Lidhja me Shqipërinë nuk ndërpritet domosdoshmërisht me largimin jashtë vendit. Për akademikët shqiptarë në diasporë, ajo mund të marrë formën e një leksioni, të një kërkimi të përbashkët apo të një pune që ndihmon në përmirësimin e arsimit universitar në vend.
Kjo është ideja mbi të cilën u ndërtua Diaspora4Innovation, program i zbatuar nga GERMIN me mbështetjen e EU4Innovation, që synon të lidhë ekspertizën e diasporës me universitetet, sipërmarrësit dhe ekosistemin e inovacionit në Shqipëri.
Përmes bashkëpunimit mes akademikëve jashtë vendit dhe kolegëve të tyre në Shqipëri, programi krijoi mundësi për hartimin dhe zhvillimin e përbashkët të lëndëve universitare, përfshirjen e metodave praktike të mësimdhënies dhe forcimin e lidhjeve me rrjetet ndërkombëtare të kërkimit. Synimi është që këto marrëdhënie të mos përfundojnë me një projekt, por të shërbejnë si pikënisje për bashkëpunime të reja.
Një prej këtyre përvojave është ajo e Ernil Sabajt, Asistent Profesor në Universitetin e Warwick-ut në Mbretërinë e Bashkuar, i cili u angazhua me Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës për rishikimin dhe zhvillimin e kursit të Ekonomiksit të Mjedisit. Në bashkëpunim me Dr. Ledjon Shahinin, ai solli në auditor studime empirike, të dhëna ndërkombëtare dhe qasje që i ndihmojnë studentët të lidhin teorinë ekonomike me sfidat konkrete të mjedisit, politikat publike dhe inovacionin.
Angazhimi i tij nuk u kufizua te leksionet e zhvilluara në auditor. Shkëmbimi me kolegët e Universitetit të Warwick-ut hapi rrugë për diskutime dhe nisma të tjera akademike, përfshirë mundësi për mësimdhënie dhe kërkim të përbashkët. Është pikërisht kjo vazhdimësi që e bën bashkëpunimin me diasporën më shumë se një shkëmbim të përkohshëm përvojash.
Në këtë intervistë, Sabaj flet për angazhimin në programin Diaspora4Inovation, përvojën e këtij bashkëpunimi, për mënyrën si mund të pasurohet formimi i studentëve shqiptarë dhe për rëndësinë që lidhjet mes akademikëve në Shqipëri dhe atyre në diasporë të mos mbeten nisma të izoluara, por të vazhdojnë përtej një projekti të vetëm.
*Përmes një cikli intervistash, Gazeta Diaspora Shqiptare do të sjell profilet e akademikëve shqiptarë të përfshirë në Diaspora4Innovation, një program i zbatuar nga Germin me mbështetjen e programit EU4Innovation duke u ndalur te rrugëtimet e tyre profesionale, përvojat ndërkombëtare dhe kontributi që mund të japin në zhvillimin e arsimit dhe kërkimit shkencor në vend.
Si nisi rrugëtimi juaj drejt ekonomisë dhe çfarë ju orientoi më pas drejt akademisë dhe kërkimit? Kur e kuptuat se kjo ishte rruga profesionale që dëshironit të ndiqnit?

Studimet në Ekonomiks i nisa në Universitetin e Tiranës, ku më pas kreva edhe masterin në Studime Ekonomike Europiane. Krahas mësimdhënies me kohë të pjesshme, punova si ekonomist në Departamentin e Makroekonomisë në Ministrinë e Financave. Kjo më dha mundësinë të merresha me analizë ekonomike në një institucion publik dhe të mbaja lidhjen me universitetin.
Më pas vazhdova me masterin ndërkombëtar Erasmus Mundus dhe ndoqa doktoratën në Ekonomiks në Universitetin e Exeter-it, ku u përqendrova në makroekonomi. Në vitin 2021 nisa punën në Departamentin e Ekonomiksit të Universitetit të Warwick-ut si Teaching Fellow, duke vijuar angazhimin në mësimdhënie dhe kërkim.
