TEUTANA – Të lindësh, të duash, të vuash… dhe të rindërtosh veten pjesë-pjesë

E martë, 17 Nëntor, 2026

Nga Gjergj DODAJ 

Kur romani eksploron labirintet e shpirtit njerëzor.

Një vepër që nuk mjaftohet vetëm duke rrëfyer jetën: ajo përpiqet të depërtojë në misterin e saj.

Ka libra që i mbyllim pasi kemi lexuar faqen e fundit. Por ka edhe të tjerë që vazhdojnë të jetojnë brenda nesh, shumë kohë pasi vështrimi ynë është shkëputur nga rreshtat e fundit të tyre.

Disa libra na shoqërojnë, na bëjnë te meditojmë, ndonjëherë na shqetësojnë dhe na detyrojnë të shohim ndryshe atë që mendonim se e njihnim: dashurinë, dëshirën, besnikërinë, vuajtjen, kujtesën dhe, mbi të gjitha, atë gjendje të çuditshme njerëzore që na dënon të kërkojmë të vërtetën tonë, pa qenë kurrë të sigurt nëse do ta gjejmë.

Gjergj DODAJ 
Gjergj DODAJ 

Romani TEUTANA, i Alfred Dukës, i përket pikërisht kësaj kategorie të dytë.

Larg të qenit thjesht një histori sentimentale, vepra hap dyert e një universi letrar, ku emocionet njerëzore bëhen objekt reflektimi, ku plagët intime marrin përmasa universale dhe ku çdo personazh duket se mbart, në skutat e ndërgjegjes së vet, një pjesë të kundërshtive të epokës sonë.

Alfred Duka nuk na fton vetëm të ndjekim një intrigë letrare. Ai na fton të hyjmë në një territor shumë më kompleks: në atë të qenies njerëzore, me dëshirat e saj kontradiktore, dobësitë, hovet shpirtërore, sekretet dhe anët e errëta të saj. Sepse njeriu nuk është kurrë tërësisht ai që u shfaqet të tjerëve. Ai është edhe ai që rri diku strukur, ai që druhet se mos bëhet njeriu që ende nuk ka arritur ta kuptojë.

Pikërisht në këtë hapësirë të brishtë, midis aparencës, asaj që duam t’u tregojmë të tjerëve, dhe së vërtetës, shpaloset fuqia e TEUTANA-s.

Dashuria, dëshira dhe dilemat e qenies njerëzore.

Në zemër të romanit, Niko, Teuta dhe figurat e tjera femërore që përshkojnë jetën e tij formojnë një plejadë marrëdhëniesh, ku dashuria nuk është kurrë një lumë që rrjedh i qetë. Ajo është dëshirë, lidhje shpirtërore, magjepsje, xhelozi, keqkuptim dhe, ndonjëherë, vuajtje. Ajo mund t’i afrojë njerëzit, por edhe t’i largojë. Mund të shndërrohet në një premtim lumturie, por edhe në një pasqyrë të pamëshirshme të mangësive të tyre.

Në TEUTANA, marrëdhëniet intime nuk janë, pra, thjesht episode që shërbejnë për të çuar përpara rrëfimin. Ato përbëjnë laboratorin e vërtetë të gjendjes së qënjes njerëzore.

Autori eksploron tensionet që krijohen midis trupit dhe shpirtit, midis lirisë individuale dhe përgjegjësive emocionale, midis aspiratave personale dhe kufizimeve shoqërore. Ai vë në pikëpyetje kufijtë, nganjëherë të paqartë, midis pasionit dhe zotërimit, besnikërisë dhe tradhtisë, pafajësisë dhe fajësisë. Mbi të gjitha, ai nuk pranon t’ua ndajë personazheve rolet e së mirës dhe së keqes në mënyrë të lehtë e të paracaktuar.

