Nga Yllka Lezo
Në historinë e diasporës shqiptare ka gra që nuk kanë emigruar thjesht për të mbijetuar, por për të ndërtuar, frymëzuar dhe lënë gjurmë të qëndrueshme në komunitet. Një ndër këto figura është Merita Isufi – gruaja, profesionistja, nëna dhe aktivistja shqiptare në emigracion, e cila prej vitesh ka kthyer sfidat e jetës në Londër në mision për edukim, fuqizim dhe ruajtje të identitetit kombëtar.
E larguar nga Shqipëria me ëndrra, përgjegjësi dhe sfida të shumta, Merita ka arritur të ndërtojë një rrugëtim të admirueshëm si edukatore, autore, studiuese dhe themeluese e nismave që mbështesin gratë dhe familjet shqiptare në diasporë. Përmes përkushtimit të saj ndaj arsimit, gjuhës shqipe dhe rolit të gruas në shoqëri, ajo përfaqëson modelin e gruas shqiptare moderne që ruan rrënjët, ndërton ura dhe kontribuon me dinjitet në një realitet ndërkombëtar.
Në këtë intervistë ekskluzive për Gazetën e Diasporës Shqiptare, Merita Isufi ndan rrëfimin e saj frymëzues mbi emigrimin, sfidat, suksesin, mëmësinë dhe fuqinë transformuese të edukimit. Një dëshmi e gjallë se potenciali i gruas shqiptare nuk njeh kufij, por vetëm horizonte të reja.
Emigrimi shpesh sjell humbje, pasiguri dhe nevojën për të rifilluar nga e para. Si e përjetuat personalisht këtë transformim dhe si ndikoi ai në identitetin tuaj si grua?
Emigrimi është një proces i thellë transformimi të brendshëm. Përveç ndryshimit të vendit, ai sjell një ndjesi humbjeje për gjërat e njohura: familjen, gjuhën e përditshme, rrjetin shoqëror, si dhe një pasiguri për të ardhmen. Mbërritja ime në Londër në vitin 1999, si një nënë e re me një fëmijë rreth dy vjeç, ishte fillimi i një transformimi të thellë në identitet, qëllim dhe qëndrueshmëri.
Ndërkohë që mbaja mbi supe përgjegjësitë emocionale dhe praktike të mëmësisë, ky fillim i ri forcoi ndjenjën time të brendshme të guximit për t’u përballur me të panjohurën. Si grua, identiteti im nuk mbështetej më vetëm në përvojat e së kaluarës apo në familjaritetin kulturor, por u riformësua përmes veprimeve të përditshme të përshtatjes: duke mësuar si të përkas, si të dëgjohem dhe si të kontribuoj në shoqërinë ku kisha zgjedhur të jetoj.
Rruga ime filloi në shkolla, që u bënë baza e formimit tim personal dhe profesional. Puna vullnetare si mësuese e gjuhës shqipe nisi në vitin 2002, ndërsa paralelisht fillova studimet, duke u ri-diplomuar në Londër si edukatore dhe duke u punësuar në vitin 2006. Në fillimet e para, kam shërbyer gjithashtu si prind-guvernatore, duke u njohur nga afër me përgjegjësitë dhe rolin e komunitetit në zhvillimin e fëmijëve. Megjithatë, asnjë rol nuk e ka tejkaluar rolin e nënës, që për mua mbetet më i rëndësishmi dhe më i dashuri.
Në një vend të ri, larg profesionit dhe realitetit që njihnit, si e rindërtuat veten jo vetëm profesionalisht, por edhe emocionalisht?
Të jetuarit në Londër, një qytet shumëetnik dhe shumëkulturor, më ofroi një hapësirë ku identiteti mund të zgjerohej dhe jo të kufizohej. Me kalimin e kohës, ky mjedis më ndihmoi të përshtatem dhe të ndihem e fuqizuar.
Emigrimi më mësoi të jem këmbëngulëse, të mos kem frikë nga fillimet e reja dhe të balancoj rolet si nënë, profesioniste dhe anëtare aktive e komunitetit. Njëkohësisht, më bëri më të vetëdijshme për rëndësinë e rrënjëve dhe ruajtjen e identitetit kulturor.
Studimet në Kriminologji dhe Sociologji thelluan më tej këtë vetëdije, duke më ndihmuar të kuptoj më mirë veten dhe të tjerët, të zhvilloj tolerancën dhe të sfidoj paragjykimet përmes një perspektive më të gjerë.

