Dy rrugë në qytetin e Winnipegut janë emërtuar me emra që lidhen me historinë dhe identitetin kombëtar shqiptar.
Në lagjen Sage Creek North u përurua zyrtarisht rruga “Dardania Drive”, në një ceremoni ku morën pjesë autoritete vendore, përfaqësues diplomatikë të Kosovës dhe anëtarë të komunitetit shqiptaro-kanadez. Emërtimi i rrugës i referohet Dardanisë së lashtë, duke simbolizuar lidhjen mes trashëgimisë historike shqiptare dhe diasporës në Kanada.
Në ceremoninë e prerjes së shiritit ishin të pranishëm Ambasadori i Kosovës në Kanada, Adriatik Kryeziu, Ambasadorja e Shqipërisë në Kanada, Artemis Malo, Ambasadorja e Kombit, Ruki Kondaj, përfaqësues të Shoqatës Shqiptare në Winnipeg dhe autoritete lokale. Këshilltari i qytetit të Winnipegut, Brian Mayes, i cili kishte propozuar emërtimin pas një kërkese të komunitetit shqiptaro-kanadez, e cilësoi këtë si një vlerësim për kontributin e shqiptarëve në jetën e qytetit.
Ndërkohë, në Ditën e Çlirimit të Kosovës u përurua edhe rruga “Kaçaniku”, e vendosur në një nga udhëkryqet kryesore të Winnipegut. Kështu, pas “Dardania Drive”, edhe emri i Kaçanikut bëhet pjesë e hartës së qytetit kanadez, duke promovuar historinë, kulturën dhe identitetin shqiptar.
Përfaqësuesit e komunitetit e vlerësuan këtë zhvillim si një njohje të rëndësishme të pranisë dhe kontributit të shqiptarëve në Kanada, si dhe si një dëshmi të miqësisë së fortë mes Kanadasë, Kosovës dhe Shqipërisë.