Personazhet e tij nuk janë silueta të idealizuara. Ata janë të përbërë nga dilema, plagë, egoizëm dhe butësi. Mund të duan dhe të zhgënjejnë, të dëshirojnë dhe të shkatërrojnë, të vuajnë dhe të shkaktojnë vuajtje. Pikërisht kjo i bën thellësisht njerëzorë.

Një persiatje letrare me eksplorimet e mëdha të ndërgjegjes.

Leximi i TEUTANA-s mund të na evokojë, në disa aspekte, universin e Fjodor Dostojevskit. Jo sepse kemi të bëjmë me një imitim apo me një lidhje të mirëfilltë letrare, por sepse romani ndan me shkrimtarin e madh rus të njëjtin magjepsje për ato dilemat, klithjet e brendshme të individit. Te Dostojevski, qenia njerëzore është shpesh një fushëbetejë ku përplasen arsyeja, instinkti, ndërgjegjja, dëshira dhe ndjenja e fajit.

Edhe te Alfred Duka, personazhet lëvizin në këtë gjeografi të brendshme, ku asnjë emocion nuk është krejtësisht i pafajshëm dhe ku vendimet njerëzore ndonjëherë zbulojnë shumë më tepër sesa synojnë të shprehin.

Një tjetër jehonë letrare mund të gjendet te Marsel Prusti. Ashtu si në universin prustian, edhe këtu kujtesa nuk është thjesht një depo kujtimesh. Ajo merr pjesë në ndërtimin e identitetit. E kaluara nuk zhduket kurrë plotësisht: ajo mbetet e fshehur në gjeste, ndjesi, emocione dhe reagime të individit. Ajo që kemi përjetuar vazhdon ndonjëherë të vendosë në vendin tonë. Dhe, dalëngadalë, kuptojmë se e tashmja nuk është kurrë tërësisht e shkëputur nga ajo që i ka paraprirë.

Ndërsa përmasat simbolike të disa sekuencave sjellin ndër mend traditën e madhe të Dantes. Kur rrëfimi zhytet në hapësirat e errëta të vuajtjes, të makthit dhe të ndërgjegjes së munduar, ai merr herë pas here trajtat e një zbritjeje të vërtetë në ferrin e brendshëm.

Lexuesi gjendet përballë imazhesh të fuqishme, ku errësira, frika, vetmia dhe prania e fatit shndërrohen në simbole të përvojës njerëzore. Këto afërsi nuk ia pakësojnë aspak origjinalitetin veprës. Përkundrazi, ato ndihmojnë për t’i vendosur shqetësimet e saj në dialog me një letërsi që, prej shekujsh, ndjek të njëjtin synim: të kuptojë atë që fshihet pas fytyrës njerëzore.

Një shkrim që u jep formë, i trupëzon emocioneve.

Një nga veçoritë e prozës së Alfred Dukës qëndron te vëmendja e veçantë që ai u kushton ndjesive. Ngjyrat, aromat, tingujt, objektet, hapësirat dhe shfaqjet fizike nuk janë thjesht elemente zbukuruese. Ato ndihmojnë në krijimin e atmosferës, në shprehjen e gjendjeve shpirtërore dhe në bërjen të prekshme të asaj që shpesh mbetet e pashprehur.

Në romanin TEUTANA, trupi nuk është vetëm një prani fizike. Ai është gjithashtu kujtesë, brishtësi, dëshirë dhe vendi ku mishërohet vuajtja.

Përshkrimet që lidhen me aksidentin, ndërhyrjet mjekësore dhe brishtësia fizike të Nikos i japin rrëfimit një përmasë veçanërisht konkrete. Në këtë mënyrë, qenia njerëzore shfaqet në gjithë pasigurinë dhe brishtësinë e saj: kaq e fuqishme në ëndrrat e veta, kaq komplekse në mendimet e saj, por njëkohësisht kaq e pambrojtur përballë rrethanave të ekzistencës.

