Historia e Stefanias është një histori që tejkalon kufijtë gjeografikë dhe ndoshta edhe ata imagjinarë. Dikur një fëmijë shqiptar që u rrit dhe u formua në Greqi, sot mësuese në një shkollë fillore publike në zonën e Selanikut, ajo përfaqëson brezin që jo vetëm u integrua në shoqërinë greke, por arriti të ruajë të paprekur fijet më të thella të përkatësisë.
E shkolluar, e punësuar dhe e realizuar profesionalisht në realitetin grek, Stefania nuk e ka zbehur lidhjen me gjuhën dhe vendlindjen. Përkundrazi, ajo e ka shndërruar shqipen në një hapësirë të brendshme që e shoqëron në jetën personale dhe në misionin e saj pedagogjik.
Sot, në klasën e saj mësojnë fëmijë shqiptarë të brezit të dytë ndoshta dhe të tretë, të lindur në Greqi – fëmijë që shpesh jetojnë mes dy referencave kulturore. Me ta, Stefania ka gjetur një bosht të përbashkët: gjuhën. Duke u folur shqip, ajo nuk kryen thjesht një akt komunikimi, por ndërton një marrëdhënie të re kujtese dhe bashkëjetese. Në atë shkëmbim të ndërsjellë, ajo mëson nga përvojat e tyre, ndërsa ata mësojnë prej saj të artikulojnë krenarinë për rrënjët e tyre.
Kështu, në hapësirën e një klase fillore, lind një formë e re lidhjeje – një identitet i ndërthurur, që nuk mohon asnjërën prej përkatësive, por i harmonizon ato. Gjuha bëhet urë, kujtesë dhe vazhdimësi; një dëshmi se integrimi dhe ruajtja e rrënjëve nuk janë procese që përjashtojnë njëri-tjetrin, por mund të bashkëjetojnë në mënyrë dinjitoze dhe krijuese.
Stefania, si e përshkruan veten sot: më shumë shqiptare, më shumë greke apo një kombinim i të dyjave?
Sot e përshkruaj veten si një kombinim harmonik të dy kulturave. Jam shqiptare nga rrënjët, nga kujtimet e fëmijërisë dhe nga gjuha e zemrës, por jam edhe greke nga jeta e përditshme, nga formimi im profesional dhe nga realiteti që kam ndërtuar këtu. Nuk ndiej nevojën të zgjedh mes tyre. Përkundrazi, ndiej se të dyja më plotësojnë dhe më kanë ndihmuar të zhvilloj një identitet të pasur dhe të hapur.
Si e ke ndjerë identitetin tënd kur ishe fëmijë në shkollën greke? A ke pasur momente kur ndjeje se “dalloje” nga të tjerët?
Kur erdha në Greqi në moshën 9-vjeçare, gjithçka ishte e panjohur. Po, kishte shumë momente kur ndihesha ndryshe. Përjetova racizëm, por edhe shumë dashuri dhe mbështetje. Këto përvoja më mësuan që pranimi dhe respekti janë themeli i çdo marrëdhënieje njerëzore. Sot, si mësuese në një shkollë greke, përpiqem çdo ditë të krijoj një ambient ku çdo fëmijë ndihet i barabartë dhe i dëgjuar.
A i njihje “zakonet” shqiptare? A përpiqeshe të ruaje zakonet, gjuhën dhe traditat shqiptare në jetën e përditshme?
Në familje përpiqeshim të ruanim gjuhën dhe disa tradita shqiptare. Shqipja flitej në shtëpi dhe kujtimet nga vendlindja mbetën gjithmonë të gjalla. Megjithatë, si shumë fëmijë emigrantë, shpesh përpiqesha të përshtatesha me realitetin grek për të mos u ndier e veçuar.
Në çfarë mënyre kultura greke ka ndikuar tek ty dhe tek perceptimi yt për identitetin?
Greqia është vendi ku u rrita, u formova profesionalisht dhe realizova ëndrrën time për t’u bërë mësuese në një shkollë greke. Kultura greke më mësoi rëndësinë e arsimit, dialogut dhe bashkëjetesës. Jam mirënjohëse për mundësitë që më janë dhënë dhe për rrugën që kam ndërtuar këtu.
Si e ke përjetuar mësimin e gjuhës shqipe krahas shkollës greke? A është ndonjëherë e vështirë të menaxhoje dy gjuhë?
Në fillim ishte sfiduese. Dy gjuhë, dy botë. Me kalimin e kohës kuptova se kjo është një pasuri e madhe. Dy-gjuhësia më ka ndihmuar të zhvilloj empati, fleksibilitet dhe aftësi komunikimi.
A mendon se të folurit shqip ka ndikuar në mënyrën se si mendon, ndjen ose shpreh emocione?
Po, absolutisht. Shqipja është gjuha me të cilën ndjej më thellë. Disa emocione shprehen më natyrshëm në shqip – është gjuha e fëmijërisë sime.