Te ekonomia më tërheqin pyetje që lidhen drejtpërdrejt me jetën e njerëzve: pse ndryshojnë çmimet, çfarë ndikon te punësimi dhe si i prekin vendimet ekonomike familjet dhe bizneset. Në akademi kam mundësinë t’i studioj këto pyetje në thellësi dhe t’i diskutoj me studentët. Kjo ndërthurje e kërkimit me mësimdhënien më tërhoqi drejt kësaj rruge profesionale.
Sot jeni Assistant Professor në University of Warwick. Çfarë do të thotë për ju të punoni dhe të zhvilloni kërkimin në një universitet me një profil kaq të fortë ndërkombëtar? Dhe cilat kanë qenë disa nga etapat më të rëndësishme që ju kanë çuar deri aty?
Sot punoj si Assistant Professor (Teaching Focused) në makroekonomi, në Departamentin e Ekonomiksit të Universitetit të Warwick-ut. Është një përvojë e mrekullueshme të punosh me ekonomistë që kanë dhënë kontribute të rëndësishme shkencore dhe të kesh mundësinë të diskutosh me ta idetë e tua. Vlerësoj veçanërisht atë që mësoj nga mënyra si i trajtojnë pyetjet kërkimore dhe nga komentet e tyre mbi punën time.
Formimi në Tiranë, masteri Erasmus Mundus dhe doktorata në Exeter më kanë dhënë përvojë në mjedise akademike të ndryshme. Në Warwick, ku punoj me shumë studentë ndërkombëtarë, kjo më ndihmon të kuptoj mënyrat e tyre të të mësuarit dhe pritshmëritë që kanë nga pedagogu. Puna si ekonomist në Ministrinë e Financave më ka ndihmuar gjithashtu të kuptoj më nga afër si zbatohet politika ekonomike në praktikë.
Pozicioni im ka një fokus të veçantë te mësimdhënia. Krahas punimeve kërkimore, më intereson si ua shpjegoj konceptet studentëve dhe si i ndihmoj të punojnë në mënyrë të pavarur me pyetjet e tyre kërkimore. Përpiqem që atë që mësoj nga kërkimi dhe nga diskutimet me kolegët ta sjell edhe në auditor.
Puna juaj lidhet me makroekonominë dhe ekonominë ndërkombëtare. Çfarë çështjesh ekonomike ju interesojnë më shumë në kërkimin tuaj dhe si ka evoluar interesi juaj akademik ndër vite?
Në qendër të kërkimit tim janë politika fiskale dhe monetare dhe mënyra si efektet e tyre varen nga kushtet në ekonomi. Më intereson, për shembull, nëse një rritje e shpenzimeve publike ka të njëjtin ndikim kur inflacioni është i ulët dhe kur është i lartë, ose si ndryshon transmetimi i politikës monetare kur firmat dhe familjet përballen me kufizime financiare.
Studioj gjithashtu dallimet ndërmjet sektorëve: si përshtaten pagat dhe çmimet, si lëvizin punonjësit dhe çfarë nënkuptojnë këto dallime për reagimin e ekonomisë ndaj goditjeve. Për këto pyetje përdor modele makroekonomike dhe analizë të të dhënave.
Me kalimin e kohës, më ka tërhequr gjithnjë e më shumë ndërveprimi midis ekonomiksit të mjedisit dhe makroekonomisë. Çfarë i nxit ose i pengon firmat të ndërmarrin investime të gjelbra dhe të përdorin teknologji më të pastra? Këtu më intereson roli i financimit, aftësive të punonjësve dhe pasigurisë për të ardhmen, si dhe mënyra si politikat mjedisore ndërthuren me kushtet makroekonomike. Shqyrtoj edhe se si këto vendime të firmave ndikojnë më gjerë në prodhim, punësim dhe produktivitet.
Interesat e mia përfshijnë edhe lidhjen midis rreziqeve klimatike dhe qëndrueshmërisë së borxhit publik. Këtë këndvështrim kam dashur ta sjell edhe në lëndën e Ekonomiksit të Mjedisit, duke i trajtuar çështjet mjedisore së bashku me vendimet për prodhim, investim dhe financim.