Ky shkrim i mbështetur te ndjesitë i jep romanit një densitet të veçantë. Ai e fton lexuesin jo vetëm t’i kuptojë situatat, por edhe t’i përjetojë ato.

Gratë: personazhe, ndërgjegje dhe fate.

Një tjetër aspekt meriton vëmendje të veçantë: vendi që u kushtohet personazheve femërore. Teuta dhe gratë e tjera që përshkojnë rrëfimin nuk përcaktohen thjesht nga marrëdhënia e tyre me Nikon. Ato kanë ndjeshmëritë, plagët, dëshirat dhe kundërthëniet e tyre. Ato mbartin historitë, zgjedhjet dhe vuajtjet e veta.

Përmes tyre, Alfred Duka trajton çështje thelbësore: vendin e gruas në çift, lirinë emocionale, marrëdhëniet e pushtetit, pritshmëritë shoqërore dhe paqartësitë e besnikërisë. Synimi nuk është të paraqiten personazhe të përsosura, por t’u njihet kompleksiteti i tyre i veçantë.

Kjo qasje i jep romanit një përmasë bashkëkohore, sepse refuzon t’i reduktojë gratë në instrumente të thjeshta të fatit mashkullor. Ato ekzistojnë plotësisht brenda rrëfimit, me zërat, emocionet dhe të vërtetat e tyre.

Nga drama individuale te kujtesa kolektive.

Por TEUTANA nuk mbyllet brenda kufijve të jetës private. Universi i saj hapet gjithashtu drejt realiteteve shoqërore dhe historike që ndikojnë në rrjedhën e fateve individuale.

Marrëdhëniet njerëzore nuk lindin kurrë në boshllëk. Ato formësohen nga një epokë, një kulturë, një histori familjare dhe një mjedis shoqëror.

Institucionet, kufijtë, raportet e forcës dhe veprimtaritë kriminale që shfaqen në rrëfim, si tek “ura e zerzebilit” na kujtojnë se fatet personale shpesh u nënshtrohen forcave që i tejkalojnë ato. Njeriu ndonjëherë beson se e zgjedh lirisht rrugën e vet, ndërkohë që historia e tij mbart tashmë gjurmët e një botë që ai nuk e ka zgjedhur.

Kjo ndërthurje midis individuales dhe kolektives i jep veprës një vlerë të shtuar. Romani nuk kërkon vetëm të kuptojë pse njerëzit duhen, lëndojnë njëri-tjetrin apo ndahen. Ai na shtyn gjithashtu të pyesim se në çfarë bote kanë mësuar të duan, të vuajnë dhe të jetojnë.

“Kam lindur pjesë-pjesë”: një fjali që përmbledh një ekzistencë.

Ndër reflektimet që përshkojnë universin e TEUTANA-s, një shprehje meriton të tërheqë veçanërisht vëmendjen: Ideja se njeriu mund të lindë pjesë-pjesë.

Kjo mendësi, e shprehur përmes personazhit të Nikos dhe e komentuar nga autori, përbën një nga çelësat filozofikë të romanit. Ajo vë në pikëpyetje mënyrën tonë të zakonshme të të kuptuarit të lindjes. Ne priremi ta konsiderojmë lindjen si një ngjarje të caktuar, të shënuar në një datë dhe në një vend.

Por, a jemi vërtet të përfunduar së linduri në çastin kur vijmë në jetë? A nuk vazhdojmë të lindim përmes takimeve, sprovave, dashurive, zhgënjimeve, humbjeve dhe zbulimeve?

Çdo përvojë i shton diçka qenies sonë. Disa përvoja na ndërtojnë, të tjera na shpërbëjnë. Disa na afrojnë me vetveten, ndërsa të tjera na largojnë nga ajo që mendonim se ishim.

Në njëfarë mënyre, ne jemi qenie të papërfunduara. Brenda vetes mbartim disa mosha: atë të fëmijërisë, të plagëve, të ëndrrave dhe të shpresave tona. E ndoshta gjithë jetën përpiqemi të bashkojmë copëzat e shpërndara të identitetit tonë.

