Nga Lefteri Metkaj
2 Prilli – Dita Ndërkombëtare e librit për fëmijë .
Për këtë ditë të veçantë, në Pikën Shkollore të Gjuhës Shqipe, në Athinë, u zhvillua takimi me poetin z.Bilbil Murataj!
Ky takim kishte për qëllim të nxisë te nxënësit dashurinë për librin duke i bërë të vetëdijshëm se leximi i librave të hap dyert e imagjinatës.
Ky takim këtu u bë kaq i bukur, ku aq të dashura u bënë dhe bisedat e nxënësve me poetin e komunitetit tonë në Athinë, z Bilbil Murataj.
Përmes bisedave poeti u tërhoqi vëmendjen nxënësve të rrisin interesin për leximin e librave duke i motivuar dhe me librat e tij të cilat i solli dhuratë për nxënësit.
Vargje të poezive lexuan nxënës të ndryshëm, ato pushtuan me entuziazëm klasën, ndjemë artin krijues që gjallon në gjuhën shqipe, brenda tyre shprehej dashuria, malli për Atdheun, vendlindjen, traditën, dhe mbi të gjitha fjala e poetit ishte kujdesi dhe kultivimi i dashurisë për të mësuar gjuhën shqipe ku e konsideronte si çështjen më të rëndësishme të identitetit dhe qenies sonë kombëtare shqiptare jashtë Atdheut.
Le të kujdesemi që fëmijët ti sjellim në kontakt me librin, të duan librin, të lexojnë sa më shumë libra. Vetëm kështu i sjellim në botën e leximit që i bënë të ëndërrojnë, të krijojnë, të zhvillojnë fantazinë dhe më e bukura të njohin e të jetojnë magjinë që të dhuron leximi i librit.
I nderuar z. Bilbil Murataj, ju falenderojmë për praninë, për dashurinë dhe këshillat e çmuara që na përcollët.
Mirënjohje për gjestin e gjyshit fisnik, për librat tuaj dhuratë që do të mbeten një dhuratë simbolike e përherëshme në bibliotekën e nxënësve që do të ruajnë një rol të rëndësishëm në formimin kulturor dhe atdhetar të fëmijëve tanë që ndjekin mësimin e gjuhës shqipe në Rrjetin e Shkollave Shqipe në Athinë.
Jam e sigurt që nxënësit do të mendojnë më shumë për Atdheun tonë Shqipërinë duke lexuar këto botime të krijimtarisë së letërsisë shqipe të autorit Bilbil Murataj si: Zëri i bilbilit; Do shkruaj mbi pllakë guri; Kuvendoj me fabulat; Deti e njeh detin; Kur gjëmojnë dallgët, sepse janë vepra me vlera të çmuara artistike me frymë të lartë kombëtare shqiptare.
Suksese në krijimtarinë juaj në letërsinë shqipe ku na zbukuroi këtë ditë feste, simbol të librit për fëmijë!






