Nga Yllka Lezo
Gjuha shqipe në Slloveni është sot një realitet i gjallë dhe i organizuar, falë përkushtimit të mësuesve që e mbajnë kultivojnë të gjallë ndër breza. Prej vitit 2010, mësuesja e gjuhës shqipe Vera Haliti punon me fëmijët shqiptarë në qytetin e Celjes në Slloveni, duke u ofruar atyre mundësinë të mësojnë gjuhën e nënës dhe të ruajnë identitetin kulturor. Prej vitit 2024, ajo zhvillon mësim të rregullt për rreth 20 nxënës, sipas planprogramit të diasporës të hartuar nga Ministritë e Arsimit të Kosovës dhe Shqipërisë.
Vera është ndër të paktët shqiptarë të vendosur në Sllovëni në vitet 1990. Ajo emigroi në Slloveni në vitin 1994, vetëm 18 vjeçe. Sfida e saj më e madhe ishte gjuha sllovene, të cilën e mësoi në mënyrë autodidaktike, mes vështirësish dhe mungesës së kurseve integruese. Pas humbjes së bashkëshortit në vitin 2003, mbeti e vetme me dy fëmijë dhe u detyrua të rindërtonte jetën përmes arsimimit dhe kualifikimeve të shumta profesionale. Me këmbëngulje arriti të bëhet interprete gjyqësore e parë femër për gjuhën shqipe në Slloveni dhe prej vitit 2007 punon si e vetëpunësuar në këtë fushë. Në vitin 2023 përfundoi studimet e larta në Shkencat Sociale dhe vijon rrugëtimin akademik në nivel master, duke dëshmuar një histori integrimi të ndërtuar mbi përkushtim dhe forcë personale.
Paralelisht vazhdon misionin dhe pasionin e saj në ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës shqipe. Çdo të diel jep mësim në mënyrë vullnetar. Në kuadër të shkollës shqipe “Dallëndyshet”, ajo ka formuar edhe një grup folklorik në Zhalec, pranë Celjes, duke e kthyer shkollën në një qendër të vogël kulture shqiptare.
Nën drejtimin e saj, nxënësit kanë marrë pjesë në aktivitete ndërkombëtare, përfshirë Festivalin Ndërkombëtar Teatror të Fëmijëve në Gjuhën Shqipe në Zagreb, ku u vlerësuan me çmimin për shfaqjen më të mirë të diasporës për pjesën “Karuseli i Ndjenjave”, me skenar të shkruar nga vetë ajo.
Historia e saj personale në Slloveni, e nisur në vitin 1994, është rrëfim sfidash, sakrifice dhe këmbënguljeje – një histori që sot përkthehet në mision: ruajtjen dhe forcimin e gjuhës shqipe në diasporë.
Vera çfarë ju motivon të angazhoheni kaq shumë për komunitetin shqiptar, edhe pas më shumë se dy dekadash në emigracion?
Duke u nisur nga përvojat e mia personale dhe përvojat e punës sime, e kam kuptuar shumë mirë komunitetin shqiptar këtu. Ia di hollësisht se ku mund të hasin vështirësi dhe mënyrat se si t’i kapërcejnë ato. Që nga viti 2007 kam punuar jo vetëm nëpër gjykata dhe polici, por kam bashkëpunuar ngushtë me shumë institucione dhe organizata, qeveritare dhe joqeveritare. Më së shumti kam bashkëpunuar me shkollat, qendrat e punës sociale dhe të gjitha sektorët e saj, spitalet, njësitë administrative… Gjithmonë kam qenë e pranishme kur shfaqeshin situata të rënda, ku vetëm përkthimi nuk mjaftonte; duhej që familjen, nënën ose fëmijën edhe ta qetësoja, tia sqaroja në një gjuhë të thjeshtë, ta ndjeja në pafuqinë e rastit dhe ta mbështesja me ndihmën e institucionit përkatës.
Kështu, gjatë viteve janë akumuluar shumë raste ku kam pasur sukses në gjetjen e zgjidhjeve të tyre. Sigurisht që, për t’i arritur një shkalle të lartë profesionalizmi, nuk kam rreshtur kurrë së mësuari, së trajnuari dhe së kërkuari ndihmë.