Ky reflektim e tejkalon shumë fatin e Nikos. Ai i përket secilit prej nesh. Sepse të jetosh ndoshta nuk do të thotë vetëm të ecësh përpara në kohë. Do të thotë edhe të mësosh, ngadalë, që të bëhesh ai apo ajo që ende nuk ishe.

Një roman që nuk jep përgjigje të lehta.

Letërsia bashkëkohore nuk ka nevojë për personazhe të pagabueshme apo për përfundime qetësuese që të prekë lexuesin. Ajo ka nevojë për të vërtetën njerëzore. Dhe pikërisht këtë kërkon TEUTANA: jo të imponojë një moral përfundimtar, por të hapë një hapësirë reflektimi.

Romani trajton tema të ndjeshme, ndonjëherë shqetësuese, pa u përpjekur t’i mbyllë ato brenda gjykimeve të thjeshtësuara. Ai na përball me pyetje të cilave jo gjithmonë mund t’u japim përgjigje të kënaqshme.

A mund të duash pa zotëruar? A mund të falësh pa harruar? Deri ku mund të shkosh në emër të dëshirës? A është besnikëria vetëm një premtim që i bëhet tjetrit, apo përbën edhe një angazhim ndaj vetvetes? A jemi përgjegjës për të gjitha pasojat e zgjedhjeve tona? Dhe, mbi të gjitha, a i njohim vërtet ata që duam, apo njohim vetëm imazhin që kemi krijuar për ta?

Këto pyetje i japin rrëfimit një përmasë që tejkalon kënaqësinë e thjeshtë të leximit. Ato e bëjnë TEUTANA-n një libër për të cilin mund të diskutohet, të kundërshtohet, të interpretohet dhe të rilexohet.

Nga letërsia shqiptare drejt hapësirës frankofone.

Botimi i romanit TEUTANA në gjuhën frënge, më 26 gusht 2026, nga shtëpia botuese Libres d’écrire, shënon një etapë të rëndësishme në rrugëtimin letrar të kësaj vepre. I përkthyer nga shqipja prej përkthyesit Gjergj Dodaj, romani tashmë kapërcen kufijtë e gjuhës dhe të vendit ku është krijuar, për të hapur dyert drejt një hapësire të re leximi dhe komunikimi kulturor.

Ky kalim nga një gjuhë në tjetrën nuk është thjesht një proces gjuhësor. Ai përfaqëson një takim ndërmjet dy hapësirave kulturore, dy ndjeshmërive dhe dy traditave letrare. Nëpërmjet përkthimit, një vepër e lindur në universin kulturor shqiptar fiton mundësinë të hyjë në dialog me lexuesin frankofon, duke ruajtur njëkohësisht identitetin, frymën dhe veçantinë e saj.

Pikërisht këtu qëndron një nga aftësitë më të jashtëzakonshme të letërsisë: të shndërrojë një përvojë individuale e të rrënjosur në një realitet të caktuar, në një emocion që mund të përjetohet dhe të ndahet përtej çdo kufiri.

Një personazh mund të jetojë në një vend të caktuar, të flasë një gjuhë dhe t’i përkasë një kulture të veçantë, por pyetjet njerëzore që ngre mund të prekin edhe një lexues mijëra kilometra larg.

Xhelozia, vetmia, dëshira, ndjenja e fajit, dashuria dhe kërkimi i vetvetes janë përvoja që nuk njohin kufij gjeografikë apo gjuhësorë. Ato i përkasin përvojës së përbashkët njerëzore. Pikërisht në këtë universalitet qëndron një nga forcat më të mëdha të letërsisë.

Në këtë kuptim, përkthimi nuk është vetëm bartje e fjalës, por edhe përcjellje e shpirtit të saj. Përkthyesi bëhet ndërmjetësi i këtij takimi, duke kërkuar në gjuhën pritëse jo vetëm fjalën e saktë, por edhe ritmin, ngjyrimin emocional dhe kuptimin e fshehtë që autori ka vendosur në tekst.