Si kanë ndikuar sfidat e emigrimit në forcimin e karakterit tuaj dhe në mënyrën se si e shihni sot suksesin?
Në kontrast me stereotipet për migrantët, përvoja ime pasqyron pasurinë dhe diversitetin e emigrimit. Nuk kam dashur kurrë të jem një figurë e shkëputur, por një nënë dhe profesioniste aktive që kontribuon në komunitet dhe ndërton me vetëdije të ardhmen e saj.
Ky rrugëtim nuk ka qenë linear. Ka pasur momente të vështira dhe pasigurie, por edhe momente të forta fuqizimi dhe krenarie. Emigrimi nuk e ndryshoi thelbin tim; përkundrazi, më ndihmoi ta kuptoj më thellë kush jam dhe çfarë përfaqësoj.
Sot, vizioni im është i qartë, dhe pikërisht kjo e bën motivimin tim më të madh se frika apo justifikimet. Suksesi, për mua, nuk është thjesht arritje e jashtme, por një proces i vazhdueshëm zhvillimi. Është aftësia për të kultivuar cilësi që na ndihmojnë të rritemi mendërisht, fizikisht, shoqërisht dhe emocionalisht – kudo që ndodhemi.
Unë besoj thellësisht në natyrën njerëzore dhe në fuqinë e karakterit, sepse ai ndikon drejtpërdrejt në mënyrën se si sillemi me njëri-tjetrin dhe si përballemi me jetën. Një karakter i fortë, pozitiv dhe realist na jep qartësi për të dalluar mundësitë dhe rreziqet, duke ruajtur një ekuilibër të domosdoshëm mes tyre. Pikërisht zhvillimi i këtij ekuilibri dhe këtyre cilësive përbën, në thelb, suksesin e vërtetë.

Si grua shqiptare, a mendoni se ju është dashur të luftoni më shumë për t’u dëgjuar, respektuar dhe vlerësuar në shoqërinë britanike?
Si grua shqiptare në shoqërinë britanike, shpesh ndihesh sikur përfaqëson më shumë sesa vetëm veten. Gruaja shqiptare ka një histori të hershme dhe të pasur, që nga koha e Teutës, dhe kjo trashëgimi është pasqyruar ndër shekuj edhe në vargjet e rilindasve tanë. Pikërisht për këtë arsye, ne mbartim një përgjegjësi të heshtur për ta përfaqësuar këtë identitet me dinjitet dhe integritet, kudo që ndodhemi.
Ka momente kur duhet të punosh më shumë për të ndërtuar besim dhe për të sfiduar perceptime të gabuara – jo vetëm si grua shqiptare, por si grua në përgjithësi. Në fillimet e këtij rrugëtimi, sfidat janë më të dukshme, por me kohën ato kthehen në mundësi për forcim dhe vetëdijësim.
Kjo përvojë, në thelb, ka qenë fuqizuese. Më ka ndihmuar të zhvilloj një zë më të qartë dhe të qëndroj besnike ndaj vlerave të mia. Sepse respekti dhe vlerësimi nuk vijnë vetëm nga përshtatja, por nga autenticiteti – nga aftësia për të qenë vetvetja me dinjitet.
Sot, gruaja shqiptare në Britani përfaqëson me integritet vlera intelektuale, njerëzore dhe kombëtare, duke mbartur me krenari rolin e saj si nënë, motër, bijë dhe profesioniste në një shoqëri gjithnjë e më të ndërlidhur.

