Ngjarja u nderua nga prania e përfaqësuesve të lartë institucionalë, ndër të cilët Konsullja e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë, Anila Pojani, si dhe Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, Diamant Kastrati. Të pranishëm ishin gjithashtu përfaqësues të institucioneve të arsimit dhe politikës së jashtme nga Shqipëria dhe Kosova, duke i dhënë aktivitetit një rëndësi të veçantë.
Një përshëndetje të ngrohtë përcolli edhe Drejtoresha e Qendra e Botimeve për Diasporën, Mimoza Hysa, e cila vlerësoi rolin kyç të këtij institucioni në mbështetjen e mësimit të gjuhës shqipe në diasporë. Ajo theksoi se përmes teksteve mësimore, aktiviteteve kulturore dhe nismave konkrete, Qendra kontribuon në ruajtjen e identitetit kombëtar tek brezat e rinj.
Në përfundim të konkursit, u shpallën edhe fituesit:
Vendi i parë: Shkolla shqipe “Artur Lleshi” në Itali, grupi “Filizat”
Vendi i dytë: Shkolla shqipe “Artur Lleshi” në Itali, grupi “Njomëzat”
Vendi i tretë: Shkolla shqipe në Malmö, Suedi
Një vlerësim i veçantë iu kushtua mësuesve të shkollës shqipe “Artur Lleshi”, të cilët me përkushtim dhe profesionalizëm të lartë përgatitën nxënësit, duke arritur rezultate të shkëlqyera në këtë garë.
“Falënderime të përzemërta shkojnë për organizatorët, Shoqata Shqiptare Besëlidhja dhe Shoqata Iliria, për punën dhe angazhimin e tyre në realizimin e kësaj ngjarjeje të rëndësishme për arsimin dhe kulturën shqiptare në diasporë”, thuhet në njoftim.
Ky konkurs nuk ishte thjesht një garë diturie, por një dëshmi e gjallë e përkushtimit për ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës shqipe – një urë e fortë që lidh brezat me rrënjët dhe identitetin tonë kombëtar.