Kështu, TEUTANA nis një jetë të re në gjuhën frënge. Ajo nuk e braktis vendin ku lindi, por merr me vete një pjesë të kulturës, të ndjeshmërisë dhe të përvojës njerëzore që e kanë formësuar.

Sepse letërsia nuk i përket vetëm gjuhës në të cilën shkruhet. Ajo i përket edhe çdo lexuesi që, në një gjuhë tjetër, arrin të gjejë diçka nga vetja në faqet e saj.

Një pritje premtuese në hapësirën frankofone.

Kontaktet e para të TEUTANA-s me mjedisin letrar frankofon kanë nisur përmes personaliteteve të spikatura të kulturës dhe artit, ndër të cilët edhe Philippe Preux, i diplomuar në filologji romane, ish-themelues dhe drejtues i Festivalit të Filmit Mesdhetar në Bruksel (Cinéma Méditerranéen de Bruxelles), autor i disa botimeve letrare dhe realizues i projekteve në fushën e kinematografisë.

Gjatë veprimtarisë promovuese të organizuar më 9 tetor 2026 në Press Club Brussels Europe, me rastin e botimit të romanit TEUTANA në gjuhën frënge, Philippe Preux shprehu vlerësime të larta si për vlerat letrare të romanit, ashtu edhe për nivelin profesional të përkthimit. Madje, duke iu referuar punës së përkthyesit, ai bëri një deklaratë publike domethënëse: «Përkthyesi do të bëhet i famshëm», duke e cilësuar atë, në një kuptim simbolik, si kumbarin që do ta shoqërojë TEUTANA-n në takimin e saj me lexuesin frankofon.

Alfred Duka: një ftesë për ta parë njeriun ndryshe.

Me TEUTANA-n, Alfred Duka sjell një vepër ambicioze, të dendur dhe kërkuese, e cila merr përsipër rrezikun për të eksploruar territoret e ndjeshme të ekzistencës.

Romani i tij nuk kërkon t’i bëjë lajka lexuesit. Ai e fton të shohë përtej pamjes së jashtme, të kapërcejë gjykimet e menjëhershme dhe të guxojë të hyjë në kundërthëniet e qenies njerëzore.

Ai na kujton se pas çdo sjelljeje mund të fshihet një plagë, pas çdo heshtjeje një histori dhe pas çdo bindjeje një brishtësi që ne parapëlqejmë të mos e shohim.

Ndoshta pikërisht këtu qëndron synimi i vërtetë i këtij libri: të na bëjë të kuptojmë se qenia njerëzore është shumë më e gjerë, më misterioze dhe më kundërthënëse sesa përkufizimet që i vëmë.

Kështu, TEUTANA është një roman për dashurinë, por edhe për atë që i kundërvihet asaj; një roman për trupin, por edhe për ndërgjegjen; një roman për të tjerët, por mbi të gjitha për atë marrëdhënie shpesh të vështirë që secili prej nesh ndërton me vetveten.

Ai nuk i premton lexuesit një udhëtim të rehatshëm. I ofron diçka më të mirë: një udhëtim të brendshëm.

Liria për të qenë vetvetja përballë kushtëzimeve shoqërore dhe kulturore.

TEUTANA mbart gjithashtu një aspiratë më të thellë: atë të moslejimit të formësimit të verbër nga modelet që shoqëria dhe disa tradita kulturore përpiqen ndonjëherë t’ia imponojnë individit.

Sepse të lindësh brenda një kulture nuk duhet të nënkuptojë kurrë heqjen dorë nga liria për të menduar, për të ndier dhe për të zgjedhur. Kultura është kujtesë, trashëgimi, pasuri që na jep rrënjë, identitet; por ajo nuk duhet të shndërrohet në një burg që na pengon të rritemi ndryshe.

