Fejton nga Rafael Floqi
Në Shqipëri dhe në diasporë ka disa debate që nuk mbarojnë kurrë. Ato rishfaqen si stinët, me të njëjtin ritëm dhe me të njëjtën lodhje kolektive: kush e ka fajin për gjithçka, kush e ka më të drejtë historikisht, dhe mbi të gjitha, si duhet thënë drejt – Europa apo Evropa? Një debat që në pamje të parë duket si një grindje për një shkronjë, por në të vërtetë është një dramë e vogël kombëtare, ku një “u” dhe një “v” luftojnë për identitet, ndërsa ne i shikojmë si spektatorë të përhershëm të një komedie që nuk mbaron kurrë.
Europa lindi si një përzierje Lindje–Perëndim
Nëse do t’i kthehemi pak seriozisht historisë (dhe menjëherë pastaj ta prishim me ironi), duhet pranuar se fjala Europa nuk është thjesht një shpikje burokratike e Brukselit, por një mit i lashtë me aromë skandali hyjnor. Europa ishte një princeshë fenikase që u rrëmbye nga Zeusi i maskuar si dem dhe u dërgua në Kretë, në një nga ato “transferime ndërkufitare” që sot do të quheshin krizë diplomatike. Disa thonë se emri vjen nga greqishtja “fytyrë e gjerë”, të tjerë nga semitishtja “perëndim”, por në thelb historia është e qartë: Europa lindi si një përzierje Lindje–Perëndim, si një rrëmbim kulturor dhe si një identitet që nuk ishte kurrë i pastër. Pra, që në origjinë, Europa nuk ishte një koncept i rregullt, por një aventurë.
Dhe këtu fillon ironia jonë moderne: ndërsa vetë Europa është produkt i një miti të rrëmujshëm, ne sot grindemi me serioz akademik nëse duhet ta shkruajmë “Europa” apo “Evropa”, sikur të bëhej fjalë për një formulë kimike. Në fakt, duke e kthyer në “Evropë”, ne bëjmë pikërisht atë që bëri Zeusi: e marrim Europën dhe e përshtatim sipas interesit tonë. Vetëm se ndryshe nga ai, ne nuk e çojmë në Kretë, por në drejtshkrim. Dhe kështu, ndërsa kontinenti ka lindur nga një rrëmbim mitologjik, ne vazhdojmë ta mbajmë peng në një debat për një “v”, duke harruar se Europa – apo Evropa – nuk është krijuar kurrë për të qenë kaq e rregullt sa duam ne.
Po le të sjellim këtu të madhin “Gjergj Fishta” kur mallkonte:
“O Evropë, moj kurvë e motit…”
Ky varg vjen nga fryma satirike dhe polemike e Fishtës, sidomos në kontekstin e zhgënjimit të shqiptarëve ndaj qëndrimeve të fuqive europiane në fillim të shekullit XX, veçanërisht pas Konferenca e Londrës 1913, ku trojet shqiptare u copëtuan. Dhe sot ky varg është ironikisht shumë aktual: ndërsa ne sot grindemi për “Evropë” apo “Europa”, Fishta e kishte zgjidhur shumë më thjesht – ai nuk merrej me drejtshkrimin, por me qëndrimin moral të saj.
Madje, po ta sillnim në stilin e debatit tonë modern, mund të thoshim me ironi:
Ne sot diskutojmë nëse duhet “Evropë” apo “Europa”, ndërsa Fishta e kishte vendosur tashmë: problemi nuk ishte si shkruhej, por si sillej.
Dhe ndoshta kjo është ironia më e madhe: një shekull më vonë, ne vazhdojmë të debatojmë për shkronjat, ndërsa pyetja e Fishtës për Europën mbetet ende pa një përgjigje të qartë
Drejtshkrimi i shqipes, ai që u kodifikua në vitin 1972, nuk u krijua për të na torturuar me dilema estetike, por për të na dhënë një sistem të qartë dhe të qëndrueshëm. Ai u ndërtua mbi një parim shumë të thjeshtë dhe shumë shqiptar: fjalët e huaja nuk duhen adhuruar, por duhen përshtatur. Dhe kështu lindi “Evropa”. Jo si një kompromis i turpshëm, por si një akt sovraniteti gjuhësor. Shqiptari nuk e shqiptonte “eu” si frëngu apo anglezi, prandaj e bëri “ev”, duke e sjellë fjalën në territorin e vet fonetik, duke e bërë të vetën pa kërkuar leje nga askush. Apo mos është bërë me qëllim për të na mbajtur larg nga Europa.
