Nga Soni Memoci
Me rastin e 70-vjetorit të emigracionit shqiptar në Belgjikë dhe Festës së Muzikës, Komuna e Evere-s organizoi një aktivitet të veçantë kulturor që solli së bashku qytetarë, përfaqësues institucionalë dhe anëtarë të komunitetit shqiptar në një atmosferë festive dhe plot krenari.
Ngjarja u realizua me iniciativën e zëvendëskryetares së Komunës së Evere-s, Habibe Duraki, dhe me mbështetjen e kryetarit të komunës, Alessandro Zappala, si dhe të autoriteteve komunale lokale. Aktiviteti kishte për qëllim të nderonte kontributin e brezave të shqiptarëve që, përgjatë shtatë dekadave, kanë ndërtuar jetën e tyre në Belgjikë duke kontribuar në zhvillimin ekonomik, social dhe kulturor të vendit.
Mes të ftuarve të nderit ishte edhe z. Amet Gjana, personalitet i respektuar i komunitetit shqiptar, prania e të cilit i dha një vlerë të veçantë kësaj ngjarjeje përkujtimore.
Pika kulmore e programit ishte performanca artistike e Ansamblit Profesional të Valleve “Emin Duraku” nga Shkupi, i cili solli para publikut një spektakël autentik të folklorit shqiptar. Përmes valleve tradicionale, kostumeve kombëtare dhe interpretimit profesional, artistët përcollën pasurinë shpirtërore dhe kulturore të kombit shqiptar, duke fituar duartrokitjet dhe vlerësimin e të gjithë të pranishmëve.
Pjesëmarrja e madhe e komunitetit shqiptar në Evere dëshmoi edhe një herë lidhjen e fortë me identitetin kombëtar, traditat dhe trashëgiminë kulturore. Ky aktivitet shërbeu si një urë lidhëse ndërmjet brezave, duke rikujtuar historinë e emigracionit shqiptar në Belgjikë dhe duke promovuar vlerat e integrimit, respektit dhe bashkëjetesës.
Festimi i 70-vjetorit të emigracionit shqiptar në Belgjikë mbetet një moment domethënës për komunitetin tonë, një dëshmi e rrugëtimit të suksesshëm të shqiptarëve në diasporë dhe një homazh për të gjithë ata që kontribuuan në ndërtimin e kësaj historie.
Tradita na bashkon, kultura na ndriçon.