Cilat kanë qenë paragjykimet, kufizimet apo pengesat më të mëdha që keni hasur si grua dhe profesioniste në diasporë?
Një nga paragjykimet më të zakonshme lidhet me vetë faktin e të qenit emigrante. Stereotipet ekzistojnë dhe, në forma të ndryshme, mund të krijojnë distancë apo një nënvlerësim të heshtur. Megjithatë, në përvojën time personale, këto i kam hasur më shpesh në Shqipëri sesa në Londër. Ende sot dëgjon paragjykime të bazuara në ndarje të vjetra si veri–jug apo fshat–qytet – dhe kjo është diçka që duhet reflektuar seriozisht, pasi pengon evolimin e nje shoqerie.
Në Britani, sfida kryesore në fillim ishte gjuha – jo vetëm si mjet komunikimi, por si kod kulturor. Edhe kur e zotëron gjuhën, kërkon kohë të kuptosh nuancat, mënyrën si ndërtohen marrëdhëniet profesionale dhe si funksionon dinamika sociale. Ky proces, sidomos në fillim, mund të ndikojë në vetëbesim.
Si grua, sfidat shumëfishohen. Balancimi i roleve – si nënë, partnere dhe profesioniste – shpesh vendos kufij të padukshëm mbi kohën dhe energjinë tënde. Në një realitet të ri, ku çdo gjë kërkon më shumë përpjekje, kjo bëhet edhe më e ndjeshme.
Por këto pengesa nuk janë fundi i rrugës – janë pjesë e formimit. Ato të detyrojnë të bëhesh më e fortë, më këmbëngulëse dhe më e qartë në atë që përfaqëson. Të mësojnë të ndërtosh gjithçka nga e para, të besosh në vlerat e tua dhe të krijosh hapësirën tënde – edhe kur askush nuk ta jep atë. Sepse në fund, sfidat nuk janë ato që të ndalojnë, por ato që të formësojnë.

Arsimi ka qenë boshti i jetës suaj. Çfarë përfaqëson për ju edukimi: profesion, mision apo formë emancipimi?
Për mua, edukimi është çelësi i suksesit – një ndërthurje e profesionit, misionit dhe emancipimit. Si profesion, ai është rruga që kam zgjedhur për të ndikuar drejtpërdrejt në jetët e të tjerëve, një angazhim i përditshëm që kërkon përkushtim dhe zhvillim të vazhdueshëm. Si mision, edukimi shkon përtej dijes; ai përfshin transmetimin e vlerave, ndërtimin e vetëbesimit dhe formimin e individëve të përgjegjshëm në shoqëri. Në diasporë, ky mision bëhet edhe më i rëndësishëm, sepse lidhet ngushtë me ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit.
Ndërsa si formë emancipimi, edukimi është një proces fuqizimi që hap dyer, sfidon kufizime dhe krijon mundësi, veçanërisht për gratë dhe komunitetet e nënvlerësuara. Ai na jep zë, na mëson të mendojmë në mënyrë kritike dhe të kuptojmë botën – jo vetëm atë përreth nesh, por edhe atë brenda vetes.

Në rrugëtimin tuaj shumëvjeçar si mësuese dhe profesioniste, si ka ndryshuar këndvështrimi juaj për fuqinë që ka edukimi në transformimin e jetëve?
Në fillim të rrugëtimit tim, e shihja edukimin kryesisht si një mjet për të transmetuar dije dhe për të ndihmuar nxënësit të arrijnë rezultate të mira akademike. Ishte një këndvështrim i fokusuar te përmbajtja dhe suksesi i matshëm. Me kalimin e viteve dhe përvojës, sidomos duke punuar me komunitete të ndryshme dhe në diasporë, ky perceptim është thelluar ndjeshëm.
Sot, e shoh edukimin si një proces të mirëfilltë transformimi. Ai nuk qëndron vetëm te ajo që mësohet, por te mënyra se si individi fillon ta shohë veten dhe botën përreth tij. Në nivel personal, edukimi ndërton vetëbesim dhe ndjenjën e vlerës; në nivel social, krijon ura dhe lidh kultura, duke ndihmuar njerëzit të ndihen pjesë e një komuniteti pa humbur identitetin e tyre; ndërsa në nivel ndërgjegjësimi, nxit mendimin kritik dhe vendimmarrjen e informuar.
Një nga ndryshimet më të mëdha në këndvështrimin tim është bindja se edukimi nuk është një proces i njëanshëm. Nuk është vetëm mësuesi që jep dhe nxënësi që merr, por një marrëdhënie e gjallë ku mësuesit, nxënësit dhe prindërit rriten dhe transformohen së bashku. Roli ynë si prindër është të udhëheqim me kujdes: herë duke ecur përkrah fëmijëve tanë, herë duke i mbështetur nga distanca.
Dhe ndoshta më e rëndësishmja: kam kuptuar se ndikimi i edukimit nuk është gjithmonë i menjëhershëm. Ai shpesh shfaqet më vonë, në zgjedhjet që individi bën, në mënyrën si përballet me sfidat dhe në vlerat që mbart. Pikërisht kjo e bën edukimin një nga fuqitë më të qëndrueshme dhe më të thella të ndryshimit.

