Brukseli hapi dyert për fjalën shqipe
“Ura e Kulturave”, një natë letrare që bashkoi autorë, studentë dhe dashamirës të librit
Nga Soni Memoci
Mbrëmë, Brukseli hapi me dashamirësi dyert për letërsinë shqipe. Në ambientet e Universitetit të Lirë të Brukselit (ULB), maratona poetike “Ura e Kulturave” mblodhi krijues dhe artdashës në një natë kushtuar poezisë, gjuhës dhe lidhjeve që ndërtohen përmes fjalës.
Në vazhdën e veprimtarive kushtuar gjuhës shqipe në diasporë, ky takim solli pranë njëri-tjetrit njerëz që shkruajnë, përkthejnë, lexojnë dhe punojnë që shqipja të ruhet e të pasurohet edhe larg vendlindjes.
Letërsia përtej kufijve
Mbi 40 poetë shqiptarë dhe belgë u bënë pjesë e aktivitetit, të shoqëruar nga një publik i shumtë. Mes të pranishmëve ishin profesorë, përfaqësues të ambasadave të Shqipërisë dhe Kosovës, studentë dhe dashamirës të librit.
Nga Belgjika, Shqipëria, Kosova, Greqia, Italia dhe vende të tjera të Evropës, pjesëmarrësit sollën përvoja të ndryshme krijuese. Për autorët shqiptarë që jetojnë në mërgim, shkrimi mbetet një lidhje e fortë me gjuhën dhe një mënyrë për t’i dhënë asaj hapësira të reja shprehjeje.
Takimi u dha vend si krijuesve me përvojë, ashtu edhe atyre që dëshirojnë të hedhin hapat e parë në letërsi. Dashuria për librin i bashkoi në një hapësirë ku fjala dëgjohej dhe krijimtaria vlerësohej.
Shqipja në zërin e studentëve
Një emocion të veçantë sollën studentët me recitimet e tyre. Të rinj të brezit të dytë, të rritur në diasporë, interpretuan me kujdes e ndjeshmëri tekste që kërkojnë njohje të gjuhës dhe kuptim të botës së autorit.
Poezia, qoftë në gjuhën standarde apo në dialekt, mbart ritëm, figura dhe nuanca që nuk janë gjithmonë të lehta për t’u përcjellë. Për të rinjtë që rriten mes disa gjuhëve, ky interpretim merr një domethënie të veçantë.
Bashkëpunimi mes autorëve dhe studentëve u pasqyrua në recitime të realizuara me përkushtim. Në zërat e tyre u ndie dashuria për shqipen dhe dëshira për ta mbajtur atë pjesë të gjallë të jetës së tyre.
Biseda me autorët dhe mikpritje shqiptare
Në përfundim të programit, dashamirësit e librit patën mundësi të bisedonin drejtpërdrejt me autorët dhe krijuesit e pranishëm. Ishte një çast i çmuar për të ndarë përshtypje mbi poezitë e dëgjuara, për të njohur më nga afër krijuesit dhe për të shkëmbyer mendime rreth letërsisë.
Bisedat vijuan gjatë një koktejli të pasur me ushqime shqiptare, të përgatitura dhe të ofruara me dashamirësi. Mikpritja shqiptare i dha natës një ngrohtësi të veçantë, duke i afruar edhe më shumë pjesëmarrësit.
Një falënderim dhe një dëshirë për vazhdimësi
Një falënderim i veçantë i takon grupit organizator: Leonora Canjës, Agron Sheles, Organizatës Studentore në Belgjikë “Vlera”, Arian Bajraktarit dhe të gjithë atyre që kontribuuan në realizimin e kësaj nate letrare. Mirënjohje edhe për moderatorët Rinor Shala, Denajda Bajraktari dhe Uliks Polloshka, studentët, autorët dhe publikun që e përjetoi me kaq dashamirësi këtë takim.
“Ura e Kulturave” e gjeti kuptimin e emrit të saj në lidhjet që krijoi mes kulturave, vendeve dhe brezave. Pjesëmarrja dhe pritja e ngrohtë ushqejnë shpresën që kjo nismë të bëhet traditë, duke e mbledhur sërish publikun në Bruksel rreth librit dhe fjalës shqipe.


















