Në Shkollën e 2-të Fillore të Pereas, në Selanik, u zhvillua ceremonia festive e përfundimit me sukses të mësimit të gjuhës shqipe për vitin shkollor 2025–2026.
Mes dhjetra nxënësve, prindërve dhe qytetarëve ishte edhe Kryetari i Bashkisë Theodhoros Tzekοs, Nënkryetari Georgios Ntavelas, konsulli në Konsullatën e RSH në Selanik Amarildo Bregu, ish-prefekti i Selanikut Panagiotis Psomiadhis, drejtori i shkollës Trifonas Kioteoglou etj.
Kryetari i Bashkisë u shpreh se, që në fillim mbështeti nismën e KSHS për mësimdhënien e gjuhës shqipe duke theksuar se me Komunitetin Shqiptar na lidh jeta jonë e përbashkët këtu, dhe së bashku do ndërmarrim nisma të reja të dobishme për qytetarët tanë.
Në fjalën e tij, drejtori i shkollës theksoi se gjatë 35 viteve të karrierës së tij si mësues dhe drejtues, është hera e parë që sheh një interesim kaq të madh të prindërve dhe nxënësve shqiptarë për mësimin dhe ruajtjen e gjuhës amtare, dhe ne jemi bashkë për t’ju mbështetur në këtë drejtim.
Kryetari i Komunitetit Shqiptar të Selanikut Dr. Luan Zyka, pasi shprehu falenderimet e mirënjohjes ndaj Bashkisë së Pereas që dha lejën për zhvillimin e mësimdhënies në shkollën e 2-të fillore, theksoi se “askush nuk mund të bëhet qytetar i mirë i një vendi nëse harron vendorigjinën e tij”.
Ai falenderoi mësuesen Vera Gjoni dhė anëtarin e Kryesisë Simon Pepen për përkushtimin e tyre në arritjen e këtij suksesi.
Fjalë përshëndetëse përcollën konsulli Amarildo Bregu, nënkryetari i Bashkisë z. Ntavelas, ish-prefekti z. Psomiadhis, Dr. Rafail Lipi, Simon Pepa, Niko Thomaj, kryetarja e Shoqatës së Grave Alma Sejati.
Një mirënjohje e veçantë i takon mësueses së gjuhës shqipe, Vera Gjoni, e cila me përkushtim dhe profesionalizëm udhëhoqi nxënësit gjatë gjithë vitit shkollor, si dhe prindërve që mbështetën këtë përpjekje të rëndësishme arsimore dhe kulturore.
Falenderime iu drejtuan edhe sipërmarrësve shqiptare të zonës që mbështetën veprimtarinë, Frrok Kola, Jorgo Strakosha dhe Ylber Agai.
Ruajtja e gjuhës amtare është ruajtje e kujtesës, kulturës dhe identitetit tonë.
Veprimtaria u mbyll me një program artistik në shqip nga nxënësit dhe drejtuar nga mësuese Vera, si edhe me këngë e valle nga Dj Ilir Kamolli.