Shefi i kuzhinës Gordon Ramsay u bërtet njerëzve. Mentori i tij njihej për hedhjen e tiganëve dhe pjatave gjithandej. Ai shef, londinezi Marco Pierre White, e titulloi autobiografinë e tij “Djalli në Kuzhinë”, pjesërisht për shkak të ndëshkimeve që u jepte kuzhinierëve të tij.
“Nëse nuk ke frikë nga shefi…do të vonohesh në punë,” shkroi White, duke thënë se stafi i kuzhinës së tij në restorantin Harveys e pranonte këtë. “Ndaj tyre nuk duhej të ndaleshin kurrë qortimet.”
Por jo më.
Rënia publike këtë javë e Rene Redzepi, ndoshta shefit më të madh të kuzhinës në botë (shqiptar me prejardhje nga Maqedonia), ka hapur një debat të menjëhershëm për kufirin midis sistemit tradicional të kuzhinës “brigade de cuisine” (organizim hierarkik i kuzhinës sipas stili ushtarak, nga larësi i enëve te shefi kryesor i kuzhinës) dhe abuzimit, si dhe për atë që duhet të ndodhë me ata që drejtojnë krijimin e artit të ngrënies.
Çështja është nëse ka ardhur fundi për kulturën e njohur të bullizmit dhe frikësimit në kuzhinat e restoranteve të nivelit të lartë — një kulturë që është bërë e njohur për publikun përmes spektakleve televizive me kuzhinierë të famshëm dhe serialeve si “The Bear.” Tani në qendër të debatit janë tema si stili i udhëheqjes dhe përgjegjësia ligjore në një industri relativisht të vogël, e njohur për marzhe të ngushta fitimi dhe jo për departamente të burimeve njerëzore apo trajnime.
“Burimet për vetërregullim nuk janë aty,” tha Robin Burrow, profesor i asociuar i studimeve organizative në Universitetin e York-ut, transmeton AP, përcjellë KosovaPress. “Megjithatë ndjesia e përgjithshme është se gjërat janë aq të vështira edhe për shefat shumë të mirë, sa kjo lloj kulture bëhet pothuajse e pashmangshme.”
Magjistari i kuzhinës, shefi toksik
Redzepi, i dekoruar si kalorës në Danimarkë dhe themelues i restorantit Noma dhe kuzhinës inovative“New Nordic”,dha dorëheqjen të enjten pasi The New York Times raportoi se dhjetëra ish-punonjës të tij kishin treguar rrëfime për abuzim dhe sulme mes viteve 2009 dhe 2017 në restorantin e famshëm në Kopenhagë. Redzepi kishte vite që përballej me akuza për keqtrajtim të stafit dhe përdorim të praktikantëve të papaguar në Noma, restorant që ka fituar tre yje Michelin dhe është renditur pesë herë i pari në listën “World’s 50 Best Restaurants.”
Akuzat e errësuan hapjen e restorantit të përkohshëm të Nomës në Los Anxhelos, ku një menu kushtonte rreth 1,500 dollarë për person. Sponsorët tërhoqën financimin për rezidencën kulinare, e cila u hap të mërkurën mes protestave të vogla. Redzepi njoftoi dorëheqjen në Instagram me një video emocionale. “Një kërkim faljeje nuk mjafton,” tha ai. “Unë marr përgjegjësinë për veprimet e mia.”
Ish-punonjësit thanë se Redzepi nuk është mbajtur kurrë përgjegjës për sjelljen e tij, e cila përfshinte goditje ndaj stafit, shpime me mjete kuzhine dhe kërcënime se do t’i fuste në “listë të zezë” në restorante ose do t’u deportonte familjet.
Jason Ignacio White, ish-drejtues i laboratorit të fermentimit në Noma, mblodhi dëshmi anonime për abuzim dhe i publikoi në Instagram, ku janë parë miliona herë.
“Noma ma shkatërroi pasionin për këtë industri,” thuhej në një nga postimet. “Kisha ankth të fortë, aq sa më sillte sulme paniku në mes të natës. Trauma, abuzimi dhe ideja se asgjë nuk do të ndryshonte më bënë të braktis këtë karrierë.”
Sistemi i brigadës së kuzhinës është i rrënjosur
Procesi që qëndron në zemër të restoranteve në gjithë botën është “brigade de cuisine”, një organizim i rreptë i kuzhinës i zhvilluar në fillim të shekullit të 20-të nga shefi francez Georges Auguste Escoffier, i cili u frymëzua nga përvoja e tij ushtarake.
