Aktori i njohur turk me origjinë shqiptare Can Yaman do të jetë i ftuari special në një event të veçantë kulturor që do të zhvillohet më 16 maj 2026 në Piana degli Albanesi, në Sicili.
Ky takim është edhe një moment simbolik mes shqiptarëve me rrënjë të përbashkëta.
Eventi organizohet në kuadër të “Premio Hora Skanderbeg”, një çmim i themeluar nga kryetari i bashkisë Rosario Petta, në kuadër të festivalit “Cannolo Fest”, i cili çdo vit kthen Piana degli Albanesi në një qendër të rëndësishme të kulturës dhe traditës arbëreshe.
Sipas organizatorëve, kjo mbrëmje do të jetë e mbushur me emocione, vlera kulturore dhe momente reflektimi mbi identitetin dhe rrënjët, duke nderuar figurat që kontribuojnë në afrimin e kulturave dhe ruajtjen e trashëgimisë.
Pas ceremonisë, aktivitetet do të vijojnë në një atmosferë artistike dhe festive, ku të ftuarit do të kenë mundësi të ndajnë momente të veçanta në një mjedis të dedikuar kulturës dhe bashkimit.



