Nga Liridon Demiri
Në Vlorë, në Zvërnec, kjo nuk është thjesht çështje resorti. Është çështje toke, dinjiteti dhe sovraniteti.
Na flasin për zhvillim, por ne shohim tela me gjemba.
Na flasin për investime, por ne shohim banorë të përjashtuar.
Na flasin për modernitet, por ne shohim natyrë të mbrojtur të rrezikuar, toka të kontestuara dhe vendime të marra mbi kokën e popullit.
Pamjet janë aty: persona pa uniformë zyrtare sulmojnë protestues, një person tërhiqet zvarrë në tokë, ndërsa policia është e pranishme. Kush janë këta njerëz? Kush i lejoi të veprojnë? Kush po mbron kë?
Ky nuk është zhvillim nëse shqiptarëve u mbyllet deti, nëse banorët kthehen në të huaj në tokën e vet dhe nëse popullit i mbeten vetëm thërrimet, ndërsa milionat shkojnë te oligarkët, investitorët e huaj dhe rrjetet e pushtetit.
Shqipëria ka nevojë për zhvillim, po. Por zhvillim me drejtësi, transparencë dhe respekt për popullin, jo shpronësim të organizuar.
Kjo kauzë nuk i përket asnjë partie. Komuniteti shqiptar nuk është rezervuar votash. Sot, flamuri i vetëm që duhet ta mbajmë është flamuri kuq e zi.
Dhe diaspora nuk do të heshtë. Të jetosh jashtë nuk do të thotë ta duash më pak atdheun. Kur toka shqiptare rrethohet me tela me gjemba, çdo shqiptar ka të drejtë të flasë.
Sot është Vlora. Nesër mund të jetë një qytet tjetër, një plazh tjetër, një tokë tjetër shqiptare.
Pa drejtësi nuk ka zhvillim.
Pa transparencë nuk ka investim.
Pa popull nuk ka Shqipëri.
Shqipëria nuk është në shitje.
Vlora e Shqipërisë, jo e oligarkëve.
Atdheu nuk shitet.