Përmes vështrimit të tij mbi marrëdhëniet njerëzore dhe kundërthëniet e ekzistencës, Alfred Duka duket se na fton të vëmë në pikëpyetje ato norma që ndonjëherë i pranojmë pa i shqyrtuar: konventat, paragjykimet, rolet e paracaktuara, ndalesat dhe pritshmëritë kolektive që pretendojnë të vendosin në vendin tonë se çfarë duhet të jemi.

Individi nuk duhet të detyrohet të sakrifikojë identitetin e tij për të fituar miratimin e njerëzve që e rrethojnë, as të heqë dorë nga liria e vet e brendshme për t’iu përshtatur një imazhi të pranueshëm nga shoqëria.

Ky vullnet për të kundërshtuar nuk përbën një mohim të kulturës apo të shoqërisë. Përkundrazi, është një ftesë për t’i zhvilluar ato, duke dalluar trashëgiminë që na pasuron nga kufizimet që na zvogëlojnë. Sepse liria e vërtetë nuk qëndron në të jetuarit kundër të tjerëve, por në të mos heqjes dorë nga vetvetja për t’u pëlqyer atyre.

Në mënyrë të tërthortë, TEUTANA na kujton kështu një të vërtetë themelore: ne nuk jemi të dënuar të përsërisim pafundësisht atë që brezat e mëparshëm kanë menduar, jetuar apo imponuar. Kemi të drejtë të vëmë në pikëpyetje, të zgjedhim, të rishpikim vetveten dhe, mbi të gjitha, të bëhemi plotësisht ata që jemi.

Një libër për t’u zbuluar, një përvojë për t’u ndarë me të tjerët.

Në një botë ku imazhet kalojnë më shpejt se mendimet dhe ku emocionet shpesh reduktohen në vetëm disa fjalë, të gjesh kohë për të lexuar një roman që vë në pikëpyetje thellësinë njerëzore përbën tashmë një formë qëndrese.

Të lexosh TEUTANA-n do të thotë të pranosh të ndalesh. Do të thotë të dëgjosh zërat e personazheve që nuk janë as krejtësisht të pafajshëm, as plotësisht fajtorë, e thënë ndryshe, fajtorë pa faj. Do të thotë të hysh në konfliktet e tyre, të ndjesh pasiguritë e tyre dhe, ndonjëherë me habi, të njohësh diçka nga vetja në dobësitë e tyre. Do të thotë gjithashtu të zbulosh një zë letrar që vjen nga kultura shqiptare dhe që zgjedh ta bëjë përvojën njerëzore territorin e tij kryesor të eksplorimit.

Njeriu nuk del domosdoshmërisht i pandryshuar nga një libër që e detyron të shohë në sy dilemat e përpëlitjet e dashurisë, plagët e kujtesës dhe enigmat e ekzistencës së vet.

Dhe ndoshta pikërisht për këtë arsye disa romane meritojnë të lexohen. Sepse ato nuk na japin vetëm një histori për ta mbajtur mend, por lënë me vete pyetje që vazhdojnë të na shoqërojnë.

TEUTANA, e Alfred Dukës, është një roman ku dashuria takohet me dhimbjen, ku kujtesa dialogon me fatin dhe ku qenia njerëzore vazhdon, pjesë-pjesë, lindjen e saj të papërfunduar.

TEUTANA, një libër për t’u zbuluar, një zë për t’u dëgjuar, një univers për t’u eksploruar, tashmë edhe në gjuhën frënge.

Autori është përkthyes në Bruksel, Belgjikë

Materialet e publikuara nga “Diaspora Shqiptare” janë të mbrojtura nga të drejtat e autorit. Rishpërndarja, riprodhimi, modifikimi apo përdorimi i tyre, i pjesshëm ose i plotë, pa lejen e shprehur të redaksisë, është i ndaluar dhe shkel ligjet mbi të drejtat e pronës intelektuale.