Në kuadër të ceremonisë së 375-të të Diplomimit (Commencement 2026), Universiteti i Harvardit ka vlerësuar me Titullin “Doktor Nderi” (Honorary Degree) historianin, studiuesin dhe gazetarin e shquar britanik, Sir Noel Malcolm. Ky titull ekskluziv u është akorduar vetëm pesë personaliteteve në mbarë botën, të përzgjedhur për kontributet e tyre jetësore dhe arritjet transformuese në shoqëri: Conan O’Brien, Audra McDonald, Peggy Noonan, dhe Geoffrey Hinton.
Në akordimin e vlerësimit Harvardi vuri theksin veçanërisht te roli i tij si analist politik dhe redaktor i jashtëm i revistës prestigjoze The Spectator (1987-1992), duke lënë gjurmë të pashlyeshme në përmbushjen e misionit të shtypit për përhapjen e informacionit të saktë dhe llogaridhënien e pushtetit.
Për gazetë e Harvard ku është publikuar edhe lajmi, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e cilëson Sir Noel Malcolm si një zë vendimtar gjatë kohës kur lufta nisi në Ballkan në fund të viteve ’90. Në atë periudhë, Malcolm shërbente si këshilltar për Ballkanin i Margaret Thatcher-it, kryetar i Shoqatës Anglo-Shqiptare dhe anëtar i Akademive të Shkencave të Shqipërisë dhe Kosovës.
“Në fillim të luftës në Kosovë në vitin 1998, ai publikoi historikun ndërkombëtar më të rëndësishëm për vendin. Puna e tij erdhi në momentin e duhur, kur propaganda po përdorej për të arsyetuar gjenocidin, dhe dokumentoi diskriminimin sistematik ndaj shqiptarëve”, u shpreh Kurti.
“Ai vendosi të vërtetën historike në një çast kur historia e shtrembëruar po përdorej si armë, në mënyrë që e vërteta e së kaluarës të formësonte një të ardhme më të drejtë.”
Mes veprave të tij më të njohura ndërkombëtarisht që sfiduan mitet nacionaliste në Ballkan janë “Bosnia: A Short History” dhe “Kosovo: A Short History”. Gjithashtu, ai ka dhënë një kontribut të çmuar për historinë shqiptare me kryeveprën “Agents of Empire”, e cila fokusohet në marrëdhëniet veneciano-shqiptare, si dhe me librat e tij mbi filozofinë politike dhe të drejtat e njeriut.
Anëtar i Akademisë Britanike dhe i Shoqërisë Mbretërore të Letërsisë, Sir Noel Malcolm u dorëzua kalorës (Knight Bachelor) në vitin 2014 nga e ndjera Mbretëresha Elizabeth II, në shenjë vlerësimi për punën e tij të jashtëzakonshme në shkencë, gazetari dhe historinë europiane. Doktorata e Nderit nga Harvardi vjen si një tjetër kurorëzim i kësaj karriere monumentale.