Kur flet shqip me familjen ose me nxënësit, çfarë ndjesie ke? A e ndjen si një mënyrë për të mbajtur gjallë lidhjen me rrënjët e tua?
Kur flas shqip me familjen apo me nxënësit, ndiej një ngrohtësi të veçantë dhe një lidhje të thellë emocionale. Shqipja është gjuha e kujtimeve të mia të para dhe e ndjenjave më autentike. Për mua është një mënyrë për të mbajtur gjallë rrënjët e mia, por edhe për t’u transmetuar fëmijëve ndjesinë e sigurisë, pranimit dhe respektit për prejardhjen e tyre. Në ato momente, gjuha bëhet urë komunikimi dhe besimi.
Si i perceptojnë fëmijët e klasës shqipe? A ka momente kur ata e shohin si diçka të rëndësishme për identitetin e tyre?
Fillimisht shumë prej tyre e shohin si diçka dytësore krahas greqishtes. Me kalimin e kohës, përmes dialogut dhe mbështetjes, fillojnë ta kuptojnë se shqipja është pjesë e identitetit të tyre. Gradualisht fitojnë më shumë vetëbesim dhe krenari.
Cilat janë momentet më të veçanta kur ndjen krenari për gjuhën shqipe?
Kur shoh një fëmijë që fillon të flasë me më shumë siguri ose kur një nxënës kupton se gjuha e tij është një pasuri, jo një pengesë.
Si lind ideja për të folur shqip me nxënësit shqiptarë në klasën greke?
Lindi natyrshëm, nga dëshira për t’i bërë të ndihen të pranuar dhe të sigurt në klasë.
Sa shpesh përdoret shqipja gjatë aktivitetit të përditshëm në klasë?
Shqipja nuk përdoret vazhdimisht gjatë mësimit, pasi gjuha zyrtare e shkollës është greqishtja. Megjithatë, e përdor në momente mbështetëse, sqaruese ose emocionale, kur ndiej se fëmijët kanë nevojë të shprehen më lirshëm. Këto momente, edhe pse të vogla, janë shumë të rëndësishme për krijimin e një klime besimi, sigurie dhe respekti në klasë.
Në cilat situata apo aktivitete nxënësit flasin më shumë shqip me ju?
Kur kanë nevojë të shprehin ndjenja, vështirësi ose kujtime personale.
Si ndihmon ky komunikim në përmirësimin e shqipes së tyre dhe tuajën?
Ndihmon në forcimin e shqipes së tyre dhe njëkohësisht më ndihmon edhe mua të përmirësoj gjuhën time, pasi prej një viti e gjysmë ndjek mësime shqipe për certifikim.
A keni vënë re ndryshime në mënyrën se si nxënësit e përdorin shqipen gjatë kohës?
Po, nxënësit flasin më lirshëm dhe me më shumë vetëbesim.
A ka ndonjë lojë, aktivitet ose metodë që përdorni për të nxitur përdorimin e shqipes në klasë?
Po, lojëra fjalësh, tregime të shkurtra, këngë dhe biseda spontane.
Si e perceptoni ndikimin e këtyre bisedave në ndërtimin e identitetit të nxënësve shqiptarë?
I ndihmojnë të pranojnë veten dhe prejardhjen e tyre.
A keni krijuar një lidhje emocionale me nxënësit përmes shqipes? Në çfarë mënyre e ndjeni këtë lidhje?
Po. Shqipja krijon një urë besimi mes meje dhe fëmijëve.
Si reagojnë prindërit e nxënësve kur shohin që fëmijët praktikojnë shqipen në klasë?
Shumë pozitivisht. Ndihen të qetë kur shohin që fëmijët e tyre nuk humbin gjuhën amtare.
Çfarë ndjenja ju japin momentet kur shihni nxënësit të komunikojnë natyrshëm në gjuhën e tyre të origjinës?
Krenari dhe emocion. Është sikur shoh veten time të vogël.
Nëse do t’u japësh një mesazh nxënësve të tu shqiptarë që rriten në Greqi, cili do të ishte ai mesazh lidhur me gjuhën dhe identitetin?
Nëse do t’u jepja një mesazh nxënësve të mi shqiptarë që rriten në Greqi, do t’u thosha: mos kini kurrë turp për gjuhën dhe rrënjët tuaja. Shqipja është një pasuri e çmuar dhe një pjesë e pandashme e identitetit tuaj. Mbajeni gjallë, flisni, lexoni dhe ndani historitë tuaja. Të keni dy gjuhë dhe dy kultura është një forcë e madhe, jo një pengesë. Mund të jeni njëkohësisht shqiptarë dhe pjesë e shoqërisë greke. Identiteti juaj është i pasur dhe unik — dhe duhet ta përqafoni me krenari.







