Nga Fatos Çoçoli
Libri “Politika e parë nga brenda” i Valentina Leskaj përbën një kontribut me vlerë të veçantë në analizimin e sjelljeve dhe reflektimin e qasjeve të djeshme dhe të sotme të politikës shqiptare, të rolit të institucioneve demokratike në të dhe të mënyrës se si ushtrohet pushteti politik tek ne.
Rëndësia e librit qëndron tek mundësia për ta parë politikën jo vetëm nga jashtë, përmes deklaratave të protagonistëve të saj, përmes debateve televizive dhe përplasjeve partiake, por edhe nga përvoja e drejtpërdrejtë e një personaliteti që e ka njohur dhe ushtruar atë në nivele të larta të jetës publike.
Në një kohë kur politika shqiptare përballet me krizë besimi, polarizim, mungesë dialogu dhe kërkesa gjithnjë e më të forta për standarde demokratike, libri, njëkohësht një analizë e thellë dhe një dëshmi e sinqertë në vetën e parë e Valentina Leskaj, pas suksesit të sprovës së saj të parë “Politika si ide”, merr një aktualitet të veçantë.
Politika si përgjegjësi madhore
Titulli i librit është domethënës. Të shohësh politikën nga brenda do të thotë të kuptosh mekanizmat e vendimmarrjes, raportet ndërmjet institucioneve, përgjegjësitë e përfaqësuesve politikë dhe vështirësitë që shoqërojnë ushtrimin e pushtetit.
Politika nuk është vetëm ajo që qytetarët shohin në ekranet televizive apo në tribunat elektorale. Ajo është procesi i vështirë i përditshëm i negociimit, i kompromisit, i përballjes me interesat e ndryshme, i marrjes së vendimeve dhe i mbajtjes së përgjegjësisë për pasojat e tyre.
Pikërisht për këtë arsye, libri i Valentina Leskajt ka vlerë si një dëshmi personale dhe institucionale. Përvoja e saj në politikën shqiptare, në Parlament dhe në përfaqësimin ndërkombëtar, sidomos në periudhën kur i jep mundësinë lexuesit të shohë më nga afër sfidat e demokracisë së brishtë shqiptare dhe transformimet e saj.
Përmes shtatë kapitujve të librit, Leskaj përcjell mesazhin me shumë vlerë se duhet ta shohësh politikën nga brenda, për të kuptuar më mirë demokracinë reale.
Libri nxit kureshtjen dhe hap një diskutim të gjerë mbi natyrën e politikës sonë, mbi përgjegjësinë e atyre që ushtrojnë pushtetin dhe nevojën për një kulturë demokratike më të konsoliduar.
Rëndësia e një libri të tillë nuk qëndron vetëm tek reflektimet apo përvoja e gjerë e autores dhe përballja me eksperienca të vendeve të ndryshme të botës. Leskaj trajton defiçitin demokratik, si një arsye madhore të lodhjes dhe zhgënjimeve të shoqërisë sonë, me peshe konotative mbi ditët tejet të tensionuara që sot jetojmë.
Vlera më e madhe e botimit qëndron tek nxitja e një debati real mbi atë se çfarë kemi arritur në këto tri dekada tranzicioni, ku kemi dështuar dhe çfarë duhet të ndryshojmë, për të ndërtuar një demokraci funksionale, përmes ushtrimit të një politike sa më të përgjegjshme.
Për një Shqipëri që synon anëtarësimin e shpejtë në Bashkimin Evropian, mesazhi dhe kumti i Leskaj është se politika duhet të fitojë një kuptim më të thellë se lufta për pushtet. Ajo duhet të rikthehet tek qytetari, tek përgjegjësia publike dhe tek cilësia e institucioneve, si garantët e vetëm të sistemit.
Për autoren, ta shohësh politikën nga brenda nuk do të thotë vetëm të njohësh sekretet e saj, por edhe të kuptosh përgjegjësinë që mbart. Demokracia nuk matet vetëm me atë se kush fiton pushtetin, por edhe me mënyrën se si e ushtron atë dhe me gjurmën që lë në jetën e qytetarëve.
