Teatri Shqiptar “Mërgimtari” nga Kroacia sjell në Shqipëri shfaqjen teatrore “Kukulla”, në një turne që do të zhvillohet nga data 9 deri më 12 prill 2026, me ndalesa në Fier, Tiranë dhe Shkodër.
Vepra, me autor dramaturgun kroat Miro Gavran dhe me përshtatje e regji nga Naser Shatrolli, vjen si një analizë e thellë psikologjike dhe sociale mbi marrëdhëniet njerëzore në kohët moderne. Në skenë ngjiten aktorët Leonard Hamitaj dhe Qendresa Jashari, të cilët interpretojnë një histori që prek ndjeshmëritë më të thella të publikut.
Turneu nis në Teatri Bylis më 9 prill në orën 18:00, vijon në Teatri Metropol më 10 prill në orën 20:00 dhe përmbyllet në Teatri Migjeni më 12 prill në orën 19:00. Shfaqjet realizohen në bashkëpunim me institucionet vendore kulturore në këto qytete.
“Kukulla” konsiderohet një nga veprat më të rëndësishme bashkëkohore, që trajton një temë universale: krizën e komunikimit dhe prirjen për të kërkuar marrëdhënie “të përsosura”, por artificiale. Përmes historisë së Markut dhe partneres së tij android, Stellës, shfaqja ngre një pyetje të fortë: a po kërkojmë dashuri të vërtetë, apo thjesht dikë që të mos na kundërshtojë?
Me një qasje provokuese, vepra shërben si një pasqyrë për shoqërinë moderne, duke nxitur reflektim mbi egoizmin, izolimin emocional dhe mënyrën se si ndërtojmë marrëdhëniet tona.
Ky produksion i Teatrit “Mërgimtari”, i mbështetur nga Këshilli për Pakicat Kombëtare të Republikës së Kroacisë, pritet të tërheqë vëmendjen e publikut shqiptar, duke sjellë një eksperiencë teatrore të veçantë dhe thellësisht reflektuese.