“Evropa” apo “Europa”: dashuri me theks të huaj”
Shqipëria ka një talent të rrallë: di të dashurohet marrëzisht me Europën, por t’ia shqiptojë emrin si në Lindje. E thërret me pasion “Evropë!”, me atë “v”-në karakteristike, si një jehonë e largët që vjen nga kohë kur drejtimi nuk ishte nga Brukseli, por nga stepat sllave.
Dhe pastaj çuditemi pse ajo nuk na përgjigjet. Në fakt, historia është e thjeshtë dhe paksa ironike. Dikur, kur gjithçka duhej të kalonte nga filtri ideologjik, edhe gjuha u rreshtua. “Europa” tingëllonte shumë elegante, shumë latine, shumë perëndimore. Kishte diçka aristokratike brenda saj, një parfum që nuk i përshtatej realizmit socialist. Ndaj u zëvendësua me një version më “praktik”, më “popullor”, më i afërt me modelin e madh të Lindjes: “Evropa”.
Një shkronjë e vetme – një “v” – por me peshë politike.
Që atëherë, ne vazhdojmë ta thërrasim kështu. Madje me zë të lartë. Madje me pasion. Madje edhe në samite. Kryeministri del dhe thotë me seriozitet: “Po afrohemi me Evropën”. Dhe Europa – ajo e vërteta, ajo me “Eu” – ndoshta kthen kokën dhe pyet me edukatë: “Kë po thërrisni ju?”
Është si një histori dashurie ku njëra palë dërgon mesazhe çdo ditë, ndërsa tjetra lë “seen” dhe vazhdon jetën.
Sepse problemi nuk është vetëm tek fjala. Është tek mendësia që ka mbetur pas saj. Ne duam Europën si ide, por shpesh e jetojmë si kujtim të filtruar nga e kaluara. E kërkojmë si standard, por e shqiptojmë si kompromis. Është një lidhje e çuditshme: me sytë nga Perëndimi, por me një theks që ende mban erën e Lindjes.
Dhe ja ku vjen ironia më e madhe: ne nuk jemi refuzuar vetëm për politikë, ekonomi apo korrupsion. Ndonjëherë duket sikur jemi refuzuar edhe për mënyrën si trokasim në derë.
“Evropë!” – themi ne.
“Europa” – përgjigjet ajo – “mëso fillimisht si më quajnë.”
Deri atëherë, ne vazhdojmë ritualin tonë: deklarata, premtime, samite, integrime në pritje… dhe një “v” të vogël që na kujton se ndonjëherë historia nuk largohet, ajo thjesht fshihet në shqiptim.
Europa” filloi të përdoret si një lloj kravate gjuhësore
Por historia nuk ndalet aty, sepse në një moment të caktuar, ndoshta kur filluam të udhëtojmë më shumë, të studiojmë jashtë, apo thjesht të shohim më shumë televizion ndërkombëtar, si Euronews. nisi një fenomen i ri. Shqiptari, që dikur i përshtaste fjalët sipas vetes, filloi të përshtatej vetë sipas fjalëve. Dhe kështu hyri në përdorim “Europa”, një formë që nuk buron nga nevoja e gjuhës, por nga dëshira për t’u dukur më pranë burimit, më “autentik”, më ndërkombëtar. Në këtë pikë, drejtshkrimi u kthye nga rregull në aksesor. “Evropa” mbeti për librat dhe shkollat, ndërsa “Europa” filloi të përdoret si një lloj kravate gjuhësore, që nuk të ngroh, por të bën të dukesh më serioz.
