Shqipëria drejt prokurimit publik të gjelbër dhe social

E martë, 17 Nëntor, 2026

Nga Fatos Çoçoli

Prokurimi publik përfaqëson një nga instrumentet më të fuqishme ekonomike të shtetit, pasi përmes tij realizohen blerje të mallrave, shërbimeve dhe punëve publike me vlera të konsiderueshme financiare. Në Shqipëri, orientimi drejt prokurimit publik të gjelbër dhe social përbën një hap të rëndësishëm për modernizimin e ekonomisë, mbrojtjen e mjedisit dhe rritjen e ndikimit social të shpenzimeve publike.

Ky model synon që shteti të mos përzgjedhë vetëm ofertën me çmimin më të ulët, por të marrë në konsideratë edhe ndikimin mjedisor, eficiencën energjetike, kushtet sociale dhe të punës dhe përfshirjen e grupeve vulnerabël.

Prokurimi publik i gjelbër nënkupton që institucionet shtetërore blejnë produkte dhe shërbime që kanë ndikim më të ulët mjedisor gjatë gjithë ciklit të tyre të jetës. Ndërsa prokurimi social integron kritere që mbështesin objektiva sociale dhe përfshirëse. Ai promovon punësimin e personave me aftësi ndryshe, barazinë gjinore, respektimin e të drejtave të punës, kushte të sigurta pune dhe përfshirjen e ndërmarrjeve sociale dhe SME-ve. Në këtë mënyrë, fondet publike përdoren jo vetëm për shërbime, por edhe për ndikim pozitiv social.

Operatori i Blerjeve të Përqendruara të Shqipërisë po punon me intensitet për realizimin e këtyre dy lloj prokurimeve publike të kërkuara nga Bashkimi Evropian në procesin e integrimit.

Ky operator, për këtë qëllim, mori pjesë në një takim ndërkombëtar të organizuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim(BERZH) në Poloni, i fokusuar në zbatimin e kritereve të qëndrueshmërisë në prokurimin publik, një nga prioritetet kryesore të reformimit të këtij sektori në nivel europian dhe më gjerë.

Gjatë këtij aktiviteti, Operatori i Blerjeve të Përqendruara të Shqipërisë u prezantua si një histori suksesi në përfshirjen e kritereve mjedisore dhe sociale në procedurat e prokurimit publik në vend.

Drejtuesja e institucionit, znj. Arlinda Pogaj dhe përfaqësues të tjerë të Operatorit ndanë përvojën konkrete mbi mënyrën se si standardet e qëndrueshmërisë janë integruar në dokumentet e tenderave, në specifikimet teknike dhe në kriteret e vlerësimit, duke synuar jo vetëm rritjen e eficiencës në përdorimin e fondeve publike, por edhe ndikimin pozitiv në mjedis dhe shoqëri.

Në fokus të diskutimeve ishte rëndësia e prokurimit të gjelbër dhe social si një instrument kyç për zhvillimin e qëndrueshëm, si dhe sfidat praktike që lidhen me zbatimin e këtyre kritereve në vende të ndryshme. Takimi ndërkombëtar i Polonisë shërbeu si një platformë e vlefshme për shkëmbimin e eksperiencave dhe praktikave më të mira ndërkombëtare, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga Polonia, Lituania dhe Ukraina.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe prokurimeve në kushte emergjente dhe në kohë lufte, ku përfaqësuesit e Ukrainës ndanë sfidat dhe mekanizmat e përdorur për të garantuar vijimësinë e furnizimeve publike dhe transparencën në procedura, pavarësisht kushteve të jashtëzakonshme.

Pjesëmarrja e OBP në këtë workshop vjen në vijim të angazhimit të institucionit për të harmonizuar praktikat e prokurimit publik në Shqipëri me standardet më të avancuara ndërkombëtare, duke forcuar transparencën, konkurrencën dhe përgjegjshmërinë në këtë sektor.

Materialet e publikuara nga “Diaspora Shqiptare” janë të mbrojtura nga të drejtat e autorit. Rishpërndarja, riprodhimi, modifikimi apo përdorimi i tyre, i pjesshëm ose i plotë, pa lejen e shprehur të redaksisë, është i ndaluar dhe shkel ligjet mbi të drejtat e pronës intelektuale.