Nga Beqir SINA – New York
Në selinë qendrore të 32BJ SEIU në Manhattan, të shtunën më 21 nëntor 2026, u mbajt festimi i parë vjetor i Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë.
Aktiviteti u organizua nga punonjësit shqiptarë të sindikatës në bashkëpunim me drejtuesit e lartë, si nderim për 114-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë dhe Ditën e Flamurit.
Në kuadër të festës, 32BJ SEIU u ndau çmime zyrtarëve, aktivistëve të komunitetit shqiptar dhe diplomatëve të Shqipërisë e Kosovës në Washington e New York.
Morën pjesë dhjetra anëtarë shqiptarë nga sektori i banimit dhe ai tregtar, si dhe një pjesë e gjerë e komunitetit që punon me këtë union.
Atmosfera ishte festive dhe e ngrohtë.
Presidenti i unionit, Manny Pastreich, përshëndeti shqiptarët.
Mesazhe dhanë edhe ish-këshilltari i Bashkisë së Nju Jorkut Mark Gjonaj, ambasadori i Shqipërisë në Washington, Ervin Bushati, shefja e misionit të Shqipërisë në OKB Suela Janina dhe diplomatia Adea Kocmezi, që përfaqësoi Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në New York.
Programi kulturor u pasurua me performanca të Shoqatës “Rugova” dhe Grupit të Valleve “Nora e Kelmendit”, të cilët sollën valle e këngë tradicionale të pritura me duartrokitje.
Mikel Marku i 32BJ luajti çifteli, ndërsa ushqimi erdhi nga “Arbëria Grill & Cafe”.
Arlind Lela, përfaqësues në terren për 32BJ SEIU (Sindikata Ndërkombëtare e Punonjësve të Shërbimeve) në qytetin e Nju Jorkut, i cili mbron të drejtat e punonjësve të shërbimeve në ndërtesa, theksoi se takimi shërbeu për të kujtuar historinë, nderuar kulturën dhe vlerësuar kontributin e anëtarëve shqiptarë në sindikatë e në SHBA.
Organizatorët në mesazhet që përcollën vunë theksin te njohja e identitetit kulturor të anëtarëve dhe lidhja e punës sindikale me rrënjët e komunitetit.
Festa shërbeu si moment gëzimi dhe si mundësi për të forcuar lidhjet mes punëtorëve shqiptarë, duke nderuar trashëgiminë kombëtare në zemër të Nju Jorkut.
Ky ishte aktiviteti i parë i një tradite që 32BJ SEIU synon ta vazhdojë çdo vit, thanë organizatorët. Pjesëmarrësit e cilësuan iniciativën si hap të rëndësishëm drejt respektimit të diversitetit brenda sindikatës dhe si urë lidhëse me 28 Nëntorin.
“Në një qytet ku diaspora shqiptare jeton dhe punon intensivisht, aktivitete të tilla i japin zë e dinjitet historisë dhe kulturës së një kombi të vogël, por krenar”, thanë ata.
Çfarë është 32BJ SEIU?
32BJ SEIU është sindikata më e madhe e punëtorëve të shërbimeve të pronës në SHBA, me mbi 185 mijë anëtarë. Rreth 30 për qind e tyre janë shqiptarë – afërsisht 60 mijë persona.
SEIU-në, numëron gjithsej 2.1 milionë anëtarë.
Misioni i saj është organizimi i punëtorëve për paga më të mira, benefite, respekt dhe dinjitet. Ndërsa, lufton kundër lakmisë korporative dhe punon për drejtësi ekonomike, sociale, racore e mjedisore.
32BJ u themelua në 1934.
Ajo operon kryesisht në Verilindje, por edhe në Floridan jugore e Montana. Anëtarët punojnë si pastrues, mirëmbajtës, portier/roje (doreman), oficerë sigurie, punëtorë aeroportesh, inxhinierë ndërtesash, punëtorë shkolle e shërbimi ushqimor në ndërtesa zyrash, apartamente, aeroporte, shkolla, stadiume e muze.
Punonjësit e 32BJ vijnë nga dhjetëra vende dhe me punën e tyre ndajnë ëndrrën amerikane për një jetë më të mirë.
















