Një punonjës i shërbimit të parkimit në komunën e Thônex, me shtetësi zvicerane dhe origjinë shqiptare, ka denoncuar publikisht se është bërë viktimë e diskriminimit dhe racizmit në vendin e punës, duke paralajmëruar edhe ngritjen e një padie penale.
Blick shkruan se punonjësi, i identifikuar me emrin Julian, deklaron se gjatë punës së tij pranë shërbimit të parkimit, në varësi të policisë bashkiake të Thônex, ka përjetuar komente fyese dhe sjellje përjashtuese për shkak të origjinës shqiptare dhe besimit mysliman. Sipas tij, këto qëndrime nuk kanë qenë të izoluara, por janë përsëritur në mënyrë të vazhdueshme për muaj me radhë, duke krijuar një klimë pune armiqësore.
Një nga incidentet më të rënda, sipas dëshmisë së tij, ka ndodhur gjatë një darke me kolegët në nëntor 2024, kur refuzimi për të konsumuar mish derri për arsye fetare u pasua me pyetje dhe komente ofenduese, përfshirë lidhje të pavend me ekstremizmin. Ai thekson se këto sjellje e kanë bërë të ndihet i izoluar dhe i poshtëruar në ambientin e punës.
Julian rrëfen gjithashtu se i është kërkuar të kryejë detyra që i ka konsideruar degraduese, si dhe është përballur me presione për të vendosur një numër minimal gjobash mujore, gjë që sipas tij bie ndesh me rregullat në Zvicër.
Ai pretendon se është bërë objekt edhe i paragjykimeve të hapura anti-shqiptare, duke përfshirë komente fyese nga kolegë dhe eprorë, si dhe trajtim të padrejtë në lidhje me gjendjen e tij shëndetësore. Sipas tij, edhe ankesat e bëra pranë burimeve njerëzore nuk janë trajtuar seriozisht, por janë minimizuar.
Në tetor 2025, ai i është drejtuar edhe kryetarit të komunës së Thônex për të kërkuar një hetim të brendshëm. Megjithatë, sipas tij, kjo nismë e ka ekspozuar më tej përballë kolegëve, duke përkeqësuar situatën. Nga ana tjetër, autoritetet lokale kanë deklaruar se rasti është shqyrtuar dhe janë marrë masa, pa dhënë detaje konkrete.
Punonjësi kundërshton këtë qëndrim, duke theksuar se përjetimet e tij lidhen me një periudhë të gjatë ngacmimesh dhe diskriminimi, që sipas tij kanë ndikuar rëndë edhe në shëndetin mendor, duke e detyruar të ndërpresë përkohësisht punën.