Sipas këtij sistemi hierarkik, çdo anëtar i stafit ka një specializim — nga shefi kryesor te përgjegjësi i salcave, i pjekjeve, i grillit apo i peshkut. Koreografia dhe komunikimi i tyre — “Hand!” dhe “Yes, chef!” — janë të dizajnuara për shpejtësi, qëndrueshmëri dhe pastërti.
Megjithatë, atmosfera në kuzhina ka qenë shpesh e mbushur me kaos dhe intensitet. Vetë Escoffier shkroi se shefi i tij i parë besonte se ishte e pamundur të drejtoje një kuzhinë “pa një shi shuplakash.”
Shkrimtari George Orwell, autori i romanit “1984”, e përshkroi kuzhinën e restoranteve të kohës së tij si një vend ku një person në hierarki i bërtiste vartësit, i cili më pas i bërtiste dikujt më poshtë. Të qarat nuk ishin të rralla. Si larës enësh (plongeur) Orwell ishte në fund të hierarkisë.
“Një plongeur është një nga skllevërit e botës moderne,” shkroi ai në librin “Down and Out in Paris and London” (1933). “Ai nuk është më i lirë sesa po të blihej e shitej.”
Një vend ku “rregullat nuk vlejnë”
Në epokën moderne, kuzhinat profesionale konsiderohen ndër vendet më të vështira për të punuar për shkak të orëve të gjata, hapësirave të ngushta, hierarkive të forta, kushteve të rënda fizike dhe presionit të vazhdueshëm.
Rritja e figurës së shefit si autor krijues në vitet 1970, me obsesion për përsosmëri në nivelin e yjeve Michelin, vetëm sa e përshpejtoi sjelljen e keqe ndërsa çmimet dhe egot u rritën.
Në autobiografinë e tij të vitit 2006, White e përshkroi kuzhinën e tij në Harveys si “teatri im i mizorisë” dhe u mburr se u jepte kuzhinierëve “10 sekonda shtrëngim nga fyti.” Ndërkohë, libri i Anthony Bourdain “Kitchen Confidential” romantizoi këtë vizion të mbushur me testosteron, duke përshkruar kuzhina me “debate të nxehta, pozime hipermashkullore dhe shpërthime të dehura.”
Dëshmitë personale dhe kërkimet sugjerojnë se pas këtij imazhi romantik fshihet një realitet i dhimbshëm. Një studim i vitit 2021 nga Universiteti Cardiff, që intervistoi 47 shefa elitë, zbuloi se izolimi i kuzhinave komerciale mund të krijojë një “gjeografi devijimi”, që prodhon ndjenja padukshmërie, alienimi (tëhuajësimi) dhe shkëputjeje tek punonjësit e rangut më të ulët.
Rënia e një “vizionari”
Noma — një bashkim i fjalëve daneze për “Nordik” dhe “ushqim” — u hap në vitin 2003 me qëllimin “për të rizbuluar përbërësit e egër lokalë dhe për të ndjekur stinët.” Me kalimin e viteve, Redzepi u bë aq i njohur sa që Noma u përmend edhe në serialin “The Bear” si vendi ku trajnohen dy nga personazhet kryesore. Vetë Redzepi bëri edhe një paraqitje të shkurtër në serial.
Ai ishte shfaqur edhe më parë në kamera — duke u bërtitur kuzhinierëve në dokumentarin e vitit 2008 “Noma at Boiling Point” — dhe kishte kërkuar disa herë falje publike. Në një ese të vitit 2015, ai pranoi se kishte qenë “një bullizues për një pjesë të madhe të karrierës së tij.”
“Kam bërtitur dhe kam shtyrë njerëz. Kam qenë një shef i tmerrshëm ndonjëherë,” shkroi ai.
Dhe — pavarësisht entuziazmit të kulturës pop për sjelljen intensive në kuzhinë — ai dukej se e kuptonte që atëherë se mënyra e vjetër po largonte punonjësit e rinj dhe të talentuar dhe po rrezikonte të ardhmen e gastronomisë.
“Mënyra e vetme për të realizuar premtimin e së tashmes është të përballemi me trashëgimitë e pakëndshme të së kaluarës,” tha Redzepi, “dhe së bashku të krijojmë një rrugë të re përpara.”



