Në ambientet e shkollës shqipe në Bexleyheath, Londër u zhvillua një aktivitet i veçantë ndërkulturor, që solli më pranë dy realitete shqiptare: vendlindjen dhe diasporën. Nën moton “Mirëse na erdhe, Ulqin”, shkolla mirëpriti një grup nxënësish, mësuesesh dhe prindërish nga organizata “Arti i Ulqinit”, që vinin nga Ulqini, qyteti me një histori mbi 2500-vjeçare.
Ky takim, i organizuar për herë të parë nga Shoqata Ardhmëria, shënoi një hap të rëndësishëm në bashkëpunimin ndërmjet shkollave shqipe, njëra në trojet e atdheut dhe tjetra në diasporë.
Aktiviteti u bë i mundur falë iniciativës dhe bashkëpunimit të ngushtë të dy figurave të respektuara: znj. Linda Bazina, përfaqësuese e shkollës në Bexleyheath, dhe znj. Vahida Hasanaga Nimanbegu nga organizata “Arti i Ulqinit”.
Një rol kyç në realizimin e këtij takimi luajti edhe znj. Vildana Zhubi Dibra, Presidente Nderi e shkollës dhe vetë me origjinë nga Ulqini. Fjalët e saj prekëse, të mbushura me emocion dhe ndjenjë për vendlindjen, krijuan një atmosferë të veçantë, duke prekur thellë të pranishmit, deri në përlotje.
Mikpritja e ngrohtë nga znj. Linda Bazina, stafi mësimor, nxënësit dhe prindërit krijoi që në fillim një ndjesi familjariteti, sikur të gjithë njiheshin prej kohësh. Aktiviteti u përshëndet gjithashtu nga drejtori i Shoqatës Ardhmëria, z. Lutfi Vata, i cili theksoi rëndësinë e zgjerimit të misionit të shoqatës përtej mësimit të gjuhës shqipe dhe traditave, drejt krijimit të lidhjeve të qëndrueshme ndërmjet shkollave shqipe brenda dhe jashtë trojeve shqiptare.
Një pjesë e rëndësishme e aktivitetit ishte ekspozita e pikturave, të realizuara nga anëtarët e grupit dhe artistë të tjerë, përmes së cilës të pranishmit u njohën më nga afër me historinë dhe traditat e pasura të Ulqinit. Prezantimi u pasurua nga fjala e znj. Vahida Hasanaga Nimanbegu, si dhe nga prania simbolike e dy vajzave të veshura me kostume tradicionale, që i dhanë ngjarjes një dimension edhe më autentik kulturor.
Aktiviteti vijoi me bashkëbisedime të hapura ndërmjet artistëve, fëmijëve dhe prindërve, duke kulmuar me një punë të përbashkët krijuese. Vizatimet dhe pikturat shumëngjyrëshe që morën jetë gjatë këtij bashkëpunimi u shndërruan në një dëshmi të rrallë të dashurisë për artin dhe fuqisë bashkuese të gjuhës shqipe.











