Në konkurrimin zyrtar të Festivalit të Filmit Shqiptar kategoria Vepër e parë është “Burri i Shtëpisë”, debutimi në filmin artistik të metrazhit të gjatë i regjisorit, skenaristit dhe producentit Andamion Murataj. Filmi vendos në qendër një histori ku identiteti, familja dhe rolet gjinore përplasen me një nevojë shumë konkrete: atë për të qenë pranë dikujt që ka nevojë për ty.
Personazhi kryesor, Fran, ka lindur femër, por ka zgjedhur ta jetojë jetën si burrneshë. Ky pozicion nuk është thjesht një mënyrë jetese, por një identitet i ndërtuar ndër vite dhe një status që ajo ka vendosur ta mbrojë.
Situata ndryshon kur mbesa e saj ka nevojë për të. Përballë kësaj përgjegjësie, Fran gjendet përballë një zgjedhjeje personale: të ruajë statusin dhe jetën që ka ndërtuar, apo të përballet me ndjenjat mëmësore që i ka mbajtur të shtypura për një kohë të gjatë.
Filmi e zhvillon konfliktin e saj jo vetëm rreth pyetjes se çfarë duhet të bëjë, por edhe rreth asaj se çfarë është e gatshme të humbasë për të mbajtur pranë vetes një fëmijë. Në fund, dilema shkon edhe më tej: ta mbajë mbesën pranë vetes apo t’i japë asaj mundësinë të ndërtojë jetën e saj.
“Burri i Shtëpisë” e vendos kështu historinë e një personazhi të rrënjosur në traditën shqiptare përballë një konflikti intim dhe universal, ku familja, përgjegjësia dhe identiteti nuk japin përgjigje të thjeshta.
Mbi Andamion Murataj
Andamion Murataj është skenarist, regjisor dhe producent që punon mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara. Me formim në artet vizuale, ai ndërton në veprat e tij histori të lidhura me personazhe dhe ngjarje me karakter të fortë kulturor, të trajtuara përmes një gjuhe vizuale bashkëkohore.
Në vitin 2010 themeloi në Shqipëri shtëpinë filmike Lissus Media. Një prej pikave të rëndësishme të karrierës së tij erdhi me filmin “Falja e Gjakut”, të realizuar në bashkëpunim me regjisorin Joshua Marston, ku Murataj ishte bashkë-skenarist dhe bashkë-producent. Filmi u nderua me Ariun e Argjendtë për Skenarin më të Mirë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Berlin në vitin 2011.
Pas këtij projekti, Murataj ka vijuar aktivitetin me filma të shkurtër dhe dokumentarë, përpara debutimit të tij si regjisor i një filmi artistik të metrazhit të gjatë me “Burri i Shtëpisë”.
Filmi pati premierën botërore në Festivalin e Filmit në Sarajevë në vitin 2025 dhe më pas u prezantua në disa festivale evropiane. Në Bif&st 2025, ai u vlerësua me çmimin special për aktoren më të mirë.
Përtej punës si kineast, Murataj është ndër themeluesit dhe drejtorët artistikë të Balkan Film Market dhe Albascript Workshops, iniciativa që synojnë zhvillimin e skenarëve dhe bashkëpunimin mes profesionistëve të industrisë së filmit përtej kufijve.
Ai është gjithashtu pjesë e jurive të festivaleve ndërkombëtare të filmit në Evropë dhe ka një Master të Arteve të Bukura (MFA) në Film dhe Media Elektronike nga American University në Washington, D.C.