Le të flasim për Diaspora4Innovation. Çfarë ju tërhoqi te ky program dhe çfarë ju bëri të mendonit se ishte një mundësi konkrete për të sjellë eksperiencën tuaj akademike në Shqipëri?

Më tërhoqi fakti që programi ofronte një mënyrë konkrete për të punuar me kolegët në Shqipëri. Nëpërmjet Diaspora4Innovation të GERMIN, bashkëpunova me Ledjon Shahinin dhe kolegët e Fakultetit të Ekonomisë të Universitetit të Tiranës për një lëndë ku përvoja ime në mësimdhënie dhe kërkim mund të ishte e dobishme.
Në atë fakultet kam studiuar dhe kam dhënë mësim, ndaj rikthimi atje kishte edhe një kuptim personal. Edhe pse punoj jashtë, dua të mbetem i lidhur me Shqipërinë, duke qenë pjesë aktive e jetës së saj akademike dhe duke punuar me kolegët e studentët atje.
Nuk e shoh angazhimin vetëm si transferim të përvojës nga jashtë. Kam edhe unë çfarë të mësoj nga kolegët në Tiranë, të cilët njohin mirë studentët dhe nevojat e lëndës. Duke punuar së bashku, mund ta përshtatim përvojën që sjell secili me atë që kërkohet në auditor.
Në bashkëpunim me Dr. Ledjon Shahinin, ju rishikuat dhe bashkëzhvilluat kursin e Ekonomisë së Mjedisit. Çfarë ndryshuat konkretisht në kurs dhe cilat ishin temat apo qasjet e reja që menduat se ishin më të rëndësishme për studentët shqiptarë?
Me Ledjon Shahinin punuam për përmirësimin e kurrikulës ekzistuese të Ekonomiksit të Mjedisit, duke shtuar tema me interes për studentët, studime empirike dhe një këndvështrim më të gjerë europian. Zgjeruam trajtimin e çmimit të karbonit dhe të tregtimit të lejeve të emetimit, si dhe të lidhjes së tyre me investimet dhe inovacionin. Përfshimë gjithashtu materiale mbi ekonominë qarkulluese, të gjelbër dhe blu, të lidhura me çështjet e zhvillimit ekonomik.
U përpoqëm t’i trajtonim temat më në detaje, duke u ndalur te të dhënat dhe te rezultatet e studimeve, siç bëj edhe në Warwick. Përdorëm grafikë dhe shembuj europianë e shqiptarë për të diskutuar çfarë tregonin rezultatet dhe si mund të interpretoheshin në kushtet e Shqipërisë.
Nga marsi në maj 2025 zhvillova tri leksione: mbi taksat mjedisore; të drejtat pronësore dhe lejet e tregtueshme të ndotjes; dhe lidhjen ndërmjet mjedisit e zhvillimit, përfshirë ekonominë qarkulluese, të gjelbër dhe blu. Përgatitëm edhe prezantime dhe përmbledhje në shqip, që studentët të mund t’u riktheheshin temave pas leksioneve.
Donim që studentët ta kuptonin përdorimin praktik të lëndës dhe të mendonin përtej tekstit bazë. Si mund të kthehet një problem mjedisor në një pyetje kërkimore, një ide për inovacion apo një mundësi sipërmarrjeje? Synonim t’i nxitnim të përdornin njohuritë e marra për të menduar për zgjidhje të reja dhe për kontributin që mund të jepnin në ekonominë shqiptare.
Në program u përfshinë tema si carbon pricing, emissions trading systems dhe circular economy. Pse janë këto koncepte të rëndësishme për studentët e ekonomisë sot dhe sa të aplikueshme janë ato në kontekstin shqiptar?
I shoh këto tema si pjesë të përgatitjes për ekonominë e së ardhmes. Dua që studentët të jenë në gjendje të analizojnë ndryshimet në teknologji dhe në përdorimin e burimeve, qoftë si ekonomistë, qoftë si sipërmarrës.