Sa e vështirë ka qenë të ruani identitetin tuaj kulturor shqiptar ndërkohë që integroheshit në një sistem të ri?
Nuk ka qenë thjesht e vështirë; ka qenë një proces i vazhdueshëm balancimi dhe vetëdijeje. Integrimi në një sistem të ri shpesh të shtyn, në mënyrë të heshtur, të zbehësh pjesë të identitetit për t’u ndjerë më e pranuar. Por kam kuptuar se integrimi i vërtetë nuk ndërtohet duke humbur rrënjët, por duke u mbështetur fort mbi to.
Për mua, ruajtja e gjuhës shqipe, transmetimi i kulturës dhe angazhimi në komunitet kanë qenë akte të qëllimshme për ta mbajtur identitetin gjallë. Edhe kur jam ndjerë “mes dy botëve”, nuk e kam parë këtë si ndarje, por si pasuri.
Sot, identiteti im nuk është i fragmentuar, por i integruar: njëkohësisht pjesë aktive e shoqërisë britanike dhe thellësisht e lidhur me origjinën time shqiptare. Ky nuk është kompromis, por zgjedhje e vetëdijshme për të jetuar në harmoni me të dyja.

“Successful Mothers CIC” ka një fokus të fortë tek fuqizimi i grave. A lindi kjo nismë edhe nga përvoja personale si grua dhe nënë në emigrim?
Po, absolutisht – kjo nismë nuk lindi rastësisht. Ajo buron drejtpërdrejt nga përvoja ime si grua dhe nënë në emigrim. Ky rrugëtim të përball me sfida reale: mungesën e një rrjeti mbështetës, presionin për t’u përshtatur pa humbur identitetin dhe përgjegjësinë për të rritur fëmijë mes dy kulturave. Janë përvoja që i kam jetuar vetë dhe i kam parë tek shumë gra të tjera.
Nga kjo lindi “Successful Mothers CIC”: si një hapësirë ku gratë të ndihen të dëgjuara, të mbështetura dhe të fuqizuara për të qenë versioni më i mirë i vetes. Një hapësirë pa gjykim, ku përvojat ndahen me mirëkuptim dhe ku çdo grua mund të gjejë zërin dhe potencialin e saj. Qëllimi është i qartë: asnjë grua të mos e përjetojë këtë rrugëtim e vetme.
Me këtë rast, shpreh mirënjohjen për të gjitha gratë/nënat që janë bërë pjesë e kësaj nisme, për borin drejtues dhe për çdo mbështetës që ka kontribuar – financiarisht, me kohë, energji apo përkushtim. “Successful Mothers” është më shumë se një iniciativë; është një angazhim për t’i dhënë zë dhe vlerë kontributit real të grave në shoqëri dhe në histori.

