Nga Soni Memoci
Bruksel, Me nderime të larta iu dha lamtumira e fundit Dr. Shkëlzen Gashit – Xeni, ish-luftëtar i Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe epror i Trupat Mbrojtëse të Kosovës, i cili la pas një trashëgimi të çmuar në shërbim të vendit, jetës dhe lirisë.
Në ceremoninë e homazheve mori pjesë një delegacion nga Komuna e Gjakovës, në krye me Drejtoreshën Adea Roka, ku u shprehën ngushëllimet më të sinqerta për familjen Gashi dhe u vlerësua lart kontributi i tij në shërbim të vendit.
“Dr. Shkëlzen Gashi – Xeni mbetet simbol i sakrificës dhe përkushtimit ndaj atdheut. Ai ishte njeri i fjalës, i veprës dhe i zemrës së madhe. Kujtimi i tij do të jetojë gjithmonë mes nesh” tha familja Gashi—Hamza.
Dr. Shkëlzen Gashi, nga Gjakova, ishte një ndër figurat që bashkoi profesionin me misionin kombëtar. Si pjesë e Brigadës 137 të UÇK-së, ai shërbeu si mjek lufte, duke qenë pranë të plagosurve në momentet më të vështira dhe duke shpëtuar jetë në kushte jashtëzakonisht të rënda.
Në rrethana kur mungonin kushtet bazë për trajtim, ai dëshmoi profesionalizëm, guxim dhe humanizëm të rrallë, duke u bërë simbol i përkushtimit ndaj jetës dhe dinjitetit njerëzor.
Pas luftës, ai vazhdoi angazhimin e tij në strukturat e TMK-së, duke kontribuar në ndërtimin dhe stabilizimin e vendit në periudhën e pasluftës, gjithmonë i përkushtuar ndaj shërbimit publik dhe vlerave për të cilat kishte luftuar.
Një pjesë e rëndësishme e jetës së tij u zhvillua edhe në diasporë. Me qëndrim në Belgjikë, Dr. Gashi mbeti aktiv në komunitetin shqiptar, duke ruajtur lidhje të forta me atdheun dhe duke dhënë kontribut të vazhdueshëm në jetën shoqërore të bashkëkombësve.
Humbja e tij përbën një goditje të rëndë jo vetëm për familjen dhe bashkëluftëtarët, por edhe për diasporën shqiptare në Belgjikë, e cila humbi një figurë të respektuar, një profesionist të përkushtuar dhe një njeri me integritet të lartë.
Dr. Shkëlzen Gashi – Xeni do të mbetet i paharruar në zemrat dhe kujtesën e të gjithë atyre që e njohën, si një njeri me vlera të larta njerëzore, profesionale dhe atdhetare.
Ngushëllime të sinqerta familjes, miqve dhe bashkëluftëtarëve.
Lavdi jetës dhe veprës së tij.



