Nga Soni Memoci
Ruajtja e gjuhës dhe identitetit shqiptar ndër breza
Kryetari i Shoqatës, z. Amet Gjana, vazhdon të japë një kontribut të çmuar në jetën arsimore, kulturore dhe shoqërore të komunitetit shqiptar në Belgjikë.
Bruksel – Emocione, krenari dhe dashuri për gjuhën shqipe shoqëruan ceremoninë e mbylljes së vitit shkollor 2025–2026 në Shkollën Shqipe Vatra në Belgjikë. Aktiviteti mori një rëndësi të veçantë pasi përkoi me 21-vjetorin e një institucioni që prej më shumë se dy dekadash po luan një rol kyç në ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit shqiptar në diasporë.
Për komunitetin shqiptar në Belgjikë, Vatra nuk është thjesht një shkollë. Ajo është një qendër edukimi dhe bashkimi, ku brezat e rinj mësojnë gjuhën amtare dhe forcojnë lidhjen me rrënjët e tyre kulturore. Falë përkushtimit të mësuesve, mbështetjes së prindërve dhe angazhimit të nxënësve, shkolla është kthyer në një nga institucionet më të respektuara të komunitetit shqiptar në vend.
Prej 21 vitesh, Vatra ka qenë dhe mbetet një nga institucionet më të rëndësishme të komunitetit shqiptar në Belgjikë, një vatër e ruajtjes së gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar, duke edukuar dhe bashkuar breza të tërë shqiptarësh rreth vlerave të trashëgimisë sonë.
Në këtë rrugëtim të suksesshëm, një rol të rëndësishëm ka luajtur Kryetari i Shoqatës, z. Amet Gjana, i cili prej vitesh është angazhuar në mbështetjen e arsimit shqip, promovimin e kulturës shqiptare dhe forcimin e jetës komunitare në Belgjikë. Përmes punës së tij të vazhdueshme, ai ka kontribuar në ruajtjen dhe zhvillimin e Shkollës Shqipe Vatra, duke e kthyer atë në një pikë referimi për familjet shqiptare që dëshirojnë t’u transmetojnë fëmijëve të tyre gjuhën dhe identitetin kombëtar.
Ceremonia e mbylljes së vitit shkollor u shoqërua me një program të pasur artistik, ku nxënësit interpretuan këngë, recitime dhe valle tradicionale shqiptare, duke sjellë para të pranishmëve bukurinë dhe pasurinë e kulturës sonë kombëtare. Aktiviteti u përmbyll me shpërndarjen e dëftesave, një moment krenarie për nxënësit, mësuesit dhe prindërit.
Gjatë aktivitetit u vlerësua puna e mësueseve të gjuhës shqipe Nereida Çoku, Fillareti Katro, Nora Nina dhe Anxhela Kotorri Hoxha, si dhe kontributi i mësueses së vallëzimit Genta Hoti. Falënderime të veçanta iu drejtuan Vailes Shkodra, Halit Shkodrës dhe familjes Shkodra për mbështetjen e tyre të vazhdueshme në aktivitetet e shkollës dhe të komunitetit shqiptar.
Mirënjohje u shpreh edhe për prindërit dhe nxënësit, të cilët me vullnetin dhe përkushtimin e tyre mbajnë gjallë gjuhën shqipe brez pas brezi. Falënderime iu drejtuan gjithashtu Ambasadës së Republikës së Shqipërisë, Ambasadës së Republikës së Kosovës, Qendrës së Botimeve për Diasporën Tiranë që mbështesin shkollën me tekste dhe materiale mësimore.
Nja falënderim i veçante shkon për Komunen e Molenbeek-ut për sigurimin e ambienteve ku zhvillohet mësimi.
Në aktivitet morën pjesë Konsulli i Republikës së Kosovës, z. Miftar Kryeziu, si dhe figura të rëndësishme të historisë së shkollës, ndër ta Ibrahim Dizdari, bashkëthemelues dhe drejtor i Shkollës Shqipe Vatra, si dhe Ajshe Morina, koreografja e parë e shkollës dhe e Ansamblit Vatra.
Historia e Shkollës Shqipe Vatra dhe ndikimi në komunitetin shqiptar në Belgjikë
E themeluar në vitin 2004 nga veprimtarë dhe arsimdashës shqiptarë në Belgjikë, Shkolla Shqipe Vatra lindi me misionin për t’u ofruar fëmijëve të diasporës mundësinë të mësojnë gjuhën shqipe, historinë dhe kulturën kombëtare.
Gjatë 21 viteve të veprimtarisë së saj, shkolla është shndërruar në një pikë referimi për qindra familje shqiptare. Përtej procesit mësimor, ajo ka krijuar një hapësirë ku komuniteti bashkohet, ndërton ura komunikimi dhe promovon vlerat shqiptare në një shoqëri multikulturore si ajo belge.
Për shumë prindër emigrantë, Vatra ka qenë lidhja më e fortë mes fëmijëve të tyre dhe trashëgimisë shqiptare. Në programet e saj arsimore dhe kulturore kanë marrë pjesë qindra nxënës ndër vite, duke e bërë shkollën një nga institucionet më jetëgjata dhe më të rëndësishme të mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Belgjikë.
Vatra, një simbol i gjallë i identitetit shqiptar në diasporë
Pas 21 vitesh aktiviteti të pandërprerë, Shkolla Shqipe Vatra vazhdon të mbetet një nga shtyllat më të forta të komunitetit shqiptar në Belgjikë. Ajo nuk ka qenë vetëm një vend ku mësohet gjuha shqipe, por një vatër e vërtetë shpirtërore ku ruhen kujtimet, traditat dhe ndjenja e përkatësisë kombëtare.
Në çdo fjalë të mësuar, në çdo këngë të kënduar dhe në çdo festë të organizuar, jeton një pjesë e Shqipërisë dhe e Kosovës larg atdheut. Gjuha shqipe mbetet ura më e fuqishme që lidh brezat me rrënjët e tyre, një trashëgimi e çmuar që u jep identitet, krenari dhe forcë për të mos harruar kurrë prejardhjen e tyre.
Teksa nxënësit u larguan me dëftesat në duar dhe me zemrat plot gëzim, mesazhi që përcolli kjo festë ishte thellësisht frymëzues: sa herë që një fëmijë flet, shkruan apo këndon shqip, një pjesë e kombit tonë vazhdon të jetojë dhe të lulëzojë. Falë përkushtimit të shkollave si Vatra, sakrificës së prindërve dhe solidaritetit të komunitetit shqiptar në diasporë, gjuha shqipe do të vazhdojë të jehojë fuqishëm ndër breza, duke bashkuar shqiptarët kudo që jetojnë dhe duke mbajtur të ndezur përherë flakën e identitetit tonë kombëtar.








