bëhen si ky spektakël masiv, ku mblidhen të gjithë fëmijët e komunitetit me skenar dhe organizim profesional.
Kështu nderohen Dita e Flamurit dhe alfabeti i gjuhës shqipe nga ata që janë e ardhmja e këtij komuniteti fëmijët shqiptarë në diasporë.