Në leksione, çmimin e karbonit dhe tregtimin e lejeve i përdorëm për të shqyrtuar nxitjet dhe kostot e firmave. Për ekonominë qarkulluese diskutuam mënyrën si projektohen, përdoren, riparohen dhe ripërdoren produktet e materialet. Këto tema i lidhëm me vendimet për teknologjinë, investimet dhe organizimin e një biznesi.
Për Shqipërinë, do të doja që këto njohuri të hynin më herët në formimin e studentëve dhe në mënyrën si mendohet për biznesin. Sa më herët t’i kuptojmë këto procese, aq më mirë mund të përgatitemi për të ndihmuar kalimin drejt teknologjive më të pastra dhe përdorimit më efikas të burimeve. Do të doja që ky formim të kontribuonte edhe në përshpejtimin e tranzicionit të ekonomisë shqiptare.
Një student që nesër mund të hapë një start-up duhet të dijë çfarë problemi zgjidh ideja e tij, sa kushton zbatimi i saj dhe çfarë teknologjie kërkon. Po aq e rëndësishme është të dijë si ta matë rezultatin. Në këtë mënyrë, mund të vlerësojë mundësitë dhe rreziqet përpara se të marrë një vendim, pa u mbështetur thjesht te etiketa “e gjelbër”.
Një pjesë interesante e projektit ishte përdorimi i të dhënave reale nga institucionet e BE-së dhe organizatat ndërkombëtare. Çfarë donit t’u mësonit studentëve përmes këtij ushtrimi: të kuptonin më mirë teorinë apo të mësonin si përdoret ekonomia për të analizuar probleme konkrete të politikave publike?
Donim t’i lidhnim të dyja dhe t’i afronim studentët edhe me kërkimin shkencor. Nuk doja t’u paraqisja të dhëna bashkë me një interpretim të gatshëm. Ata duhej të provonin t’i interpretonin vetë dhe të mendonin çfarë pyetjesh të reja mund të ngrinin prej tyre.
Përdorëm burime si Eurostat-i, OECD-ja, Banka Botërore dhe FMN-ja, krahas burimeve shqiptare. Në leksione paraqitëm, për shembull, të dhëna mbi çmimet e karbonit, të ardhurat nga taksat mjedisore dhe përdorimin e materialeve.
Doja që studentët të pyesnin çfarë mat një tregues, nga vijnë të dhënat dhe nëse krahasimi që po bëjmë është i përshtatshëm. A mjafton një grafik për të mbështetur përfundimin tonë? Çfarë informacioni tjetër na duhet? Duhej të dallonin një lidhje të vëzhguar nga një shpjegim shkakësor dhe një rezultat të matur nga një skenar i prodhuar prej një modeli.
Për inovacionin, më interesonte që studentët të përdornin të dhënat për të identifikuar një problem dhe për të shqyrtuar një zgjidhje. Një ide kërkimore apo biznesi mund të nisë nga një vëzhgim, por më pas duhet hetuar dhe vënë në provë. Kjo ishte aftësia që doja të zhvillonin: të përdornin të dhënat për të arsyetuar dhe për të vlerësuar idetë e tyre.
Gjatë këtij procesi, a pati ndonjë reagim, pyetje apo diskutim nga studentët që ju bëri të kuptonit se mënyra praktike e mësimdhënies po funksiononte ndryshe nga një kurs tradicional?
Te studentët e këtij kursi gjeta shumë kureshtje dhe etje për dije, sidomos kur flisnim për Shqipërinë dhe për probleme që i njihnin nga jeta e përditshme. Megjithatë, vura re se disa prej tyre e merrnin si të mirëqenë atë që thoshte pedagogu, pa e vënë gjithmonë në diskutim argumentin apo interpretimin.
Ndonjëherë përqendroheshin te kuptimi i përfundimit që po shpjegoja, më pak te pyetja se mbi çfarë mbështetej ai. Doja t’i ndihmoja të ndiheshin të lirë të kërkonin shpjegime, të propozonin një interpretim tjetër dhe të pyesnin nëse rezultati do të vlente edhe në rrethana të ndryshme.
