Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Londër ka dalë me një sqarim zyrtar lidhur me procedurat për aplikimet për pasaporta dhe menaxhimin e takimeve për qytetarët shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë, në kushtet e një kërkese të lartë për shërbime konsullore.
Sipas njoftimit, aktualisht takimet më të afërta për aplikime për pasaporta përmes platformës e-Albania në Londër janë të disponueshme në muajin qershor. Megjithatë, për rastet urgjente, ambasada bën të ditur se ka mundësuar edhe orare më të hershme, në varësi të kërkesave.
Qytetarëve që kanë nevojë për një takim më të afërt u kërkohet që fillimisht të rezervojnë një orar në sistemin e-Albania dhe më pas të kontaktojnë konsullatën përmes emailit zyrtar, duke kërkuar “afrim orari pasaporte”.
Ambasada sqaron gjithashtu se koha e përpunimit të pasaportave zgjat zakonisht deri në një muaj nga dita e aplikimit në konsullatë, ndonëse në shumë raste dokumentet përfundojnë më herët. Qytetarët njoftohen përmes emailit dhe rrjeteve sociale sapo dokumentet mbërrijnë, ndërsa kërkohet shmangia e dërgimit të email-eve të përsëritura, të cilat rëndojnë komunikimin dhe ngadalësojnë përgjigjet.
Në lidhje me shërbimet në Irlandë, ambasada bën të ditur se organizimi i vizitave konsullore në Dublin varet edhe nga angazhimi i stafit teknik nga Tirana, çka ka shkaktuar vonesa të herëpashershme. Megjithatë, pritet që gjatë muajit maj të realizohet një vizitë e re konsullore, për të cilën do të ketë njoftime zyrtare.
Sa i përket keqinformimeve në rrjete sociale, ambasada thekson se të gjitha aplikimet dhe takimet menaxhohen ekskluzivisht nga sistemi i centralizuar në Tiranë dhe jo nga vetë ambasada, duke u bërë thirrje qytetarëve të mbështeten vetëm në burime zyrtare.
Në fund, institucioni nënvizon se pavarësisht sfidave, përfshirë numrin e madh të qytetarëve shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë dhe kapacitetet e kufizuara konsullore, janë bërë përmirësime të ndjeshme në shërbimet e pasaportave, veçanërisht gjatë vitit 2024 dhe muajve të fundit.
Ambasada shpreh mirënjohje për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve, duke riafirmuar angazhimin për një shërbim më transparent dhe efikas.



