Gjykata e Lartë Administrative e Greqisë (Këshilli i Shtetit – ΣτΕ) ka marrë një vendim të rëndësishëm që sjell lehtësime të ndjeshme për mijëra emigrantë, përfshirë një numër të madh shqiptarësh, të cilët aplikojnë për fitimin e nënshtetësisë greke përmes procesit të natyralizimit.
Sipas vendimeve më të fundit të Seksionit D (Nr. 715 dhe 717/2026), zyrat e shtetësisë nuk mund t’i refuzojnë më automatikisht aplikimet e të huajve nëse ata nuk arrijnë të provojnë një shumë të caktuar minimale të ardhurash vjetore (tavan financiar) për vitet e kërkuara.
Vendimi, i publikuar më 27 maj 2026, prek drejtpërdrejt mijëra aplikantë, veçanërisht emigrantët shqiptarë në Greqi, të cilët prej vitesh përballeshin me refuzime ose vonesa për shkak të kritereve ekonomike dhe të ardhurave të ulëta.
Fund refuzimeve automatike për kriterin financiar
Gjykata ka interpretuar me këtë vendim rregulloren që rrodhi nga ligji i vitit 2020 dhe vendimi ministror i vitit 2021, të cilët shpesh përktheheshin nga administrata në barriera të pakapërcyeshme financiare.
Trupi gjykues argumenton se ligjvënësi rregullator nuk ka pasur asnjëherë qëllim të vendosë një shumë fikse si kusht absolut. Sipas vendimit, barra e provës për integrimin ekonomik nuk duhet të jetë një “gijotinë” financiare që skualifikon punonjësit me të ardhura të ulëta apo ata që preken nga sezonaliteti i tregut të punës.
Në analizën juridike të Gjykatës, të ardhurat vjetore duhet të shihen vetëm si një nga shumë indikatorët (prezumimet) që administrata ka në dorë për të vlerësuar integrimin e rregullt të një qytetari në jetën ekonomike të vendit.
Kjo do të thotë se shteti grek (administrata) duhet të marrë parasysh ndër të tjera: punën dhe aktivitetin profesional të emigrantit, pagesat e sigurimeve dhe taksave, jetën familjare dhe sociale në Greqi, kohën e qëndrimit në vend dhe lidhjen reale (intergimi) me shoqërinë greke.
Pra, mungesa e një page të lartë apo e një niveli të caktuar të ardhurash (rroga bazë plus 10% për çdo antëarë të familjes) nuk mund të çojë automatikisht në refuzimin e shtetësisë.
Çfarë do të vlerësohet tani e tutje?
Në vend të një shifre të ngurtë bankare apo tatimore, zyrat kompetente të Ministrisë së Brendshme greke janë të detyruara të bëjnë një vlerësim të përgjithshëm dhe të ndërthurur të profilit të aplikuesit. Elementët që do të merren parasysh janë:
- Stabiliteti në punë: Ekzistenca e një punësimi të qëndrueshëm apo aktiviteti të vazhdueshëm ekonomik në vend.
- Rregullsia fiskale: Përmbushja e vazhdueshme e detyrimeve tatimore (deklarimi i të ardhurave).
- Pagesa e sigurimeve: Shlyerja e rregullt e kontributeve të sigurimeve shoqërore.
Drejtësi edhe për aplikimet e prapambetura
Një pikë me interes të veçantë në vendimin e Këshillit të Shtetit është edhe saktësimi se ky interpretim do të zbatohet në mënyrë prapavepruese. Kjo do të thotë se të gjitha aplikimet që aktualisht janë pezull apo në fazë shqyrtimi (edhe ato të dorëzuara vite më parë nën regjimin e ligjit të vjetër 3838/2010) do të vlerësohen me frymën e re, duke shmangur penalizimin e emigrantëve që jetojnë dhe punojnë prej dekadash në Greqi, por që nuk prekin tavanet e larta të të ardhurave të kërkuara më parë.
Ky vendim pritet të zhbllokojë me mijëra dosje të pezulluara dhe të korrigjojë atë që komunitetet e emigrantëve dhe organizatat e të drejtave të njeriut e kishin cilësuar si një “kriter diskriminues” për shtresat e punëtorëve.



