Nga Soni Memoci
Histori dhe art në një skenë: “Obiliq” dhe Besnik Grajçevci në Malësi
Kryengritja e Malësisë e vitit 1911, një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë kombëtare shqiptare dhe prelud i shpalljes së Pavarësisë, do të përkujtohet me një aktivitet të veçantë kulturor dhe shkencor në Malësi të Madhe.
Shoqata Atdhetare “Kulla e Bajraktarit të Hotit”, nën drejtimin e kryetarit Arian Bajraktari, në bashkëpunim me Muzeun “Malësia”, do të organizojë këtë manifestim me qëllim nderimin e sakrificës dhe kontributit të malësorëve në lëvizjen kombëtare shqiptare, si dhe ruajtjen dhe përcjelljen e kësaj trashëgimie te brezat e rinj.
Në kuadër të aktivitetit do të mbahet një konferencë shkencore kushtuar historisë së Kryengritjes së Malësisë, ku do të referojnë personalitete të njohura të botës akademike, si Akademik Kujtim Shala, Prof. Dr. Romeo Gurakuqi, Prof. Ass. Dr. Edmond Malaj dhe profesor Mark Junçaj. Kumtesat e tyre do të trajtojnë dimensione historike dhe kombëtare të kësaj kryengritjeje, duke theksuar rolin e saj në ndërgjegjësimin kombëtar dhe në procesin e shtetformimit shqiptar.
Programi do të pasurohet me një pjesë artistike, ku publiku do të ketë mundësinë të ndjekë interpretime të këngëve dhe valleve tradicionale shqiptare. Trupa profesioniste e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Obiliq”, së bashku me korifeun e valles popullore Besnik Grajçevci, do të paraqesin një repertor të larmishëm artistik, duke sjellë në skenë vlera të rëndësishme të trashëgimisë kulturore shqiptare.
Aktiviteti do të mbahet më 4 prill 2026, duke filluar nga ora 14:30, në ambientet historike të Kullës së Çun Mulës, në Hot, Malësi e Madhe. Hyrja do të jetë e lirë për të gjithë të interesuarit.
Organizatorët ftojnë komunitetin arsimor, studiuesit dhe publikun e gjerë që të bëhen pjesë e kësaj ngjarjeje, duke theksuar rëndësinë e saj në ruajtjen, promovimin dhe forcimin e identitetit historik, kulturor dhe kombëtar shqiptar. Pjesëmarrja në këtë aktivitet konsiderohet një mundësi e rëndësishme për të reflektuar mbi të kaluarën, për të vlerësuar sakrificat e paraardhësve dhe për të forcuar ndjenjën e përkatësisë kombëtare. Në të njëjtën kohë, aktiviteti synon të krijojë një urë lidhëse mes brezave, duke afruar të rinjtë me historinë dhe trashëgiminë kulturore të vendit.
Në përmbyllje të manifestimit do të organizohet edhe një koktej miqësor për pjesëmarrësit.