Këtë kam parasysh me skepticizëm të shëndetshëm shkencor: të shqyrtosh burimin e një të dhëne, supozimet e një teorie dhe provat pas një përfundimi. Nuk do të thotë të mos i besosh asgjëje. Edhe shpjegimi im duhet të mbështetet në argumente; nuk mjafton që e them unë si pedagog.
Kureshtjen e studentëve e pashë si një pikënisje të mirë për këtë punë. Doja t’i ndihmoja të formonin gjykimin e tyre dhe të dinin ta mbështesnin me argumente.
Një tjetër komponent ishte vizita e Ledjon Shahinit në Universitetin e Warwick-ut, e cila kontribuoi edhe në zhvillimin e mëtejshëm të kurrikulës në Universitetin e Tiranës. Çfarë solli kjo vizitë dhe çfarë mund të mësojë një universitet shqiptar nga mënyra se si organizohet mësimdhënia dhe kërkimi në një universitet si Warwick?
Gjatë vizitës së Ledjon Shahinit në Warwick patëm mundësi ta diskutonim bashkëpunimin me Bhaskar Chakravorty, Eleanya Nduka dhe Juliana Carneiro. Ata shprehën gatishmërinë për të kontribuar në mësimdhënie në Tiranë, krahas meje. Ky interes shkonte përtej aplikimit Jean Monnet.
Vizita përfshiu edhe një takim me drejtuesin e Departamentit të Ekonomiksit në Warwick. Ai foli për qasjen e tij në drejtimin e një departamenti të madh dhe për sfidat e kësaj pune. Diskutuam çfarë mund të përfitonte Universiteti i Tiranës, dhe më gjerë akademia shqiptare, nga përvoja britanike në organizimin e kërkimit dhe të mësimdhënies.
Do të doja ta vazhdonim këtë bisedë edhe për kushtet e punës akademike: hapësirën që u krijohet pedagogëve për kërkim, lidhjen e tij me mësimdhënien dhe mbështetjen që u jepet studentëve për të punuar në mënyrë të pavarur.
Universiteti i Tiranës ka burimet dhe nevojat e veta. Vlera e shkëmbimit është të kuptojmë cilat praktika mund të përshtaten atje dhe si mund ta mbështesim punën e kolegëve. Takimet në Warwick na dhanë mundësinë t’i diskutonim këto çështje drejtpërdrejt.
Pas këtij bashkëpunimi janë parashikuar bashkëmësimdhënie dhe kërkime të përbashkëta, ndërsa është dorëzuar edhe një aplikim për Jean Monnet Chair. Çfarë do të donit të mbetej afatgjatë nga Diaspora4Innovation dhe cili do të ishte për ju modeli ideal i bashkëpunimit mes akademikëve shqiptarë në diasporë dhe universiteteve në Shqipëri?
Aplikimi CATCH-EU, “Catching Up with the EU: A Development Economics Perspective for Albania”, që përgatitëm dhe dorëzuam me Ledjon Shahinin, ishte një nga hapat e këtij bashkëpunimi. Përmes tij synuam ta zgjeronim punën e nisur në Diaspora4Innovation në një program më të gjerë mësimor.
Për vitin e ardhshëm kemi në plan të aplikojmë sërish me një projekt tjetër ose të përgatisim aplikime për fonde Erasmus+, me qëllim që të mundësojmë më shumë shkëmbime akademike. Dëshirojmë të krijojmë mundësi të tjera për mësimdhënie dhe punë të përbashkët kërkimore.
Do të doja që nga ky program të mbetej një bashkëpunim i rregullt. Materialet mësimore të vazhdojnë të përdoren e të përditësohen dhe kolegët që u njohën përmes projektit të kenë mundësi të punojnë sërish bashkë. Vazhdimësia nuk duhet të mbështetet vetëm te një vizitë apo një aplikim.
Për këtë duhen nevoja dhe interesa të përcaktuara së bashku, ndarje e qartë e punës dhe mbështetje institucionale. Do të doja që akademikët shqiptarë jashtë vendit të mund të mbeteshin pjesë aktive e jetës universitare në Shqipëri, duke punuar rregullisht me kolegët e tyre, jo vetëm duke ardhur herë pas here për një leksion.