Çfarë plagësh, sfidash apo nevojash të grave keni parë më shpesh në komunitet dhe si përpiqeni t’i adresoni ato?
Nga përvoja ime me “Successful Mothers”, sfidat që hasin gratë në komunitet janë të thella dhe shpesh të ndërlidhura. Një nga më të pranishmet është izolimi social, sidomos tek nënat emigrante dhe nënat e reja. Shumë prej tyre ndihen të vetmuara, pa mbështetje, pa hapësira ku të shprehen lirshëm dhe shpesh të kufizuara edhe nga gjuha. Kjo sjell mungesë vetëbesimi dhe ndjenjën se zëri i tyre nuk dëgjohet apo nuk vlerësohet.
Një tjetër sfidë e madhe është balancimi i roleve: si nëna, bashkëshorte dhe profesioniste, ndërkohë që shpesh vendosin veten në plan të fundit. Kjo krijon lodhje emocionale dhe, në disa raste, humbje të identitetit personal.
Përmes “Successful Mothers CIC”, jemi përpjekur t’i adresojmë këto nevoja duke krijuar hapësira të sigurta ku gratë mund të ndajnë përvojat e tyre pa gjykim – në trajnime prindërimi, aktivitete komunitare dhe evente kulturore si “The Power of Her Story”. Duke organizuar evente kulturore dhe sociale, kemi ndërtuar ura lidhëse mes grave nga komunitete të ndryshme, reduktuar izolimin dhe forcuar ndjenjën e përkatësisë. Qëllimi ynë nuk është vetëm të ofrojmë mbështetje praktike, por të rikujtojmë forcën që gratë tashmë e mbajnë brenda vetes.
Historikisht, gruaja ka qenë shtyllë e organizimit shoqëror – si nënë, bashkëshorte, bijë dhe forcë që mban gjallë familjen dhe komunitetin. “Successful Mothers” synon pikërisht ta forcojë dhe ta bëjë të dukshëm këtë kontribut, duke ndihmuar gratë të ecin përpara me dinjitet, vetëdije dhe zë të fuqishëm në shoqëri.

Si e përkufizoni sot fuqinë e një gruaje: përmes suksesit profesional, qëndrueshmërisë emocionale apo ndikimit social?
Sot, fuqinë e një gruaje nuk do ta kufizoja në një dimension të vetëm, por në mënyrën se si suksesi profesional, qëndrueshmëria emocionale dhe ndikimi social ndërthuren në mënyrë autentike. Për mua, fuqia e vërtetë fillon nga brenda: tek aftësia për t’u përballur me sfida, për t’u ringritur pas vështirësive dhe për të ruajtur integritetin edhe në rrethana të pasigurta. Pikërisht kjo qëndrueshmëri është themeli mbi të cilin ndërtohet gjithçka tjetër.
Suksesi profesional ka vlerë kur lidhet me pasionin, kontributin dhe ndjenjën e përmbushjes, jo thjesht me statusin. Ndërsa ndikimi social është ajo forcë që tejkalon individin – mënyra se si një grua mbështet, frymëzon dhe hap rrugë për të tjerat.
Në thelb, fuqia e një gruaje qëndron tek aftësia për të qenë vetvetja pa kompromis, për të bërë zgjedhje të vetëdijshme dhe për të ndërtuar një jetë me kuptim, sipas vlerave të saj dhe jo sipas pritshmërive të të tjerëve.

Si e balanconi ndjeshmërinë njerëzore me forcën që kërkon lidershipi?
Të jesh grua dhe nënë sjell një forcë të veçantë në lidership. Përvojat tona formësojnë mënyrën se si udhëheqim, lidhemi dhe fuqizojmë të tjerët. Për mua, lidershipi i vërtetë nuk ndërtohet mbi autoritetin, por mbi empatinë, besimin dhe aftësinë për të ngritur të tjerët.
Mëmësia na mëson të dëgjojmë me vëmendje, të kuptojmë nevojat e njerëzve dhe të reagojmë me mençuri edhe në situata të vështira. Ajo e thellon inteligjencën emocionale dhe krijon një lidership më njerëzor, më të vetëdijshëm dhe më gjithëpërfshirës. Gratë, veçanërisht nënat, udhëheqin me intuitë, durim dhe forcën që lind nga kujdesi për të tjerët.
Themelimi i “Successful Mothers” pasqyron pikërisht këtë filozofi: një lidership që krijon hapësira, mundësi dhe zë për gratë në komunitet. Balancimi i familjes, profesionit dhe angazhimit social kërkon qartësi, vetëdije dhe qëndrueshmëri të brendshme.
Për mua, ndjeshmëria njerëzore nuk është dobësi; është forca që ndërton besim dhe lidhje të qëndrueshme. Në fund, lidershipi më i fortë është ai që njerëzit e ndjekin jo nga frika apo detyrimi, por nga respekti dhe besimi që ti arrin të ndërtosh.

