Nga Anila Kadija
Një mbrëmje e jashtëzakonshme e organizuar nga shoqata “Ardhmëria, me biznesmenë shqiptarë që mbështesin misionin e ruajtjes dhe përhapjes së gjuhës shqipe në Mbretërinë e Bashkuar.
Të pranishëm biznesmenë, kolegë dhe mbështetës të përhershëm të mësimdhënies së gjuhës shqipe dhe përhapjes së kulturës shqiptare shtrënguan duart dhe ndanë tryeza të rrumbullakëta në hotelin “Limehouse Library Hotel” të shtunën 16 maj 2026.
Mbrëmja u drejtua nga Daniel Nikolla dhe Migena Goga, dy bashkatdhetarë dhe kontribuues të komunitetit shqiptar në Londër. Ata moderuan me elegancë dhe mirësjellje dinamikën dhe qëllimin e kësaj GALA-je.
Z. Lutfi Vata, president i shoqatës “Ardhmëria”, në fjalën e tij përshëndetëse i falenderoi dhe i inkurajoi biznesmenët për bashkëpunim dhe kontribut ekonomik në mbështetje të këtij misioni, i cili vazhdon për më shumë se dy dekada.
Të pranishmit u argëtuan dhe shijuan muzikën e interpretuar nga tre instrumentistë nën drejtimin e artistit të njohur me origjinë nga Prizreni, Kastriot Xhon Marku. Atmosferë krijoi edhe DJ Kastrati.
Përfaqësoi Ambasadën e Republikës së Kosovës diplomatja Arta Qehaja.
Një fjalë përshëndetëse mbajti edhe z. Lavdrim Krashi.
Emocione shkaktoi edhe performanca e jashtëzakonëshme e dy vajzave të vogla Mayla Geca dhe Hera Hasani.
Si një dëshmi e vazhdimësisë me këngë dhe valle nga dy nxënëse të shkollave Ardhmëria. Zëri i Mayla ngriti entuzizmin e të gjithëve peshë. Kjo vajzë është vetëm 5 vjeç dhe premton një udhëtim të suksesshëm si talent artistik.

Jo vetëm GALA, por edhe donacione personale dhe objekte të cilat u shitën në ankand.
Punime artistike, të dhuruara nga familja Sharra – punimet e z.Shkelqim Sharra. Këto punime u prezantuan për ankand nga znj. Linda Bazina me praninë e familjarëve Kejsi dhe Xhesi Bidaj.
Një tjetër donacion ishte instrumenti muzikor, pjesë e koleksionit familjar, një kitarë e dhuruar nga familja Kadija – Kalemi.

Znj. Anila Kadija e prezantoi vet historikun e kitarës e cila po ashtu u vendos në ankand.
Shuma e mbledhur u dhurua për shkollat e Ardhmërisë.
Gjithashtu, të pranishmit u njohën konkretisht me punën kolosale të kryer nga stafi mësimdhënës dhe 25 shkollat shqipe të Ardhmërisë përmes një materiali filmik të një albumi meritokratik ndër vite.
Të gjithë biznesmenët e pranishëm morën fjalën. Falënderime të veçanta shkojnë për: Xhevat Lita, Aqifit Neli, Skender Perpepaj, Agron Gjoka, Besnik Vata, Isa Matmuja, Lirka Kadriu, Arian Terziu, Agron Dauti, Arben Dervisholli, Shkelqim Tmava, Mustafa Ahmati, Ilir Nabolli, Ervin Mula Sajmir Kumria, Altin Hallaçi, Admir Lala, Edmir Hoxha dhe Edison Lala, Rudin Hoxha dhe Florian Papushi.
Si dhe avokatët e nderuar Naim Hasani, Sajmir Kumria dhe Oliverta Mediu.
Kënga dhe vallet kurorëzuan miqësinë dhe besimin. Tavolina plot dhe gota të ngritura për gjërat e bukura që arrijmë të krijojmë si komunitet shqiptar në Londër.
Duke mbrojtur gjuhën tonë, duke ua transmetuar atë brezave dhe duke kontribuar si qytetarë të denjë në këtë vend që na ka hapur dyert.
Kjo është mënyra fisnike për t’i treguar botës për rrënjët dhe traditën tonë që nuk duhet të asimilohet kurrë.





