Si e përshkruani lidhjen tuaj me kulturën dhe traditat shqiptare ndërsa jetoni larg atdheut?
Duke pasur parasysh që në Slloveni kam ardhur në një moshë shumë të re dhe periudha kur jam larguar nga Shqipëria ka qenë një kohë trazirash – ku nuk ishte fokusi tek traditat e bukura shqiptare, por tek ikja dhe rebelimi – duke i shtuar kësaj edhe sfidat e jetës që i pata këtu, nga traditat shqiptare kam arritur të ruaj bujarinë, solidaritetin dhe gjuhën.
Gatimin kryesisht e kam mësuar këtu; sigurisht, përgatitjen e disa ushqimeve dhe ëmbëlsirave tradicionale e kam ruajtur që atëherë. Disa të tjera i kam mësuar me kohën, këtu, nëpërmjet bashkëpunimit me komunitetin shqiptar. Shumë tradita shqiptare të shqiptarëve të Kosovës dhe Maqedonisë i njoh nga afër, por vetë nuk i praktikoj.
Mënyra ime e jetesës ndërthuret midis disa kulturave: të vendit ku jetoj, të njerëzve me të cilët punoj, shoqërohem dhe miqësohem. Ata nuk janë vetëm shqiptarë apo sllovenë, janë të kombeve të ndryshme. Kjo e ka bërë jetën time më të pasur, dhe kështu kam ditur të përshtatem me individë të ndryshëm, por pa e mohuar asnjë çast identitetin tim; përkundrazi, e kam promovuar atë në mënyrën më të denjë të mundur. Kam përshtypjen se lidhja ime me rrënjët e mia sa vjen e forcohet më shumë.
Ju jeni njohëse e mirë e gjuhës sllovene, përkthyese ligjore dhe mësuese. Si keni vendosur të angazhoheni në këto fusha dhe cila ka qenë sfida më e madhe profesionale?
Vendimi për t’u angazhuar në fushën e gjuhës, përkthimit ligjor dhe mësimdhënies nuk ka qenë i menjëhershëm, por ka ardhur si rezultat i një rrugëtimi të gjatë personal dhe profesional. Duke jetuar dhe punuar për vite me radhë mes dy kulturave dhe dy sistemeve gjuhësore, e kuptova se gjuha nuk është thjesht mjet komunikimi, por përgjegjësi, identitet dhe urë lidhëse mes njerëzve.
Njohja e mirë e gjuhës sllovene erdhi si domosdoshmëri jetese, por me kalimin e kohës u kthye në pasion dhe profesion. Edhe sot nuk kam rreshtur së mësuari, sepse kam një kureshtje të vazhdueshme për ta përsosur shprehjen, për ta bërë përkthimin sa më të natyrshëm, të saktë dhe cilësor. Çdo tekst, çdo situatë ligjore apo institucionale paraqet sfida të reja gjuhësore, të cilat i përballoj me përkushtim dhe kënaqësi.
Në të njëjtën kohë, gjuha shqipe për mua është e shenjtë. Ajo nuk është vetëm gjuha ime amtare, por pjesë thelbësore e identitetit tim. E kam ruajtur dhe kultivuar me vetëdije, duke u përpjekur që të mos mbetet e “ngrirë” apo e kufizuar, siç ndodh shpesh me gjuhën e emigrantëve që nuk zhvillohet në kontakt me realitetin bashkëkohor. Përkundrazi, jam përpjekur ta pasuroj dhe ta përcjell tek fëmijët shqiptarë në formën e saj letrare dhe të pastër.
Ndërthurja e këtyre dy gjuhëve – respekti dhe dashuria për sllovenishten si gjuha e jetës së përditshme dhe përkushtimi ndaj shqipes si gjuhë e rrënjëve – më ka bërë më kompetente dhe më të sigurt në profesionin tim si përkthyese ligjore dhe mësuese.
Sa i përket sfidës më të madhe profesionale, ajo ka qenë pikërisht përgjegjësia për të përkthyer saktë në kontekste ligjore, ku çdo fjalë ka peshë dhe pasoja konkrete për jetën e njerëzve. Në këto raste nuk mjafton njohja e gjuhës; kërkohet profesionalizëm, etikë, përqendrim maksimal dhe ndjeshmëri kulturore. Të arrish të përkthesh jo vetëm fjalët, por edhe kuptimin e plotë juridik dhe emocional të situatës mbetet një nga sfidat më të mëdha dhe njëkohësisht një nga përgjegjësitë më të rëndësishme të profesionit tim.
