Në Athinë u promovua romani “Lindur së prapthi” i autores Rita Petro, i përkthyer në greqisht nga Nikos Kacalidhas. Aktiviteti u organizua nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Greqi, në bashkëpunim me shtëpitë botuese By The Book dhe Albas, duke bashkuar diplomatë, artistë dhe dashamirës të letërsisë.
Vepra, e përkthyer në greqisht nga poeti dhe përkthyesi Nikos Kacalidhas, sjell një qasje intime dhe reflektuese mbi identitetin, kujtesën dhe marrëdhëniet njerëzore.
Të pranishëm në aktivitet ishin, ndër të tjerë, ambasadorja e Shqipërisë në Greqi Luela Hajdaraga Gila, Udhëheqësi i Zyrës së Interesave të Kosovës në Greqi Fitim Gllareva, si dhe drejtuesja e shtëpisë botuese “By the Book”, Meri Thermioti. Në sallë ndodheshin gjithashtu shkrimtarë, botues dhe përfaqësues të komunitetit kulturor të dy vendeve.
“Për të gjithë guximin, për të gjithë ndjeshmërinë, dhe për të gjithë pozitivitetin që Rita përcjellë, në media por edhe në mënyrën se si ajo qaset ndaj lexuesit dhe njerëzve të thjeshtë, Rita, faleminderit shumë,” tha ndër të tjera Luela Hajdaraga Gila.
Gjatë bashkëbisedimit me të pranishmit, autorja Rita Petro ndau emocionet dhe frymëzimin që qëndron pas këtij romani, duke e konsideruar shkrimin një akt çlirimi dhe vetë-njohjeje.Ajo theksoi gjithashtu se gjatë aktivitetit u hapën diskutime të shumta rreth romanit dhe temave që ai trajton.
“Përtej vlerësimit kritik të romanit, u hapën dhe shumë tema që lidheshin jo vetëm me të, por edhe me kureshtjen dhe interesin e atyre që ishin të pranishëm. Bukurinë e aktivitetit ia shtoi akoma më shumë mjedisi te Black Duck Garden, brenda oborrit të Muzeut të Qytetit të Athinës, i mbushur me piktura e skulptura me vlerë historike. Gjuhët e ndryshme na ndajnë, por përjetimet që i kemi të njëjta na bashkojnë,” theksoi ajo.
Ai shtoi se përkthimi i këtij romani ishte një përvojë e veçantë krijuese.
“Për një krijues, përkthimi i një romani është vuajtje, sepse koha e harxhuar mund të shfrytëzohej për një krijim të tij. Por për romanin e Rita Petros ndjeva ngazëllim, një prozë sui generis si poezia e saj. Rita Petro ka brumin origjinal dhe stilin e vet, dy elemente të rëndësishme në skrivaninë e një shkrimtari,” theksoi përkthyesi.
Sipas tij, romani prek tema të thella të përvojës njerëzore dhe të rolit të gruas në shoqëri.
“Rita Petro çorri perçen që ka mbuluar fytyrat ungjillore të grave shqiptare në terrin 550-vjeçar dhe preku tabutë, duke shpërthyer një furtunë mediokrësh për ‘fajet e letërsisë’. Ajo e zbërthen enigmën e femrës me një prozë metaforike dhe lirike, ku në nënshtresat e saj rrjedh përroi frojdist i ndërgjegjes dhe nëndërgjegjes, mes dashurisë, familjes, miqësisë, seksit, moralit dhe etikës. Romani ‘Lindur së prapthi’ është rrëfimi meditativ i një femre për trupin dhe shpirtin në një botë të mbyllur të diktaturës,” tha ai.
Të pranishmit i drejtuan pyetje autores dhe u zhvillua një bashkëbisedim i ngrohtë dhe mjaft interesant, që preku edhe temat e përditshmërisë, sidomos kur u pyet Sofiana Filipi se si ndihej ajo me një mama si Rita.
Sofiana tha me humor se ndodh që të ndërrohen rolet kur ajo të ndihet si mamaja e Ritës për shkak të lirisë dhe imagjinatës fëminore që gjen te Rita. Po përtej kësaj, ajo ndihej e lumtur që kishte qenë lexuesja e parë e dorëshkrimeve të nënës së saj.
Promovimi në Athinë u shndërrua kështu në një moment të rëndësishëm kulturor që bashkoi diplomatë, artistë dhe lexues në një atmosferë dialogu dhe mirëkuptimi, duke dëshmuar se letërsia mbetet një nga urat më të forta që lidh kulturat dhe popujt.