Leskaj mendon se pikësëpari, politika është përgjegjësi. Ky është Feneri, llamba e Diogjenit, që autorja mban në duar, për të na ndriçuar në udhëkryqet e historisë së fundit 30 vjeçare të politikës sonë.
Politika, instrument për të përmirësuar jetën e qytetarëve
Për autoren, politika është aftësia për të dëgjuar edhe ata që mendojnë ndryshe, edhe ata që nuk u dëgjohet zëri, sikurse e përshkruan me qartësi në pasazhin “Të bëhesh zëri i të pazëshmeve”, faqe 181-193, kapitulli “Shoqëria civile”. Politika është arti për të negociuar, për të bërë kompromis pa tradhtuar parimet dhe për të marrë vendime që mund të mos jenë gjithmonë të lehta, por janë gjithmonë në interes të shoqërisë.
Në një kohë kur një pjesë e të rinjve e shohin politikën me mosbesim dhe largohen prej saj, një libër që ndan përvojën e drejtpërdrejtë të një protagonisteje të jetës sonë publike ndihmon në kuptimin më realist të mekanizmave të demokracisë.
Ndoshta ndër lexuesit më të rëndësishëm të këtij libri duhet të jenë pikërisht të rinjtë, brezi i ri. Të rinjtë shqiptarë kanë nevojë të kuptojnë se politika nuk është vetëm konflikt, se Parlamenti nuk është thjesht një skenë përplasjeje dhe se përfaqësimi publik nuk është privilegj personal.
Nga pasazhi “E majta-e djathta” (faqe 20-26) tek “Politika e dominuar nga përballja e tjetrit”(faqe 73-89), nga “Dilemat e udhëkryqit demografik” (faqe 145-180) tek “Nelson mandela” (faqe 221-228), nga “Toleranca, respekti për besimin e tjetrit” (faqe 255-262) tek “Kuadri strategjik, faktorët e riskut dhe mbrojtja sociale”, pra kohezioni social (faqe 349-375), një nga mesazhet më të rëndësishme që mund të nxirren nga ky rrugëtim tejet i larmishëm mes të 375 faqeve të librit, të shkruara me një stil të lehtë, të qartë dhe me një sinqeritet çarmatosës, është se politika nuk duhet të reduktohet në luftën për pushtet dhe në personalizimin e saj. Ajo duhet të jetë, mbi të gjitha, një instrument për të përmirësuar jetën e qytetarëve.
xx
Këto më lart janë arsyet pse libri merr një rëndësi të veçantë në kontekstin tonë aktual. Sot vendi ynë ndodhet në një fazë të rëndësishme të zhvillimit të tij politik dhe institucional. Mes sprovës së protestave paqësore dhe, për fat të keq, edhe atyre të dhunshme, procesi i integrimit evropian ku jemi angazhuar të gjithë, kërkon institucione më të forta, standarde më të larta të qeverisjes, transparencë, llogaridhënie, si dhe një kulturë politike që e konsideron kundërshtarin pjesë legjitime të demokracisë, sikurse autorja e sheh atë, pra si pjesë të zgjidhjes, dhe jo pjesë të problemit.
Në një kohë kur polarizimi politik vazhdon të jetë një nga pengesat kryesore për konsolidimin e institucioneve, kur debati publik shpesh dominohet nga përplasjet personale dhe partiake, ndërsa diskutimi mbi programet, politikat publike dhe interesin kombëtar mbetet në plan të dytë, libri “Politika e parë nga brenda” është një dritare njohjeje e politikës në ngjyrat e saj të vërteta dhe, njëkohësisht, një ftesë elegante dhe e çmuar për reflektim.
Autorja Valentina Leskaj na rikujton se demokracia nuk është vetëm organizimi periodik i zgjedhjeve. Ajo është, në mënyrë të qartë dhe të pakundërshtueshme, edhe mënyra se si respektohen institucionet, si trajtohet opozita, si dëgjohen qytetarët dhe si ushtrohet përgjegjësia publike.



