Në Komunën e Evere, Bruksel, në zemër të Europës, u organizua një event i veçantë kulturor me praninë e artistëve të njohur shqiptarë dhe me mbështetjen e Komunës së Evere dhe kryetarit Alessandro Zappalà.
Nga Soni Memoci
Një mbrëmje e veçantë arti dhe kulture shqiptare u zhvillua në Komunën e Evere, në Bruksel, në zemër të Europës, ku u shfaq filmi “Golden Brothers 2”, një realizim i regjisorit të njohur shqiptar Drilon Hoxha. Eventi kulturor u kthye në një moment të rëndësishëm për komunitetin shqiptar në diasporë, duke mbledhur së bashku bashkatdhetarë dhe miq belgë në një atmosferë të ngrohtë dhe festive.
Ky aktivitet kulturor u organizua falë iniciativës së Znj. Habibe Duraki, nënkryetare e Komunës së Evere, dhe mbështetjes së Komunës së Evere dhe të kryetarit Alessandro Zappalà, të cilët përkrahin iniciativa që promovojnë kulturën dhe bashkëjetesën mes komuniteteve.
“Ishte nder dhe kënaqësi për mua, si nënkryetare e Komunës së Evere, të mundësoj shfaqjen e këtij filmi në komunën tonë, në zemër të Europës. Kultura jonë ndriçoi dhe bashkoi shqiptarët në diasporë dhe krijoi një atmosferë krenarie dhe bashkimi. Ky është misioni ynë: të afrojmë njerëzit dhe të ruajmë identitetin tonë kulturor,” u shpreh Znj. Habibe Duraki gjatë aktivitetit.
Filmi solli në Evere artistët e njohur të kinematografisë shqiptare: Drilon Hoxha, aktoren e mirënjohur Eva Alikaj dhe Laert Vasili, të cilët u pritën me shumë entuziazëm nga publiku dhe e kthyen këtë event në një festë të vërtetë të kulturës shqiptare.
Një moment i veçantë i mbrëmjes ishte edhe takimi i drejtpërdrejtë mes publikut dhe artistëve. Artdashësit patën mundësinë të bisedonin, të bënin fotografi dhe të ndanin emocione me aktorët, duke krijuar një lidhje të bukur mes artit dhe komunitetit.
Interes të veçantë treguan edhe të rinjtë, ndërsa në sallë ishin të pranishëm edhe qytetarë belgë nga zona të ndryshme të Belgjikës, duke e kthyer këtë mbrëmje në një takim të bukur kulturash dhe komunitetesh.
Një rol kyç në realizimin e kësaj shfaqjeje pati edhe Fatjoni, pronari i Alba Market, i cili u takua me Znj. Habibe Duraki për t’i propozuar projektin e regjisorit Drilon Hoxha. Ai u bë ura lidhëse që bëri të mundur këtë bashkëpunim, pasi Driloni dëshironte të kontaktonte Znj. Habibe Duraki, të cilën e kishte takuar në Bruksel disa vite më parë.
Një kontribut të veçantë në realizimin e kësaj mbrëmjeje kulturore dha edhe Alba Market, një biznes shqiptar i njohur në Bruksel që promovon produktet dhe traditat shqiptare dhe që është bërë një pikë e rëndësishme për komunitetin shqiptar në diasporë. Gjithashtu edhe “POGRADECI tours”.
Në organizimin e aktivitetit kontribuan gjithashtu produksioni Fjori Fjori, Bala Events dhe Soni Memo, të cilët ndihmuan në realizimin dhe koordinimin e këtij eventi kulturor për komunitetin shqiptar në diasporë.
Ky event kulturor në Evere, në zemër të Europës, dëshmoi edhe një herë se arti dhe kultura shqiptare mbeten një forcë që bashkon komunitetin shqiptar në diasporë dhe forcon lidhjet mes shqiptarëve dhe miqve të tyre në Belgjikë.



