American Albanian Law Enforcement Association (AALEA) ka dhuruar 15 mijë dollarë për familjen e efektivit të Policisë së Shtetit shqiptar, Enea Mekolli, duke shprehur solidaritetin dhe mbështetjen e komunitetit shqiptar të uniformave në SHBA dhe Kanada për familjet e atyre që humbin jetën në krye të detyrës.
Në njoftimin e AALEA theksohet se kjo mbështetje është një shenjë respekti për sakrificën e efektivit Mekolli dhe një dëshmi se komuniteti ndërkombëtar i zbatimit të ligjit qëndron pranë familjeve të heronjve të rënë.
“Një distinktiv policie përfaqëson më shumë se një profesion – ai është një betim solemn për të mbrojtur të tjerët, shpesh me koston më të madhe personale. Kur një efektiv humbet jetën, e gjithë familja e policisë mban zi. Në këtë vëllazëri shërbimi nuk ka kufij”, thuhet në deklaratën e organizatës.
Në emër të më shumë se 1 500 profesionistëve dhe mbështetësve shqiptaro-amerikanë të zbatimit të ligjit në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada, AALEA shprehu ngushëllimet më të thella për familjen Mekolli, Policinë e Shtetit dhe qytetarët shqiptarë.
Kryetari dhe themeluesi i AALEA, Elton Shametaj, u shpreh se asnjë shumë parash nuk mund të zëvendësojë humbjen e një bashkëshorti, babai, djali, vëllai apo kolegu, por kjo ndihmë synon t’i kujtojë familjes Mekolli se nuk është vetëm në këtë dhimbje.
“Efektivi Enea Mekolli dha jetën në shërbim të vendit të tij. Guximi, përkushtimi dhe sakrifica e tij nuk do të harrohen kurrë. Shpresojmë që ky kontribut t’i kujtojë familjes së tij se komuniteti shqiptaro-amerikan i zbatimit të ligjit qëndron pranë tyre sot, nesër dhe gjithmonë”, deklaroi Shametaj.
AALEA nënvizon se ky kontribut nuk është vetëm një ndihmë financiare, por një simbol i solidaritetit dhe lidhjes së fortë mes profesionistëve të sigurisë në mbarë botën. Organizata ka deklaruar se do të vijojë të mbështesë Policinë e Shtetit shqiptar përmes ndihmave humanitare, programeve për mirëqenien e efektivëve, trajnimeve profesionale dhe sigurimit të pajisjeve që rrisin sigurinë e punonjësve të policisë.
“Emri, shërbimi dhe sakrifica e efektivit Enea Mekolli do të mbeten gjithmonë të nderuara”, thuhet në mesazhin e AALEA, e cila siguroi familjen Mekolli se humbja e tyre ndahet nga një familje globale e punonjësve të zbatimit të ligjit.