Duke qenë autore, studiuese dhe aktiviste, si ndërthuren të gjitha këto role në formimin e trashëgimisë suaj?
Për mua, këto role nuk janë të ndara; ato janë pjesë e të njëjtit mision dhe ushqejnë vazhdimisht njëra-tjetrën. Si autore, unë ruaj dhe përcjell histori, emocione dhe përvoja që shpesh mbeten të pathëna. Përmes librave të mi dygjuhësh për fëmijë, veçanërisht serisë së Deas, synoj që fëmijët në diasporë të shohin veten të përfaqësuar, të lidhen me gjuhën shqipe dhe të ndihen krenarë për identitetin e tyre. Gjuha është energjia e shpirtit, ndërsa libri mbetet ura që lidh familjen, kulturën dhe përkatësinë.
Si studiuese, përpiqem të kuptoj më thellë sfidat sociale dhe njerëzore, duke e mbështetur punën time jo vetëm tek përvoja, por edhe tek kërkimi dhe analiza. Ndërsa si aktiviste, e bazuar në gjetje reale, e kthej këtë dije në veprim konkret përmes punës me komunitetin, me qellim që njerëzit të ndihen të dëgjuar dhe të vlerësuar. Trashëgimia ime formohet pikërisht nga kjo ndërthurje: nga fjala që mbetet (si autore), nga dija që udhëzon (si studiuese) dhe nga veprimi që transformon (si aktiviste).

Çfarë sakrificash personale kanë qenë të nevojshme për të arritur deri këtu?
Rrugëtimi im ka kërkuar sakrifica. Një nga më të mëdhatë ka qenë koha personale. Ka pasur periudha kur balancimi mes familjes, dhe punës dhe më ka detyruar ta vendos veten në plan të dytë. Ka pasur lodhje, pasiguri dhe fillime të reja, por përgjegjësia dhe qëllimi më kanë dhënë forcën për të vazhduar.
Një tjetër sakrificë ka qenë distanca nga familja dhe rrënjët, sidomos në emigrim. Mungesa e njerëzve të dashur në momentet më të rëndësishme është një peshë që nuk largohet lehtë, por më ka mësuar ta mbaj me dinjitet dhe forcë. Kam përjetuar edhe humbje të dhimbshme, ndërsa jeta vazhdonte të kërkonte qëndrueshmëri dhe vazhdimësi.
Edhe profesionalisht, rruga ka kërkuar durim dhe këmbëngulje; të rifillosh nga e para në një vend të ri nuk është kurrë e lehtë. Por sot i shoh të gjitha këto sakrifica si pjesë të formimit tim. Çdo sfidë më ka bërë më të vetëdijshme, më të fortë dhe më të qartë për misionin tim si grua, nënë dhe profesioniste.
Kur shihni pas, çfarë do t’i thoshit Meritës së re që mbërriti në Londër me ëndrra, por edhe me pasiguri?
Do t’i thoja se rruga nuk do të jetë e lehtë, por çdo sfidë do ta formojë dhe do t’i japë kuptim forcës së saj. Fillimet e reja janë të vështira, por pikërisht aty lind versioni më i fortë i vetes. Mos u frikëso nga pasiguritë dhe mos e mat vlerën tënde me pranimin e të tjerëve. Merr kohën tënde për t’u rritur, për të mësuar dhe për t’u përshtatur, pa humbur asnjëherë thelbin tënd.
Do t’i thoja gjithashtu të mos e mbajë gjithçka vetëm. Të kërkojë mbështetje, të ndërtojë lidhje dhe të besojë se njerëzit e duhur do të bëhen pjesë e rrugëtimit të saj. Dhe mbi të gjitha, të ruajë gjuhën, kulturën dhe identitetin shqiptar, sepse ato do të jenë forca dhe busulla e saj në çdo etapë të jetës.
Një ditë do të shohë pas dhe do të kuptojë se ajo vajzë me ëndrra dhe pasiguri ishte shumë më e fortë sesa mendonte, dhe se gjithçka që po ndërtonte kishte një qëllim më të madh.