Si ndihmon puna juaj në integrimin e fëmijëve dhe grave shqiptarë në shoqërinë sllovene?
Puna ime ka një rol të drejtpërdrejtë dhe shumëdimensional në integrimin e fëmijëve dhe grave shqiptare në shoqërinë sllovene. Duke qenë çdo ditë në kontakt me gjykatat, policinë, shkollat, qendrat e punës sociale, spitalet dhe institucione të tjera, unë nuk jam vetëm përkthyese e fjalëve, por shpeshherë edhe urë komunikimi dhe mirëkuptimi mes dy kulturave.
Për fëmijët, sidomos në situata të ndjeshme si proceset shkollore apo rastet sociale, ndihma ime konsiston jo vetëm në përkthim, por edhe në sqarimin e situatave në një gjuhë të thjeshtë dhe të kuptueshme për prindërit dhe vetë fëmijët. Kjo ndihmon që ata të ndihen më të sigurt, të kuptuar dhe të mbështetur, duke ulur frikën dhe pasigurinë që shpesh vjen nga mosnjohja e gjuhës apo e sistemit. Kur familja kupton më mirë institucionet, rritet edhe besimi ndaj tyre dhe lehtësohet integrimi i fëmijës në shkollë dhe në shoqëri.
Sa i përket grave shqiptare, veçanërisht atyre që përballen me sfida sociale, ligjore apo familjare, unë mundohem të jem jo vetëm interprete, por edhe mbështetje emocionale dhe informuese. I ndihmoj të kuptojnë të drejtat dhe detyrimet e tyre, procedurat ligjore dhe mundësitë që ofron shteti slloven. Kjo u jep më shumë vetëbesim dhe pavarësi, duke i inkurajuar të marrin pjesë aktive në jetën shoqërore dhe institucionale.
Përvoja ime personale si emigrante më ka ndihmuar të kuptoj thellë vështirësitë që has ky komunitet, prandaj përpiqem që përmes profesionalizmit dhe empatisë të krijoj një ambient besimi dhe bashkëpunimi. Në këtë mënyrë, puna ime kontribuon jo vetëm në zgjidhjen e rasteve konkrete, por edhe në ndërtimin e një procesi më të qëndrueshëm integrimi për fëmijët dhe gratë shqiptare në shoqërinë sllovene.
Ju aktualisht jeni ndërmjetësuese kulturore. Cilat janë përgjegjësitë kryesore të këtij roli dhe çfarë kuptimi ka për komunitetin shqiptar?
Aktualisht ushtroj edhe profesionin e ndërmjetësueses ndërkulturore, një rol që në Slloveni është zhvilluar relativisht vonë, por që sot konsiderohet i domosdoshëm në një shoqëri gjithnjë e më shumëkulturore. Jam një nga bashkëthemelueset e këtij profesioni, pasi kam qenë e përfshirë që në projektin e parë pilot rreth vitit 2014. Ky projekt lindi si nevojë konkrete për t’u ardhur në ndihmë komuniteteve të margjinalizuara. Sipas hulumtimeve të realizuara nga Fakulteti Filozofik (Departamenti i Etnologjisë dhe Antropologjisë Kulturore) në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, rezultoi se komuniteti shqiptar ishte ndër komunitetet ku institucionet e kishin më të vështirë të depërtonin dhe të krijonin komunikim efektiv.
