Në Athinë është zhvilluar sot Festivali i 6-të i Gastronomisë Shqiptare, një aktivitet tashmë i kthyer në traditë për komunitetin shqiptar në Greqi.
Eventi u organizua në ambientet e New York College në Athinë, nga Lidhja e Gruas Shqiptare, nën kujdesin e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Greqi dhe ambasadores znj. Luela Hajdaraga. Në festival morën pjesë dhjetëra gra dhe vajza shqiptare, përfaqësues të shoqatave kulturore, si dhe dashamirës të traditës dhe kulinarisë shqiptare.
Hapësirat e festivalit u shndërruan në një ekspozitë të pasur të kuzhinës tradicionale shqiptare, ku gatime nga të gjitha trevat e Shqipërisë u prezantuan me kujdes dhe përkushtim nga pjesëmarrëset. Aroma dhe shumëllojshmëria e pjatave sollën një atmosferë festive dhe identitare në zemër të kryeqytetit grek.
Në fjalën e saj, kryetarja e Lidhjes së Gruas Shqiptare, znj. Agapi Gjika, theksoi rolin e grave shqiptare në diasporë në ruajtjen e kulturës dhe traditës kombëtare. Ajo vlerësoi gjithashtu vazhdimësinë e këtij festivali si një dëshmi të gjallë të trashëgimisë shqiptare jashtë vendit.
Ambasadorja e Shqipërisë në Greqi, znj. Luela Hajdaraga, përgëzoi organizatorët dhe pjesëmarrëset, duke nënvizuar rëndësinë e aktiviteteve të tilla në forcimin e lidhjeve kulturore dhe promovimin e vlerave shqiptare në shoqërinë greke. Ajo vlerësoi kontributin e grave shqiptare në ruajtjen dhe transmetimin e identitetit kulturor përmes traditës kulinare.
Kryetarja e Komunitetit Shqiptar në Greqi, znj. Rovena Xhori, u shpreh se festivale të tilla luajnë një rol të rëndësishëm në forcimin e unitetit të komunitetit dhe në ruajtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare në diasporë.
Një nga momentet më të veçanta të aktivitetit ishte parada e kostumeve popullore shqiptare, ku gra dhe vajza të veshura me veshje tradicionale nga të gjitha trevat shqiptare parakaluan në skenë, duke sjellë një mozaik ngjyrash dhe simbolikash kulturore.
Festivali u përmbyll me një program artistik ku grupe polifonike dhe këngëtarë të muzikës tradicionale shqiptare, përfshirë grupin “Vëllazërimi”, krijuan një atmosferë festive dhe emocionale për të pranishmit.