Ironia bëhet edhe më e thellë kur kalojmë tek “euro” dhe “evro”. Nëse do të ndiqnim me rigorozitet logjikën e drejtshkrimit, do të duhej të thoshim “evro”, pasi vjen nga “Evropë”. Por këtu hyn politika, ekonomia dhe realiteti i fortë i institucioneve ndërkombëtare, të cilat vendosën një standard që nuk pyet për fonetikën e shqipes. Dhe ne, me pragmatizmin tonë të zakonshëm, pranuam këtë formë pa shumë rezistencë. Kështu, në të njëjtën fjali mund të thuash “Evropa përdor euron”, pa e ndjerë se brenda saj ka një kontradiktë të vogël logjike. Është një lloj bashkëjetese paqësore mes rregullit dhe realitetit, një kompromis tipik shqiptar, ku askush nuk është plotësisht i kënaqur, por të gjithë e pranojnë situatën.
Nëse do të ishim vërtet konsekuentë, ndoshta do të duhej ta çonim këtë logjikë deri në fund. Mund të imagjinojmë një drejtshkrim të ri, ku jo vetëm “Evropë” do të ishte normë, por edhe forma të tjera do të përshtateshin në mënyrë radikale. Mund të përfundonim duke thënë “evropjan”, “Evropi” apo edhe variante të tjera që sot na duken të çuditshme, por që në një sistem të pastër fonetik do të kishin logjikën e tyre. Në këtë pikë, megjithatë, lind një pyetje e rëndësishme: a është gjuha një sistem i mbyllur rregullash, apo një organizëm i gjallë që ndryshon sipas përdorimit?
Kjo na çon tek ideja, e hedhur herë pas here, për rishikimin e drejtshkrimit të shqipes. Një ide që tingëllon serioze, madje akademike, por që në praktikë do të kthehej shumë shpejt në një debat të pafund. Do të mblidheshin komisione, do të organizoheshin konferenca, do të shkruheshin artikuj të gjatë dhe të ndërlikuar, dhe në fund, si zakonisht, do të përfundonim aty ku ishim, vetëm se me më shumë fjalë të shkruara dhe më shumë kafe të konsumuar. Sepse problemi nuk është thjesht drejtshkrimi. Problemi është marrëdhënia jonë me gjuhën, me identitetin dhe me mënyrën si duam të shihemi nga të tjerët.
Dilema “Europa apo Evropa” nuk është një çështje fonetike
Në thelb, dilema “Europa apo Evropa” nuk është një çështje fonetike, por një pasqyrë e një tensioni më të madh. Ne duam të jemi pjesë e Europës, por njëkohësisht duam të mbetemi vetvetja. Duam të ruajmë gjuhën tonë, por edhe të tingëllojmë modernë. Dhe në këtë përpjekje, shpesh përfundojmë duke u kapur pas detajeve të vogla, si një “e” që në vend që të na bashkojë, na ndan në dy kampe.
Ndoshta zgjidhja nuk është as në një rishikim radikal të drejtshkrimit, as në një kthim nostalgjik tek format e vjetra, por në një qasje më të qetë dhe më të ndërgjegjshme. Të kuptojmë se “Evropa” është forma e standardit, e ndërtuar mbi historinë e gjuhës sonë, ndërsa “Europa” është një ndikim i jashtëm që reflekton hapjen tonë ndaj botës. Të pranojmë se “euro” është një realitet institucional që nuk mund ta ndryshojmë me një vendim akademik, dhe se gjuha, si gjithmonë, do të vazhdojë të jetojë mes rregullit dhe përdorimit.
“E duam Shqipërinë si gjithë Europa!”
Në fillim të viteve ’90 ne dolëm në shesh me një kërkesë të thjeshtë, thuajse poetike: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa!” Ishte një fjali që përmbante më shumë ëndërr sesa program, më shumë emocion sesa kuptim të saktë. Ne nuk e dinim mirë çfarë ishte Europa, por e ndjenim se ishte diku përtej telave me gjemba, një vend ku dritat nuk fikeshin dhe fjala “liri” nuk kishte nevojë për përkthim. Dhe kështu filloi historia jonë e dashurisë: një dashuri e njëanshme, pak naive, pak dramatike, ku ne u bëmë menjëherë dashnorë të zjarrtë të Europës, ndërsa ajo na shikonte si një mik i largët që troket shpesh në derë, por ende nuk di si të prezantohet.
