Lehtësimi dhe modernizimi i shërbimeve konsullore, vijimi i reformës së Shërbimit të Jashtëm dhe angazhimi diplomatik në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian ishin ndër prioritetet e artikuluara nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, gjatë Seminarit të Qeverisë në Pogradec.
Në një postim në rrjetin social X, Hoxha e cilësoi seminarin si një mundësi për të analizuar më në detaje punën e qeverisë dhe për të përcaktuar prioritetet deri në fund të vitit, përfshirë edhe në politikën e jashtme.
Sipas ministrit, procesi i anëtarësimit në BE mbetet objektivi kryesor, ndërsa vijimi i tij kërkon rritje të ritmit, fokus dhe angazhim të plotë diplomatik.
Një tjetër drejtim i politikës së jashtme do të jetë forcimi i bashkëpunimit rajonal, me synimin për një Ballkan Perëndimor më të stabilizuar, më të ndërlidhur dhe më pranë Evropës.
Në mënyrë të veçantë, Hoxha njoftoi për vijimin e punës për modernizimin dhe thjeshtimin e shërbimeve konsullore, të cilat synohet të jenë më të shpejta, më të aksesueshme dhe më të orientuara ndaj qytetarit. Ky është një aspekt me rëndësi të drejtpërdrejtë për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit dhe që përdorin shërbimet e përfaqësive diplomatike dhe konsullore shqiptare.
Ministri bëri të ditur gjithashtu se në fokus do të jetë reformimi i mëtejshëm i Shërbimit të Jashtëm, me synimin për një diplomaci moderne, profesionale dhe meritokratike.
Në këtë kuadër, sipas Hoxhës, diplomacia shqiptare synon të ketë një rol më aktiv në promovimin e imazhit të vendit, projektimin e tij kulturor e shoqëror, forcimin e lidhjeve me ekonominë dhe tregtinë, si dhe krijimin e partneriteteve dhe mundësive të reja.
“Më shumë rezultate konkrete për Shqipërinë dhe qytetarët shqiptarë” është një prej objektivave të vendosur nga ministri për periudhën në vijim.




