Nga Baftjar Kondi
Unë nuk jetoj në Shqipëri. Jetoj në Montevarki, një qytet i vogël në kodrat e Chiantit, në Toskanë.
Zgjohem në mëngjes, shkoj në punë, paguaj taksat në Itali. Fëmijët e mi flasin italisht dhe, kur jemi në shtëpi, flasim gjuhën tonë.
Kthehem nga puna, hyj në shtëpi, hap telefonin dhe shoh Tiranën në flakë.
Shoh të rinjtë përpara ministrisë, shoh policinë me gaz lotsjellës dhe me shkopinj gome.
Djali im më pyet: “E pe çfarë po ndodh në Shqipëri?”
Dhe atëherë e kuptoj: unë nuk jetoj në Shqipëri, por Shqipëria nuk ka dalë kurrë nga unë.
Ne jemi ata që u larguam 36 vjet më parë. Valixhja jonë përmbante rrobat që kishim veshur dhe shpresën se një ditë do të ktheheshim, për të mos u larguar më.
U nisa drejt Italisë jo sepse nuk e doja atdheun tim, por për shkak të situatës së krijuar. Ishte e vetmja alternativë për të nisur një jetë të re, ndryshe nga ajo që kishim lënë pas.
U largova sepse nuk kishte punë, nuk kishte të ardhme.
Dhe gjithçka e ndërtuam këtu me duart tona, pa i kërkuar asgjë askujt.
Sot, kur shoh të rinjtë që protestojnë në Tiranë, shoh tek ata një pjesë të vetes sime. Janë fëmijët tanë, janë nipërit dhe mbesat tona.
Dhe mendoj se, pas 36 vjetësh, ata po protestojnë për të njëjtën arsye për të cilën u larguam ne. Protestojnë sepse duan një jetë normale, jo një jetë luksi.
Dikush na thotë: “Ju nuk jetoni në Shqipëri, ndaj mos flisni!”
Jo. Pikërisht sepse nuk jetojmë në Shqipëri, kemi detyrimin të flasim. Sepse këtu, në Evropë, kemi parë se si funksionon një shtet që respekton qytetarët e tij. Dhe të njëjtën gjë duam edhe për vendin tonë.
Unë nuk dua të kthehem në Shqipëri për të zënë një vend pune.
Dua të kthehem për t’i çuar fëmijët e mi në det dhe në malet tona, pa u ndier i turpëruar që ato vende janë shitur dhe nuk na përkasin më.
Dua të kthehem që të mund të them me zë të lartë: “Bravo, të rinj! Ia dolët!”
Prandaj, dua t’u them studentëve tanë në Tiranë: Ne jemi me ju! Nga fabrikat e Montevarkit, nga restorantet e Venecias dhe Padovës, nga kantieret e ndërtimit në Milano, Firence, Romë e Torino.
Nuk ju kemi harruar.
Ndërsa kryeministrit, që nuk tërhiqet, i them: Dëgjojini këta të rinj, sepse nëse edhe ata largohen, në Shqipëri nuk do të mbetet më askush për të qeverisur.
Unë nuk jetoj në Shqipëri, por Shqipëria jeton brenda meje.




