Festimet e Ditës së Verës kanë përfshirë sot disa qytete të Shqipërisë, ku mijëra qytetarë dhe vizitorë kanë marrë pjesë në aktivitete kulturore, artistike dhe argëtuese që shënojnë ardhjen e pranverës dhe ripërtëritjen e natyrës.
Elbasani edhe këtë vit është kthyer në kryeqendrën e festimeve të Ditës së Verës, mes ballakumeve tradicionale, atmosferës festive dhe koncerteve, duke bërë që qindra qytetarë nga të gjitha trevat shqipfolëse, por edhe turistë të huaj t’i bashkohen kësaj atmosfere festive.
Tiranë – Kryeqyteti në atmosferë festive
Në kryeqytet, atmosfera festive nisi që në orët e para të mëngjesit. Dhjetëra aktivitete janë organizuar në zona të ndryshme të qytetit, ndërsa Bashkia e Tiranës ka përgatitur rreth 50 aktivitete të dedikuara për të gjitha grupmoshat.
Në fillim të bulevardit “Dëshmorët e Kombit” është vendosur një ekran i madh ku prezantohen aktivitete që fokusohen te tradita shqiptare, përfshirë muzikën dhe veshjet popullore. Përgjatë bulevardit dhe në zona të tjera të qytetit janë ngritur edhe stenda panairi me produkte artizanale dhe gatime tradicionale.
Programi i aktiviteteve përfshin koncerte muzikore, performanca nga DJ, aktivitete sportive dhe hapësira argëtimi për fëmijët dhe familjet. Ndërkohë, në mbrëmje, pas orës 19:00, në zonën e Bllokut pritet të zhvillohen aktivitete me muzikë elektronike.
Për shkak të festimeve, në disa akse kryesore të qytetit është kufizuar qarkullimi i automjeteve. Sipas planit të masave të njoftuara nga Policia e Shtetit dhe Bashkia e Tiranës, nga mbrëmja e 13 marsit, ora 22:00, deri sot në orën 18:00, qarkullimi është kufizuar përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, nga ish-Hotel “Dajti” deri në fillim të sheshit “Nënë Tereza”.
Berat – Festime në kalanë historike
Festimet e Ditës së Verës u zhvilluan edhe në Berat, ku qindra qytetarë u mblodhën në ambientet e kalasë për të kaluar një ditë festive.
Në këtë hapësirë historike u organizua edhe një panair artizanati, ku artizanë vendas ekspozuan produktet e tyre tradicionale. Atmosfera festive u shoqërua me aktivitete artistike dhe koncerte.
Në skenë performoi këngëtarja e njohur Irma Libohova, ndërsa artistët e Qendrës Kulturore të qytetit sollën këngë dhe performanca që u ndoqën nga qytetarët dhe vizitorët.
Pamje nga atmosfera e festimeve ndau edhe ministri i Pushtetit Vendor, Ervin Demo, i cili në një postim shkroi:
“Atmosferë e mrekullueshme në kalanë madhështore të Beratit, mes diellit të pranverës dhe njerëzve që i japin edhe më shumë hijeshi këtij qyteti”.
Vizitorët patën mundësi të shijojnë gjithashtu verëra vendase dhe ëmbëlsira tradicionale, duke krijuar një atmosferë festive dhe mikpritëse.
Durrës – Sheshi “Liria” plot muzikë dhe aktivitete
Edhe në Durrës, qytetarë të shumtë u mblodhën në sheshin “Liria”, ku bashkia organizoi aktivitete të ndryshme për të shënuar këtë festë.
Sheshi u shndërrua në një festë të vërtetë me muzikë, ngjyra dhe aktivitete argëtuese, veçanërisht për fëmijët. Performancat muzikore dhe programet festive sollën momente gëzimi për qytetarët dhe vizitorët që morën pjesë në festime.
Vlorë – Lungomare në festë
Festimet u zhvilluan edhe në qytetin bregdetar të Vlorës, ku aktivitete të shumta u organizuan kryesisht në zonën e Lungomares.
Qyteti u mbush me ngjyra, lule dhe të qeshura nga fëmijët që morën pjesë në festimet e organizuara. E pranishme në aktivitet ishte edhe kryetarja e bashkisë, Brunilda Mersini, e cila përmes një mesazhi urimi theksoi atmosferën festive të qytetit.
“Në nderim të natyrës, me forcën e diellit dhe jetës që rilind në këtë datë, gëzuar të gjithëve nga Vlora që ishte kaq e bukur sot”, u shpreh ajo.
Një festë e lashtë shqiptare
Dita e Verës, që festohet çdo vit më 14 mars, është një nga festat më të vjetra pagane shqiptare, me rrënjë që shtrihen thellë në lashtësi. Origjina e saj lidhet me kultin e natyrës dhe festimin e rikthimit të diellit pas dimrit të ftohtë.