Nga kjo nevojë filluan edhe projekte të tjera, të cilat dëshmuan se ndërmjetësimi ndërkulturor nuk është i nevojshëm vetëm për komunitetin shqiptar, por për të gjitha komunitetet që jetojnë dhe bashkëjetojnë në Slloveni. Në vitin 2018 arritëm ta formalizojmë dhe legalizojmë këtë profesion, duke krijuar sistemin e certifikimit përmes kualifikimit kombëtar profesional. Sot jam anëtare e komisionit për pajisjen me këtë certifikatë, jo vetëm për ndërmjetësuesit e komunitetit shqiptar, por edhe për komunitete të tjera. Ndër përgjegjësitë kryesore të këtij profesioni janë: Ndërmjetësimi gjuhësor – Konsiston në transferimin e saktë dhe të plotë të mesazhit nga një gjuhë në tjetrën, pa i shuar ose hequr asgjë. Saktësia dhe paanshmëria janë thelbësore, veçanërisht në sektorë si shëndetësia, arsimi, shërbimet sociale apo administrata. Mbështetja në raste konkrete; Zgjidhja e keqkuptimeve dhe Ndërmjetësimi i kuptimeve kulturore: Shpjegimi i kontekstit kulturor të pacientit apo familjes për profesionistin dhe anasjelltas – pra “përkthimi i kulturës”, jo vetëm i gjuhës. Advokimi (përfaqësimi në mbrojtje të interesave) – Në raste të caktuara, ndërmjetësuesi mund të flasë në emër të palës për të mbrojtur interesat e saj, veçanërisht kur rrezikohen të drejtat themelore të njeriut dhe personi nuk është në gjendje t’i kuptojë apo t’i artikulojë ato. Kjo kërkon profesionalizëm të lartë, vetëdije etike dhe kujdes maksimal për të mos u ndikuar nga paragjykimet personale, bindjet individuale apo ndjenjat e inferioritetit.
Për komunitetin shqiptar, ky rol ka një rëndësi të veçantë. Ai krijon ura besimi mes institucioneve dhe familjeve shqiptare, lehtëson qasjen në shërbime publike dhe ndihmon në shmangien e izolimit social. Ndërmjetësimi ndërkulturor kontribuon në integrim më të shëndetshëm dhe më të qëndrueshëm, sepse nuk kërkon asimilim, por mirëkuptim të ndërsjellë. Në thelb, ky profesion i jep zë komunitetit, ia ruan dinjitetin, forcon komunikimin dhe ndihmon që proceset institucionale të jenë më të drejta, më të qarta dhe më humane për të gjithë.
A mund të na tregoni për ndonjë projekt ose iniciativë që ju ka bërë më shumë krenare deri tani?
Do të veçoja ekskursionet mësimore në Kosovë dhe Shqipëri (2016–2017). Në bashkëpunim me ish-Ministrinë e Diasporës së Kosovës, morën pjesë nxënës shqiptarë që jetojnë në Slloveni, si të lindur aty, ashtu edhe të ardhur nga viset e Kosovës, si dhe mësues, pedagogë, punonjës socialë dhe drejtoresha dhe nxënës sllovenë të shkollave fillore sllovene.
Nxënësit u njohën nga afër me gjuhën, kulturën dhe historinë shqiptare përmes vizitave në muze, monumente historike, kulturore dhe natyrore, si dhe vizitave në shkolla fillore në Kosovë. Ky kontakt i drejtpërdrejtë me vendin dhe traditat e tyre i ndihmoi nxënësit të forconin lidhjet me rrënjët e tyre dhe të zhvillonin një identitet më të fortë kulturor.
Nga ana tjetër, punonjësit e arsimit slloven patën mundësinë të kuptonin më mirë kulturën dhe historinë e shqiptarëve, veçanërisht të nxënësve që ata mësuan në shkollat e tyre, duke sfiduar paragjykimet dhe duke bërë procesin mësimor më efektiv dhe inovativ. Ekskursionet krijuan lidhje më të ngrohta midis nxënësve dhe mësuesve, duke i njohur nxënësit në një prizëm më të relaksuar dhe më të afërt.
Gjithashtu programi i Aktivizimit Social i Grave Shqipfolëse, i cili filloi në vitin 2017 dhe zgjati gjashtë muaj, tre muaj në Velenje dhe tre muaj në Celje, me gjithsej 30 pjesëmarrëse. Ky projekt lindi si rezultat i zhvillimit të profesionit të ndërmjetësueses ndërkulturore dhe u realizua në bashkëpunim me Universitetin Popullor të Celjes si zbatues i projektit, bashkëfinancuar nga Fondet Evropiane dhe Ministria për Punë, Familje, Çështje Sociale dhe Shanse të Barabarta.
