Sot shënohet 27-vjetori i fillimit të fushatës së bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve ushtarake dhe policore serbe në Kosovë një ndërhyrje që synonte ndaljen e dhunës së forcave serbe ndaj shqiptarëve në Kosovë.
Bombardimet nisën më 24 mars 1999 dhe zgjatën 78 ditë, pas dështimit të përpjekjeve të komunitetit ndërkombëtar për të bindur ish-liderin serb, Sllobodan Millosheviq, të pranonte një armëpushim.
“Asnjëherë nuk kemi kërkuar luftë, por nëse presidenti Millosheviq nuk është i gatshëm të bëjë paqe, ne jemi të gatshëm të kufizojmë aftësinë e tij për të bërë luftë kundër kosovarëve”, deklaronte në atë kohë presidenti amerikan, Bill Clinton.
Vendimi për nisjen e sulmeve ajrore u autorizua nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Javier Solana, duke shënuar herën e parë që Aleanca përdorte forcë ushtarake pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Fushata ajrore përfshiu rreth 1.000 avionë, të cilët operuan nga bazat në Itali dhe Gjermani, si dhe nga aeroplanmbajtësja “USS Theodore Roosevelt” në Detin Adriatik. Gjatë operacionit u kryen mbi 38.000 fluturime, prej të cilave 10.484 ishin sulmuese, pa asnjë humbje jete në radhët e aleatëve.
Goditjet ajrore shkaktuan dëme të mëdha në infrastrukturën ushtarake dhe strategjike të Serbisë, Malit të Zi dhe Kosovës, duke përfshirë kazermat, sistemet e mbrojtjes ajrore, rrjetet e komandës dhe kontrollit, si dhe infrastrukturën energjetike dhe të komunikimit.
Në përfundim të fushatës, presidenti Clinton deklaroi se kërkesat e komunitetit ndërkombëtar ishin përmbushur, përfshirë tërheqjen e forcave serbe nga Kosova, vendosjen e një force ndërkombëtare të sigurisë të udhëhequr nga NATO dhe kthimin e refugjatëve në shtëpitë e tyre.
“Mund t’i raportoj popullit amerikan se kemi arritur fitore – për një botë më të sigurt, për vlerat tona demokratike dhe për një Amerikë më të fortë”, u shpreh ai.
Bombardimet u ndërprenë një ditë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës, e cila parashikonte tërheqjen e forcave jugosllave nga Kosova dhe vendosjen e një misioni paqeruajtës ndërkombëtar të udhëhequr nga NATO.
Sipas marrëveshjes, Beogradit iu dhanë 11 ditë për të tërhequr rreth 40.000 trupa nga territori i Kosovës.
Më 12 qershor 1999 nisi dislokimi i KFOR-it, i cili fillimisht përbëhej nga rreth 50.000 trupa. Sot, ky mision përfshin 4.767 ushtarë nga 33 vende të botës.