Kaluan vite, dekada madje, dhe ne vazhdojmë të sillemi si ai i dashuruari që ka mësuar përmendësh çdo detaj të tjetrit, por ende nuk është ftuar brenda. Ne flasim për integrim, reforma, kapituj, standarde, ndërkohë që Europa, me një buzëqeshje të lehtë diplomatike, duket sikur na thotë: “Ju ende nuk e dini si më quani.” Sepse ndërkohë që ne betohemi për Europën, ende grindemi nëse duhet të themi Evropë apo Europa, nëse përfaqësuesit e saj janë evrodeputetë apo eurodeputetë. Është një situatë që do ta kishte bërë edhe vetë Fishtën të qeshte me hidhërim: ne kërkojmë të hyjmë në një shtëpi, por ende nuk kemi rënë dakord si quhet pronarja.
Nuk është çështje shqiptimi, por kuptimi
Dhe ironia bëhet edhe më e thellë kur kujton se, ndërkohë që ne mundohemi të shqiptojmë saktë emrin e saj, Europa na përgjigjet me një qetësi të ftohtë: “Nuk është çështje shqiptimi, por kuptimi.” Sepse për të, problemi nuk është nëse themi Evropë apo Europa, por nëse dimë çfarë kërkojmë prej saj dhe çfarë jemi gati të bëjmë për të qenë pjesë e saj. Ndërsa ne vazhdojmë të diskutojmë për një “v” që nuk na lë të flemë rehat, ajo pret diçka më shumë se drejtshkrim: pret standard, institucione, seriozitet. Dhe kështu, dashuria jonë vazhdon, e zjarrtë dhe paksa e pakuptuar, ndërsa ajo, me një ironi të heshtur, duket sikur na pëshpërit: “Kur të vendosni si të më thërrisni, ndoshta do të filloni të më kuptoni.”
Dhe si çdo dashnor i refuzuar që, pasi ka pritur gjatë në prag dhe ka marrë vetëm buzëqeshje diplomatike në vend të përqafimit, ne kthehemi tek fjalët e Gjergj Fishta dhe i mërmërisim me një përzierje zemërimi dhe zhgënjimi: “Moj Evropë, moj kurvë e motit…”. Jo më si një akt rebelimi poetik, por si një psherëtimë kolektive e një dashurie që nuk gjen përgjigje. Sepse në fund, ndoshta nuk është se Europa nuk na pranon, por se ne ende nuk kemi vendosur nëse duam ta dashurojmë siç është, apo siç e kemi imagjinuar. Dhe deri atëherë, mbetemi në këtë gjendje të çuditshme: mes një ëndrre të vjetër dhe një realiteti që na kërkon më shumë se fjalë – edhe nëse ato fjalë janë shkruar saktë.
Në fund, ndoshta duhet ta marrim këtë debat me pak më shumë humor. Sepse ndërsa ne diskutojmë për “eu” dhe “ev”, bota vazhdon të ecë përpara me ritmin e saj, dhe problemet tona reale mbeten po aty. Ndoshta, në vend që të grindemi për një shkronjë, do të ishte më e dobishme të pyesnim veten nëse jemi vërtet aq pranë asaj Europe që përmendim kaq shpesh, pavarësisht se si e shkruajmë.
Dhe mbi të gjitha: Nëse një ditë bëhet rishikimi i drejtshkrimit, të paktën të vendoset një rregull i ri: “Çdo debat për ‘eu’ dhe ‘ev’ duhet të shoqërohet me një kafe falas.” Sepse ndoshta nuk do ta zgjidhim kurrë nëse është Europa apo Evropa.
Por të paktën do ta diskutojmë më qetë. Dhe kjo, në një vend si i yni, është arritje evropiane… apo europiane… apo si të doni ju.
Dhe deri atëherë, mund të vazhdojmë ta përdorim të dyja format, me një lloj marrëveshjeje të heshtur: në libra dhe dokumente zyrtare të mbajmë “Evropë”, në biseda të përditshme secili le të zgjedhë atë që i vjen më natyrshëm, ndërsa kur vjen puna tek paratë, të gjithë jemi dakord për një gjë – quhen “Euro”.
Dhe mungojnë njësoj, pavarësisht drejtshkrimit.