Si ndërmjetësuese ndërkulturore e parë, së bashku me koleget e mia vendosëm themelet e këtij programi, i cili vazhdon edhe sot, tashmë i avancuar dhe i zgjeruar në gjashtë muaj. Programi është strukturuar në mënyrë që pjesëmarrëset të informohen plotësisht, të njohin sistemet shoqërore, gjuhën dhe kulturën, të kryejnë praktikë në vende të ndryshme pune dhe të trajtohen në mënyrë holistike. Qëllimi kryesor është gjithëpërfshirja dhe integrimi i grave shqiptare në shoqërinë sllovene, duke u mundësuar punësim, pjesëmarrje në kurse profesionale ose vazhdim të arsimit.
Padiskutim mësimdhënia e gjuhës shqipe dhe aktivitetet kulturore. Kam zhvilluar kurse të gjuhës shqipe për fëmijët shqiptarë që nga viti 2010, ndërsa nga viti shkollor 2024–2025 ofroj mësim të rregullt për një klasë me rreth 20 nxënës sipas planprogramit të diasporës, të hartuar nga Ministria e Arsimit e Kosovës dhe e Shqipërisë. Mësimi zhvillohet të dielave për dy orë në mënyrë vullnetare. Në kuadër të shkollës, respektivisht mësimit plotësues, kam formuar edhe një grup folklorik që momentalisht përbëhet nga 5 nxënëse të shkollës fillore të një qyteze të quajtur Zhalec, në afërsi të Celjes. Para disa vitesh kam mbajtur një kurs të gjuhës shqipe për punonjës të arsimit në Universitetin Popullor. Në kuadër të shkollës shqipe “Dallëndyshet”, nxënësit kanë marrë pjesë në aktivitete ndërkombëtare, përfshirë Festivalin Ndërkombëtar Teatror të Fëmijëve në Gjuhën Shqipe në Zagreb, ku nxënësit morën Çmimin për shfaqjen më të mirë të nxënësve të diasporës shqiptare me pjesën teatrale Karuseli i Ndjenjave, skenarin e së cilës e kam shkruar vetë, frymëzuar nga filmi Inside Out.
Gjithahstu përkthime dhe materiale edukative. Kam përkthyer disa doracakë dhe shumë dokumente shtetërore, si dhe dy libra për fëmijë nga autorja Božena Lesjak, me titujt “Besoju atyre që të duan” dhe “Çdo gjë ndodh për një arsye”. Kam realizuar përkthimin masiv të kursit online të gjuhës sllovene (tre nivele), të hartuar nga Fakulteti Filozofik i Ljubljanës, i cili është përkthyer edhe në shtatë gjuhë të huaja dhe është i disponueshëm falas për të gjithë në aplikacionin slonline.si.

Sipas mendimit tuaj si mund të ndërtohet një bashkëjetesë e suksesshme midis identitetit shqiptar dhe integrimit në shoqërinë sllovene?
Integrimi i komunitetit shqiptar në shoqërinë sllovene ka pasur gjithmonë sfidat e veta. Përtej gjuhës, sfida më e madhe lidhet me kuptimin e normave sociale dhe procedurave institucionale, si dhe përballimin e paragjykimeve që ndonjëherë hasen nga institucione të ndryshme. Një tjetër sfidë është ruajtja e identitetit kulturor ndërsa ndërtohet një identitet i ri në vendin pritës. Fëmijët që lindin në Slloveni shpesh ballafaqohen me dy kultura paralelisht – atë të familjes dhe atë të shkollës. Kjo kërkon ndihmë dhe mbështetje të vazhdueshme për të kuptuar rolin e tyre në shoqëri dhe për të ndërtuar vetëbesim. Bashkëjetesa kulturore është thelbësore për një integrim të suksesshëm. Roli i ndërmjetësuesit ndërkulturor dhe i edukatorit në këtë proces është të krijojë ura komunikimi, të sqarojë keqkuptimet dhe të promovojë mirëkuptimin e ndërsjellë. Kur institucioni kupton kontekstin kulturor të familjes dhe komuniteti mëson për mënyrat dhe rregullat e vendit pritës, krijohet një ambient më i qetë dhe më i qëndrueshëm për të gjithë.
Si e perceptoni rolin e grave dhe vajzave shqiptare në këtë proces integrimi?