Çfarë do të dëshironit që gratë shqiptare në emigrim të kuptonin për potencialin e tyre?
Do të dëshiroja që çdo grua shqiptare në emigrim të kuptojë se potenciali i saj nuk fillon në një vend të ri; ai vjen me të, nga rrënjët, historia dhe forca që mbart brenda vetes. Gruaja shqiptare vjen nga një kulturë e lashtë me vlera të forta njerëzore, ku ajo ka qenë gjithmonë shtyllë e familjes, bartëse e dijes, e qëndresës dhe e zhvillimit shoqëror.
Emigrimi ndonjëherë të bën të ndihesh sikur po fillon nga zero, por e vërteta është se çdo grua sjell me vete përvojë, dinjitet, identitet dhe potencial. Mos e nënvlerësoni veten për shkak të një gjuhe të re, një sistemi të ri apo një fillimi të ri. Ju keni aftësinë të përshtateni, të mësoni, të udhëhiqni dhe të ndërtoni një jetë me vlerë kudo që ndodheni.
Në të njëjtën kohë, është e rëndësishme të vazhdojmë të evoluojmë. Shoqëria bashkëkohore kërkon gra që jo vetëm ruajnë vlerat, por edhe i zhvillojnë ato; kerkon gra të arsimuara, të vetëdijshme, të pavarura dhe aktive në komunitet. Emancipimi i gruas shqiptare nuk është diçka e re; është një vazhdimësi që duhet ta çojmë përpara me guxim, kulturë dhe vetëbesim. Ju nuk jeni vetëm pjesë e historisë sonë; ju jeni vazhdimi i saj.
Çfarë trashëgimie dëshironi të lini jo vetëm si profesioniste, por si grua shqiptare që ka ndikuar realisht në jetë njerëzish?
Si profesioniste, dua të lë pas një model që tregon se edukimi është një forcë transformuese – jo vetëm për dije, por për ndërtimin e vetëbesimit, identitetit dhe mundësive. Si grua shqiptare, dëshiroj të lë një trashëgimi që pasqyron forcën e rrënjëve tona dhe guximin për të ecur përpara pa humbur identitetin. Të tregoj se integrimi në një shoqëri të re nuk do të thotë të harrosh origjinën, por ta kthesh atë në vlerë dhe pasuri.
Ndërsa përmes librave të mi dygjuhësh – si “Dea fillon shkollën”, “Eja Dea”, “Dear Mother” – dhe librave në ardhje, dëshiroj të ndikoj tek brezat e rinj, duke i afruar me librin, gjuhën dhe kulturën shqiptare. Përmes anglishtes, këto libra prezantojnë kulturën shqiptare tek komunitete të tjera, ndërsa përmes shqipes ndihmojnë fëmijët të ruajnë lidhjen me identitetin e tyre.
Besoj se njeriu nuk kujtohet vetëm për sukseset që arrin, por për jetët që prek, për shpresën që mbjell dhe për rrugët që hap për të tjerët. Nëse kam arritur të frymëzoj qoftë edhe një grua të besojë më shumë tek vetja, një fëmijë të ndiejë krenari për gjuhën dhe identitetin e tij, apo një familje të kuptojë forcën e edukimit dhe dashurisë, atëherë e konsideroj misionin tim të përmbushur. Sepse trashëgimia më e bukur që mund të lëmë pas nuk është ajo që ndërtojmë vetëm për veten, por ajo që vazhdon të jetojë tek njerëzit edhe përtej pranisë sonë.



