Më 21 maj, në orën 18:30, në Ambasadën e Shqipërisë në Londër, studiuesja Dr. Lediona Shahollari, UCL Alexander Nash Fellow në Studime Shqiptare, do të mbajë një ligjëratë të posaçme me temë “Parandalimi i largimit: Shqipëria dhe migrimi i myslimanëve kosovarë drejt Turqisë gjatë periudhës ndërmjet dy luftërave”.
Aktiviteti organizohet bashkërisht nga Ambasada e Shqipërisë dhe Ambasada e Kosovës në Londër dhe do të trajtojë përpjekjet e shtetit shqiptar për të frenuar emigrimin e shqiptarëve myslimanë nga Mbretëria e Jugosllavisë drejt Turqisë në vitet 1932–1938.
Ligjërata fokusohet në një periudhë historike të ndikuar nga Traktati i Lozanës i vitit 1923 dhe nga përdorimi i transferimeve të popullsive si instrument i politikave shtetformuese në rajon.
Duke u mbështetur në dokumente arkivore dhe korrespondencë mes Ministrisë së Jashtme shqiptare dhe konsullatave rajonale, Dr. Shahollari do të analizojë politikat kolonizuese jugosllave, reformat agrare dhe reagimin institucional shqiptar ndaj largimit masiv të shqiptarëve nga Kosova dhe Maqedonia.
Të interesuarit mund të konfirmojnë pjesëmarrjen përmes emailit: [email protected], me subjektin “Nash Talk”.