Gratë shqiptare shpesh përballen me sfida të dyfishta – integrimin në shoqëri dhe ruajtjen e identitetit kulturor, si dhe menaxhimin e përgjegjësive familjare dhe shoqërore. Roli im është t’u siguroj mbështetje për të kuptuar të drejtat dhe detyrimet e tyre, për t’i ndihmuar të marrin pjesë në kurse profesionale, arsimin e mëtejshëm apo aktivitete sociale dhe kulturore si dhe të punësohen. Ky angazhim ka një efekt domino: kur gruaja integrohet dhe ndihmohet, ajo shpesh bëhet urë për fëmijët dhe pjesëtarët e tjerë të familjes. Fuqizimi i grave është një hap drejt një komuniteti më të fortë dhe më të bashkuar, që mund të kontribuojë në shoqëri në mënyrë aktive dhe të ndihmojë në ndërgjegjësimin e komunitetit për rëndësinë e arsimit dhe bashkëpunimit.
Ju jeni angazhuar edhe në kurse dhe projekte për fëmijë dhe të rinj. Çfarë ndikimi shpresoni të ketë kjo në brezin e ardhshëm të shqiptarëve në Slloveni?
Angazhimi im në kurse dhe projekte për fëmijë dhe të rinj synon të krijojë një hapësirë ku brezi i ardhshëm i shqiptarëve në Slloveni të ndjehet i pranuar, i sigurt dhe i motivuar për të zhvilluar aftësitë e tij. Përmes mësimit të gjuhës shqipe, njohjes së kulturës dhe traditave tona, si dhe përfshirjes në aktivitete kulturore dhe edukative, fëmijët dhe të rinjtë forcojnë identitetin e tyre shqiptar ndërkohë që integrohen në shoqërinë sllovene. Besoj se kjo do të ndihmojë në ndërtimin e një brezi me vetëbesim, i cili di të ruajë rrënjët e veta, të respektojë kulturat e tjera dhe të ndërtojë ura bashkëpunimi dhe mirëkuptimi mes komuniteteve. Në këtë mënyrë, projekti jo vetëm edukon, por gjithashtu nxit integrimin e qëndrueshëm dhe zhvillimin personal dhe shoqëror të fëmijëve shqiptarë në Slloveni.
Cili është vizioni juaj për një komunitet shqiptar të integruar dhe të fuqizuar në Slloveni?
Në të ardhmen, vizioni im është që komuniteti shqiptar të jetë pjesë aktive dhe e integruar në shoqërinë sllovene, duke ruajtur identitetin e vet kulturor dhe gjuhësor. Unë shoh një komunitet që kontribuon në të gjitha aspektet – në shkollë, në punë, në aktivitete kulturore dhe sociale – dhe që përbën urë mes dy kulturave.
Për ta arritur këtë, duhet vazhdimisht të investojmë në edukim, ndërmjetësim ndërkulturor, projekte kulturore dhe mundësi për gratë dhe fëmijët. Integrimi nuk do të thotë asimilim, por mirëkuptim dhe respekt i ndërsjellë. Kur çdo anëtar i komunitetit ndihet i përfshirë dhe i mbështetur, rritet cilësia e jetës dhe solidariteti brenda shoqërisë sllovene në tërësi.
Çfarë mesazhi do t’u dërgonit shqiptarëve që sapo kanë emigruar dhe po përballen me sfida të integrimit?
Për çdo emigrant të ri që vjen në Slloveni, mesazhi im është i thjeshtë: mos kini frikë të kërkoni ndihmë dhe të mësoni gjuhën dhe rregullat e vendit. Është normale të ndiheni të humbur në fillim, por çdo hap që bëni drejt njohjes së shoqërisë së re është një hap drejt pavarësisë dhe suksesit tuaj.
Ruani identitetin dhe kulturën tuaj, por mësoni të bashkëjetoni me të tjerët. Kërkoni rrugë për të kontribuar dhe për të ndihmuar komunitetin tuaj dhe shoqërinë pritëse. Nëse keni mbështetje dhe kurajo, mund të krijoni një jetë të suksesshme dhe të lumtur, ndërkohë që përhapni kulturën dhe traditat tuaja në një ambient të ri.



